Pak ditë më parë, Kryeministri i Shqipërisë iu drejtua me një letër publike një protestuesi të vetëm. Një fotografi, ku një qytetar qëndronte pothuajse i vetmuar në shesh, u bë menjëherë objekt debati. Disa diskutuan për numrin e protestuesve, të tjerë për përmbajtjen e letrës, ndërsa të tjerë e panë atë si një episod të zakonshëm të përplasjes politike shqiptare.
Por ajo fotografi nuk të detyronte të mendoje për një protestues. Të detyronte të mendoje për një shoqëri.
Sepse ajo fotografi kishte një histori të gjatë prapa saj, shumë më të gjatë se projekti i Zvërnecit, shumë më të gjatë se letra e kryeministrit. Ajo ishte fundi i një numërimi të heshtur: mjekët që emigrojnë, mësuesit që mbahen me premtime, fëmijët që rriten duke mësuar se suksesi kërkon lidhje, jo meritë. Aty ishte zemërimi ndaj atyre që i tërhoqën zvarrë në Zvërnec. Ndaj arrogancës së një pushteti që, ditë pas dite, figurativisht tërheq zvarrë qytetarët e vet. Ndaj hajdutëve të mbrojtur nga lart, ndaj luftës mes të fortëve kur njëri prej tyre bie në burg jo nga drejtësia, por nga hakmarrja brenda kastës. Ndaj Shqipërisë që shumë e kanë lënë dhe shumë po mendojnë ta lënë. Zvërneci nuk ishte shkaku. Ishte pikërisht ajo copa e fundit e letër mbi tavolinën tashmë të mbingarkuar me lista hallesh të shqiptarëve.
Kjo ngrinte një pyetje shumë më të madhe sesa numri i njerëzve në shesh: çfarë ndodh kur një pjesë e qytetarëve nuk ndihet më pjesë e marrëveshjes që mban në këmbë vetë shtetin?
Ka disa marrëveshje aq të mëdha, sa nuk i vëmë më re. Janë bërë aq të natyrshme, sa harrojmë se dikur nuk kanë ekzistuar. Gjuha, prona, kufijtë, shteti, ligji, paraja. Në pamje të parë duken si realitete të pandryshueshme, por në të vërtetë janë konvencione, marrëveshje kolektive të njerëzimit, pa të cilat qytetërimi nuk do të ekzistonte.
Nëse dikush do të pyeste se cilat janë pesë marrëveshjet më të mëdha të historisë njerëzore, ndoshta përgjigjja nuk do të ishte një traktat paqeje apo një konventë ndërkombëtare. Më të mëdha se ato janë marrëveshjet e pashkruara që çdo njeri pranon çdo ditë. Asnjëra prej tyre nuk ekziston si ligj i natyrës. Askush nuk lind duke ditur se një copë letër është para, se një vijë në hartë është kufi, apo se një ndërtesë përfaqëson autoritetin e shtetit. Të gjitha marrin kuptim vetëm sepse njerëzit bien dakord t'u japin kuptim.
Natyra njeh vetëm forcën, energjinë dhe ligjet fizike. Shoqëria njerëzore njeh edhe drejtësinë, pronën, dinjitetin dhe përgjegjësinë. Këto të fundit nuk janë të gdhendura në univers; ato janë krijime të mendjes njerëzore. Pikërisht këtu lind paradoksi: nëse janë krijime njerëzore, pse i trajtojmë si të shenjta? Sepse pa to qytetërimi shpërbëhet.
Është si loja e shahut. Askush nuk të detyron fizikisht që kali të lëvizë në formë "L". Por në momentin që një lojtar vendos ta lëvizë si mbretëresha, loja pushon së qeni shah. Nuk është thyer një ligj i natyrës; është shkatërruar vetë sistemi. Forca e konvencionit nuk buron nga natyra. Ajo buron nga besnikëria ndaj tij.
Ky është ndoshta sekreti më i madh i qytetërimit.
Ne nuk jetojmë vetëm mbi gurë, rrugë, ndërtesa apo institucione. Ne jetojmë mbi besimin se fjala e dhënë ka vlerë, se ligji është mbi pushtetin, se prona nuk merret sipas dëshirës së më të fortit, se shteti nuk është pronë private e kujtdo që fiton zgjedhjet dhe se rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.
Në këtë kuptim, paraja, shteti, flamuri, kombi dhe të drejtat e njeriut janë forma të ndryshme të së njëjtës gjë: besimi i organizuar. Prandaj marrin shpesh një karakter pothuajse të shenjtë. Njerëzit betohen mbi Kushtetutën, nderojnë flamurin, sakrifikojnë jetën për atdheun; jo sepse këto janë objekte natyrore, por sepse përfaqësojnë një rend ku besojnë.
Filozofia politike e ka quajtur këtë kontratë shoqërore. Jo një dokument të firmosur nga qytetarët, por marrëveshjen e heshtur sipas së cilës secili pranon të kufizojë një pjesë të lirisë së vet në këmbim të sigurisë, drejtësisë dhe rendit. Ndoshta kjo është e vetmja utopi që ka funksionuar ndonjëherë, sepse nuk ndërtohet mbi imponimin, por mbi pranimin kolektiv.
Por çdo kontratë ka një kusht themelor: ajo duhet të besohet.
Dhe pikërisht këtu ndodhet drama shqiptare.
Protestat e ditëve të fundit mund të lexohen lehtësisht si një përballje mes qeverisë dhe kundërshtarëve të saj. Por një lexim i tillë është shumë i ngushtë. Nëse dëgjon me kujdes shumë nga zërat që vijnë nga sheshi, kupton se ata nuk flasin vetëm kundër një qeverie. Nuk flasin as vetëm kundër opozitës. Ata shprehin bindjen se modeli politik i ndërtuar gjatë tridhjetë e gjashtë viteve të pluralizmit nuk prodhon më besueshmëri.
Ata nuk e drejtojnë zemërimin vetëm ndaj mazhorancës. Shumë prej tyre flasin për dështimin e një modeli të tërë, për kontratën morale të vitit 1991, atë premtim të madh të tranzicionit: se pushteti do të kufizohej nga ligji; se prona do të mbrohej; se institucionet do të ishin më të forta se individët; se qytetari nuk do ta kishte më frikë shtetin; se vota do të ishte mekanizmi përmes të cilit sistemi do të korrigjonte vetveten.
Ky ishte premtimi i madh i tranzicionit shqiptar. Pyetja është nëse ai premtim u përmbush ndonjëherë plotësisht, apo mbeti më shumë një aspiratë sesa një realitet.
Për këtë arsye po dëgjohet gjithnjë e më shpesh një kërkesë që deri dje do të dukej e pamendueshme: jo thjesht largimi i qeverisë, por largimi i të gjithë klasës politike që ka dominuar jetën publike që nga fillimi i tranzicionit. Mund të pajtohesh ose jo me këtë kërkesë. Por nuk mund të mohosh se ajo shpreh diçka shumë më të thellë se një konflikt elektoral. Ajo shpreh dyshimin se kontrata shoqërore është konsumuar.
Pikërisht për këtë arsye, debati mbi numrin e protestuesve bëhet dytësor. Pesë mijë apo njëqind mijë njerëz nuk e ndryshojnë natyrën e pyetjes. Nëse një pjesë e rëndësishme e shoqërisë arrin në përfundimin se loja nuk funksionon më, atëherë nuk mjafton të shpallësh rezultatin duke numëruar pjesëmarrësit. Është njësoj si në një ndeshje futbolli ku arbitri vazhdon të numërojë tifozët, ndërsa ata nuk po diskutojnë më rezultatin, por po vënë në dyshim arbitrin, rregulloren dhe vetë mënyrën si zhvillohet loja.
Kjo është arsyeja pse zhvillimet e fundit në Shqipëri meritojnë të analizohen edhe jashtë kufijve të saj. Jo për shkak të madhësisë së protestave, por për shkak të natyrës së pyetjes që ato shtrojnë.
Autoriteti i çdo pushteti buron pikërisht nga konvencionet që ai është thirrur të mbrojë. Nëse ai fillon t'i relativizojë ose t'i dobësojë ato, gërryen njëkohësisht edhe burimin e legjitimitetit të vet. Është si një gjykatës që deklaron se ligji nuk ka më vlerë. Në atë çast ai nuk dobëson vetëm ligjin; ai dobëson edhe arsyen pse vetë quhet gjykatës.
Historia është plot me perandori, mbretëri dhe republika që nuk nisën të shembeshin ditën kur humbën një betejë apo një zgjedhje. Ato nisën të shpërbëhen kur humbën besimin e njerëzve që pretendonin se përfaqësonin. Institucionet vazhduan të ekzistonin, ligjet mbetën të shkruara, administratat vazhduan të funksiononin; por marrëveshja e padukshme që u jepte kuptim ishte konsumuar.
Pyetja që Shqipëria duhet t'i bëjë vetes sot nuk lidhet vetëm me zgjedhjet e ardhshme. Ajo lidhet me vetë kontratën shoqërore që lindi në fillim të viteve '90. A vazhdon ajo të jetë burim besimi për shumicën e qytetarëve, apo ka hyrë në një fazë konsumimi ku gjithnjë e më shumë njerëz nuk kërkojnë më një qeveri tjetër, por një mënyrë tjetër qeverisjeje?
Nëse përgjigjja anon nga kjo e dyta, atëherë sfida nuk është më fitorja e një partie mbi një tjetër. Sfida është rikthimi i besimit te rregullat e përbashkëta dhe te mënyra se si qeveriset vendi. Qeveritë ndryshojnë, partitë lindin dhe zhduken, brezat politikë zëvendësojnë njëri-tjetrin; shteti, megjithatë, mbijeton vetëm kur qytetarët vazhdojnë ta ndiejnë si të tyrin.
Sepse, ashtu si në shah, loja nuk mbaron së pasuri kuptim kur njëri lojtar bëhet më i fortë. Loja mbaron së pasuri kuptim kur njëri vendos se nuk ka më nevojë t'u bindet rregullave.
Edhe demokracia funksionon mbi të njëjtin parim. Qeveritë fitojnë dhe humbin. Opozitat zëvendësojnë njëra-tjetrën. Kjo është pjesë e lojës. Por loja vazhdon vetëm për aq kohë sa qytetarët besojnë se rregullat vlejnë ende.
Kur ky besim lëkundet, problemi nuk është më vetëm se kush qeveris.
Problemi është mënyra se si qeveriset vendi.
Dhe kjo është sfida që do të përcaktojë Shqipërinë e viteve që vijnë.
© SYRI.net