Gazetari i Radio France, Genc Burimi, i ftuar në emisionin “KAFE SHQETO” në Syri TV, deklaroi se nuk beson se përshkallëzimi i protestave do të ishte rruga që do të sillte largimin e kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se edhe përballë situatave shumë më të rënda liderë të tjerë kanë mbijetuar politikisht.
Sipas Burimit, protesta ka arritur rezultatet më të rëndësishme pikërisht falë qëndrueshmërisë dhe kohëzgjatjes së saj. Ai u shpreh se mobilizimi i vazhdueshëm ka rritur ndërgjegjësimin shoqëror dhe ka dërguar një mesazh të qartë te partnerët ndërkombëtarë se pakënaqësia ndaj qeverisë nuk është e përkohshme.
Ai argumentoi se partnerët ndërkombëtarë shmangin situatat e zgjatura të paqëndrueshmërisë, pasi ekziston gjithmonë rreziku që tensionet të përshkallëzohen në mënyrë të papritur. Për këtë arsye, sipas tij, është rritur interesi për alternativa politike në Shqipëri. Burimi e lidhi këtë analizë edhe me zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur nismën e kongresmenit amerikan Joe Wilson për një rezolutë që kërkon hetimin e pretendimeve për lidhje të qeverisë shqiptare me narkotrafikun. Sipas tij, ky është një sinjal politik i rëndësishëm që tregon ndryshim të qasjes ndaj qeverisë shqiptare.
Në vijim, ai tha se çdo sinjal diplomatik që do të interpretohej si zbehje e mbështetjes ndërkombëtare për kryeministrin do të ishte pjesë e një procesi më të gjerë politik, duke shtuar se, sipas vlerësimit të tij, “ka filluar numërimi mbrapsht për Edi Ramën”.
Burimi theksoi gjithashtu se opozita dhe protestuesit, sipas tij, mbeten të orientuar qartë drejt SHBA-së dhe Perëndimit, çka, në këndvështrimin e tij, i jep siguri partnerëve ndërkombëtarë për një tranzicion të mundshëm politik.
Më tej, gazetari u shpreh se qëndrueshmëria e protestës ka ndryshuar perceptimin e faktorëve ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, tashmë po përgatiten për një skenar politik pas largimit të Edi Ramës.
Burimi:
Nuk e besoj sepse përshkallëzimi do të ishte mjeti më i madh i presionit që të rrëzohet Rama. Por jam 1000% i sigurt që Rama s'ikën as me paqësore dhe as me përshkallëzim. Pati një përshkallëzim shumë të madh në Turqi, Erdogani në 2016-ën dhe jo vetëm që s'ndodhi asgjë, por ai pati me vete kundra tij ushtrinë, policinë, gazetarinë, drejtësinë, popullin edhe... 10 vjet më vonë, Turqia, po bëj një parantezë, jep këtë spektakël të trishtë dje ku u dënuan shumë nga kolegët tanë, janë arrestuar. Kështu që nuk e besoj. Përkundrazi, kjo protestë po jep frytet e saja dhe shiko pse. Falë qëndrueshmërisë së saj në kohë, ka thyer çdo rekord kohëzgjatjeje. Çdo rekord në Europë nuk njoh shembull të njëjtë kohëzgjatjeje si me këtë protestë që ka rritur ndërgjegjen shoqërore në Shqipëri.
Kohëzgjatja dhe qëndrueshmëria i dha ndërkombëtarëve mesazhin që vërtet Rama s'tërhiqet po dhe këta nuk tërhiqen. Dhe këtu është luajtur tek pika e dobët e ndërkombëtarëve të cilët nuk e preferojnë aspak futjen në territore të panjohura kur zgjat kaq shumë një protestë je detyrimishtt në një territor të panjohur sepse nuk di çfarë ndodh më vonë dhe mund të ndodhë ajo që ti bëre pyetjen, dhuna.
Një dhunë që s'ishte e parashikuar, që mund të jetë një dhunë aksidentale dhe pastaj gjërat shkojnë shumë më keq. Pra kjo i ka detyruar ndërkombëtarët tani, të themi shpesh këtë shprehje, të vështrojnë për nga një plan B drejt Shqipërisë, nga një plan post-Rama, pas Ramës.
Plani B post-Rama është që sot kemi këtë lajm të jashtëzakonshëm para 3-ditësh, kur një nga kongresmenët më të afërt dhe më të influencueshëm të Donald Trump, Joe Wilson, kërkon ndaj Shqipërisë në Kongresin Amerikan as më pak e as më shumë atë që SHBA kërkuan dhe vuri në zbatim ndaj Venezuelës.
Pas Venezuelës, Shqipëria bëhet vendi i dytë ku Kongresi Amerikan pritet të miratojë një ligj që vë nën hetim Edi Ramën vetë dhe qeverinë... nëse kanë apo jo ndikuar në narkotrafikun në Shqipëri. Është e jashtëzakonshme, nëse dikush më thotë që kjo nuk bëhet për të rrëzuar Ramën, atëherë çfarë është? Lajmi i dytë pritet sot pas pak orësh.
Nëse sot do të mendoj që ky... del lajmi që nuk është Rama që shkon në Ankara në samitin e NATO-s, por është presidenti-...Atëherë çfarë doni më tepër juve? Ka filluar numërimi mbrapsht për Edi Ramën nga ndërkombëtarët, nga amerikanët. Kjo falë pikërisht qëndrueshmërisë, nuk kishte nevojë për dhunë. Falë qëndrueshmërisë në protestë. Ata e panë tani këtë gjë që nuk mund të ketë të ardhme me Edi Ramën. Fati i madh i ndërkombëtarëve, i miqve tanë, aleatëve tanë, fati i madh i amerikanëve është se stolin politik të rezervave në Shqipëri i ke të gjithë pro-amerikanë.
Do ishte më e keqe, po do ishte më e komplikuar po që, a po ikën Rama, çfarë do ndodhi me BE-në, me zgjerimin, çfarë do ndodhi marrëdhëniet me SHBA... nuk ka asnjë problem. Në Shqipëri stoli i politikës që përfshin dhe protestën është plot dhe ekskluzivisht me pro-perëndimorë dhe pro-amerikanë. Ajo që nuk dinin ndërkombëtarët ishte nëse kjo protestë do të vazhdonte apo jo. Nëse kishin të bënin me disa të rinj të iluminuar, romantikë, si te 'Les Miserables', të 'Të mjerët' e Viktor Hygos që bëjnë një javë, dy javë protestë dhe pastaj kthehen në shtëpi. Por tani që kuptuan që janë vërtet shumë seriozë këta të rinj, shumë seriozë, nuk kthehen mbrapsht, ka filluar tani përgatitja e planit B. Është fillimi i fundit të Edi Ramës. Ky ishte mendimi im.
© SYRI.net