Lajmi i fundit

Spiegel ‘gozhdon’ Ramën: Është i padëshiruar si Kanye West, jep miliona euro për një arenë të përkohshme

Kelliçi në PE: Integrimi i Shqipërisë në rrezik. Korrupsioni dhe krimi i shpërndarë në çdo sektor

Kelliçi në PE: Integrimi i Shqipërisë në rrezik. Korrupsioni dhe krimi i shpërndarë në çdo sektor

10:06, 09/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur shqetësime për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri gjatë fjalës së tij përpara eurodeputetëve në Parlamentin Europian.

Këlliçi deklaroi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është në rrezik për shkak të korrupsionit dhe kapjes së institucioneve, duke akuzuar mazhorancën socialiste se po mbron zyrtarë të lartë përmes imunitetit parlamentar.

Duke iu referuar protestës së zhvilluar në Tiranë, deputeti demokrat tha se ajo ka bashkuar shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, ndërsa theksoi se qytetarët po protestojnë kundër shtetit të kapur.

Këlliçi përmendi rastin e ish-zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke u shprehur se ajo është mbrojtur nga votat e mazhorancës në Parlament pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj. Ai akuzoi gjithashtu se problemet me infrastrukturën, rrugët e dëmtuara dhe dështimet në tendera janë pasojë e korrupsionit sistemik.

Në fjalën e tij, deputeti i PD-së iu referua edhe raportimeve të Bashkimit Europian për korrupsionin në Shqipëri, duke thënë se ai është i pranishëm në sektorë si infrastruktura, prokurimet publike, shëndetësia, policia dhe kadastra.

Këlliçi ngriti akuza edhe për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke deklaruar se hetimet e SPAK ndaj drejtuesve të saj tregojnë për probleme serioze në administrimin e fondeve publike dhe të dhënave shtetërore. Në vijim, ai përmendi edhe çështje të tjera të denoncuara nga opozita, si inceneratori i Tiranës dhe afera “5D”, duke kërkuar përgjegjësi për zyrtarët e përfshirë.

Sipas Këlliçit, qytetarët shqiptarë “kanë vrarë frikën” dhe po protestojnë kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies nga institucionet.

Deklarata e plotë:

Të nderuar pjesmarrës,
 
Të nderuar kolegë,
 
Pak më parë në fjalën time ju referova plotësisht protestës paqësore që po mbahet prej 38 ditësh në sheshin kryesor të Tiranës. Një protestë paqësore, qytetare, e cila si kurrë më parë ka bërë bashkë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe ata të cilët kjo mazhorancë socialiste i largoi nga vendi i tyre në këto 13 vite. Sot protestohet në Gjermani, Itali, Francë, Angli, SHBA, Kanada, Suedi, Norvegji, e kudo ku jetojnë shqiptarë.
 
Tani më lejoni t'ju them disa nga arsyet pse qytetarët shqiptarë protestojnë në rrugët e Tiranës, Shqipërisë dhe mbarë botës.
 
Të nderuar kolegë, ju e njihni tashmë emrin Belinda Balluku, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës që për 7 vite menaxhoi më shumë se 60% të buxhetit të shtetit shqiptar. SPAK kërkoi arrestimin e saj. Por abuzimi me detyrën dhe korrupsioni në tendera publikë me vlerë qindra milionë euro, u mbrojtën me tetëdhjetë e dy vota socialiste që i dhanë asaj imunitet. Një pjesë e atyre deputetëve janë sot këtu përpara jush. Shihini mirë.
 
Dhe teksa Balluku mbrohej pas mureve të Parlamentit, njëzet e tre rrugë të ndërtuara kohët e fundit, me vlerë qindra milionë euro, u shembën, u çanë ose u rrëzuan. Për disa ditë, qytetarë në juglindje të vendit tim mbetën të izoluar nga pjesa tjetër e territorit. Nuk ra asnjë tërmet, nuk pati mot ekstrem, por thjeshtë doli në pah fytyra e korrupsionit. Vetëm një javë më parë, një 42-vjecar humbi jetën për shkak të korrupsionit dhe vjedhjes në tenderat e rrugëve.
 
Vetë raporti IBAR i Bashkimit Europian e konsideron korrupsionin “shqetësim thelbësor” për Shqipërinë, mbizotërues në infrastrukturë, prokurime publike, shëndetësi, polici, kadastër, etj.
 
Me fjalë të tjera, korrupsioni është sistemik, i çimentuar, dhe sot është edhe i veshur me gëzof imuniteti parlamentar.
 
Por gjatë kësaj kohe ka ndodhur dhe diçka tjetër, për të cilën ndoshta jo të gjithë ju keni informacion të plotë.
 
Ndërsa kryeministri ekspozonte “Diellën”, ministren e tij dixhitale, si simbol modernizimi, Prokuroria e Posaçme ngriti akuza zyrtare ndaj ekipit drejtues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucionin që është përgjegjës për Diellën, të dhënat shtetërore dhe ato personale të çdo shqiptari.
 
Ata akuzohen për manipulim tenderash dhe pengmarrje. E dëgjuat mirë, pengmarrje. Një grup personash akuzohen se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, në bashkëpunim me një individ të quajtur Ergys Agasi, që në Shqipëri njihet si koordinatori për krimin e organizuar i Edi Ramës.
 
Ky person sot gjendet në arrati, por kryeministri Rama dekoroi personalisht, publikisht, zyrtarisht, babain e tij, muajin e shkuar, në 35 vjetorin e themelimit të partisë socialiste, duke sfiduar të gjithë shoqërinë shqiptare dhe institucionet ligjzbatuese në vend.
 
Për këto institucione të fundit, janë disa fakte që nuk mund të anashkalohen. Shqipëria sot sipas raporteve tuaja, apo të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, ka një nivel korrupsioni galopant, i cili rritet vit pas viti.
 
Shqipëria sot ka një ekonomi e cila në pjesën dërrmuese të saj është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave për krimin e organizuar. E gjitha kjo nën hundën, sytë dhe veshët e “Drejtësisë së Re”.
 
Personalisht hy tek ata deputetë që i kam dhënë besim SPAK, duke kallëzuar dy prej aferave më skandaloze korruptive të zyrtarëve të lartë në vend.
 
E para është afera e inceneratorit të Tiranës, ku pak ditë më parë SPAK përfundoi hetimet, për të cilat sot që flasim nuk ka asnjë të arrestuar, dhe 100 milionë euro të vjedhura, kjo sipas vetë deklaratës së SPAK, janë zhdukur pa asnjë gjurmë.
 
E dyta është afera 5D, ose 5 drejtorët e Bashkisë Tiranë, të cilët kishin hapur një kompani private përmes familjarëve të tyre duke përfituar të paktën 30 milionë euro tendera publike, përfshirë dhe institucionin ku ishin titullarë të lartë, dhe katër leje ndërtimi, të firmosura nga eprori i tyre Erion Veliaj, kreu i Bashkisë Tiranë.
 
Sot që flasim asnjë prej këtyre zyrtarëve nuk ndodhet në masë arresti dhe paratë si gjithnjë kanë avulluar pa adresë apo autor.
 
Të nderuar kolegë,
 
Kjo është një tjetër fotografi e shtetit të kapur, që ndoshta ju nuk keni patur mundësinë ta shihni që prej herës së fundit që u takuam bashkë.
 
Por shqiptarët e kanë kuptuar këtë prej kohësh, kanë vrarë frikën, dhe po protestojnë në shesh si kurrë më parë.
 
Ju faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco