Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, deklaroi se sipas tij Policia e Shtetit ka nevojë për dekriminalizim.
Berisha akuzoi drejtues të lartë të policisë për lidhje me grupe kriminale, ndërsa tha se hapi i parë do të jetë pastrimi i strukturave drejtuese. Ai u shpreh se beson te profesionalizmi dhe integriteti i shumë punonjësve të policisë që, sipas tij, janë të gatshëm të zbatojnë ligjin.
FJALA E BERISHËS:
Fatmir Topi: Doktor, si do t'ia bëjmë me goditjet e Policisë së Shtetit për çështje yjesh, se goditjet ndaj krimit të organizuar e mbyllën me sukses. Dhe një pyetje: Sa yje i jep qeverisë së Ramës ti Doktor? Se u pa puna, këto skandale në vendin tonë janë bërë aq të shpeshta sa po kthehen në meme dhe humor.
Sali Berisha: Tani, së pari njëherë mendoj se Policia e Shtetit duhet të dekriminalizohet. Piramida e Policisë së Shtetit është tmerrësisht e kriminalizuar.
Drejtuesit e saj kryesorë janë lejtnantë të karteleve më të rrezikshme të drogës, të Troplinëve dhe të Çelajve, e të tjerë. Kështu që hapi i parë dhe mbi të gjithë do të jetë dekriminalizimi i Policisë së Shtetit.
Pastaj unë kam besim të plotë në vullnetin, dëshirën, trimërinë, guximin, profesionalizmin e dhjetëra dhe qindra e qindra punonjësve të policisë të gatshëm për të zbatuar ligjet e këtij vendi.
© SYRI.net