Në ditën e 39-të të protestës përpara Kryeministrisë, një qytetare e prekur nga kanceri ka ngritur zërin për problemet e pacientëve me rimbursimin e medikamenteve, duke e lidhur situatën e saj me debatin për përdorimin e fondeve publike.
Me lot në sy dhe e revoltuar, ajo denoncoi nga podiumi i protestës vështirësitë për të siguruar ilaçet e nevojshme për trajtimin e saj, ndërsa kritikoi qeverinë për shpenzimet që, sipas saj, nuk përputhen me nevojat reale të qytetarëve.
Qytetarja tregoi se, ndërsa paguan medikamente të shtrenjta për sëmundjen e saj, mbështetja nga skema e rimbursimit është minimale. Ajo e krahasoi këtë situatë me shpenzimet e bëra për një koncert, duke kërkuar që fondet publike të orientohen drejt shëndetësisë dhe pacientëve.
“Këtij nuk e meriton t’i thuash kryeministër, është palaço! Sot kur ai jep gjithë ato para për një koncert që nuk e kanë pranuar disa shtete, unë sot kam vajtur të marr ilaçet e kancerit. Më kanë kompensuar vetëm 60 qindarka. Turp!” deklaroi ajo përpara protestuesve.
Ajo vijoi me një tjetër apel ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke ngritur shqetësimin për pacientët që përballen çdo ditë me sëmundje të rënda.
“I kam blerë 22 mijë lekë, sot i mora 21 mijë lekë e 14 qindarka. E kuptoni çfarë leverdie më ka bërë mua ai njeri? Të thërrasë mendjes sa më shpejt e të japë dorëheqjen dhe të çlirojë këtë popull dhe Shqipërinë! Dorëheqje!” përfundoi qytetarja mes mbështetjes së protestuesve në shesh.
© SYRI.net