Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian dhe eurodeputeti rumun, Nicolae Ștefănuță, ka marrë pjesë në protestën e 30-të të qytetarëve shqiptarë të zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë, duke shprehur mbështetje të drejtpërdrejtë për protestuesit dhe duke lëshuar deklarata të forta kundër qeverisë.
I pranishëm me një qeleshe në kokë, eurodeputeti u shpreh se ndihej “si në shtëpi” në Shqipëri dhe e quajti vendin “motra jonë”, duke theksuar lidhjet historike dhe emocionale mes popujve të rajonit.
Në fjalën e tij, ai iu referua edhe përvojës historike të Rumanisë, duke kujtuar rrëzimin e regjimit të Nicolae Ceaușescu, ndërsa krahasoi zhvillimet në Evropën Lindore dhe Ballkan.
Në një pjesë të fjalimit të tij, Ștefănuță lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar:
“Mjaft me këtë korrupsion, mjaft me këtë tranzicion, mjaft me këtë diktaturë.”
Duke iu drejtuar protestuesve, ai solli shembuj nga protestat në Rumani, duke theksuar se lëvizjet qytetare mund të ndryshojnë realitetin politik, edhe kur fillimisht nënvlerësohen.
“Kur njerëzit janë të zemëruar, politikanët janë të vdekur,” tha ai, duke shtuar se qytetarët janë forca reale e ndryshimit.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mungesën e kryeministrit në aktivitet, duke thënë:
“Pse Evropa është këtu dhe Edi Rama nuk është këtu? Ndoshta sepse është i frikësuar.”
Në përfundim, eurodeputeti i bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen, duke theksuar se “fuqia e vërtetë jeni ju” dhe se ata “janë në anën e duhur të historisë”, ndërsa shtoi mesazhe me karakter moral dhe shpirtëror për qëndrueshmëri në protestë.
Fjala e Ștefănuță:
Unë jam zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, por jam edhe djali i një burri që rrit dele në Rumani. Ndihem këtu si në shtëpi. Shqipëria është motra jonë. Unë isha 9 vjeç kur pashë Çausheskun të rrëzohej, dhe ju pritët 30 vite derisa Enver Hoxha u rrëzua.
Por tani nuk keni pse të prisni sërish aq gjatë. Mjaft me këtë korrupsion, mjaft me këtë tranzicion, mjaft me këtë diktaturë.
Edhe në Rumani pati protesta për mjedisin që u quajtën të parëndësishme, por njerëzit reaguan, të gjithë erdhën dhe ata që nuk e besuan, edhe diaspora erdhi, sepse nuk ishte një çështje thjesht mjedisore, por ishte një çështje e madhe kombëtare. Për shpirtin e vendit tonë, për shpirtin e Evropës.
Ajo që dua t’ju them sot është se, kur ata t’ju thonë se energjia do të bjerë, njerëzit nuk do të vijnë, mos u besoni, sepse fuqia e vërtetë jeni ju. Kur njerëzit janë të zemëruar, politikanët janë të vdekur. Pse Evropa është këtu dhe Edi Rama nuk është këtu? Pse? Ndoshta sepse është i frikësuar.
Dhe nëse është kështu, ju duhet të keni kurajë ta rrisni frikën e tij. Rruga mund të jetë e gjatë, por ju jeni në anën e duhur të historisë. Zoti është me ju.
© SYRI.net