Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Rama fajëson algoritmin, shan e fyen shqiptarët

'Toka shtetërore te të huajt' - Nuri analizon draftin e qeverisë Rama: 'Kostum i qepur me porosi' për 3 - 4 investitorë

17:13, 26/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një projektligj i ri që synon t'u shesë tokat bujqësore shtetasve të huaj ka ngritur alarmin, duke iu shtuar një sërë nismash ligjore të kundërshtuara ashpër përgjatë muajve të fundit edhe me protestat në shesh të 26 ditëve të fundit.

 Ndërkohë që qeveria pretendon se ky draft vjen si kërkesë e Bashkimit Evropian, juristi Franc Nuri, i ftuar në intervistën e Syri Tv me gazetarin Edvin Parruca, e sheh një lëvizje të dyshimtë dhe një "kostum i qepur me porosi" për individë dhe kompani të caktuara, shpesh të regjistruara në parajsa fiskale.

Pjesë nga intervista

Franc Nuri:  Kjo nismë tregon mangësi, filozofinë sesi është ndërtuar koncepti i shtetit nga kjo qeveri, për më tepër dhe i konceptit të pronës private apo pronës publike, sesi i kanë trajtuar gjatë këtyre viteve.

Praktikisht shqiptarët e dinë sesi janë trajtuar si plaçkë apo si pronë private.

Ka disa ligje, disa VKM që janë në fuqi prej disa vitesh dhe kjo qeveri i ka vënë në dispozicion të çdo lloj investitori, apo çdo lloj trafikanti që ka dalë më pas që ishte i tillë, po ndërkohë paraqitej me letra sikur të ishte një biznesmen i fuqishëm. Apo shumë ‘investitorë të huaj’ shpeshherë i kemi kompani guacka, fantazma, të regjistruara në parajsë fiskale apo janë të regjistruar në Vendet e Ulëta, në Holandë, apo dhe në Mbretërinë e Bashkuar e apo dhe në vende të tjera ku ka përjashtim me taksash dhe këto quhen investitorë të huaj. Ndërkohë mbrapa tyre në shumicën e rasteve të gjithë këtyre investimeve na fshihen kompani apo dhe pse jo investitorë që nuk dihet se nga vijnë paratë, origjina e vërtetë. Megjithatë kjo është një çështje tjetër. Për t'u fokusuar te pyetja juaj,

Ky ligj, ky draft po themi që ka ardhur për konsultim publik dhe besoj edhe në Kuvend duhet të shkojë shumë shpejt, tradhton në një farë mënyre atë nxitimin që ka kjo qeveri tashmë që të bëjë çmos që të shpërndajë dhe parcelën më të fundit të tokës publike dhe t'ia japë dhe t'ia atribuojë dikujt.

Pra nuk po lënë pëllëmbë toke, fushë, bregdet apo mal, pa ia shpërndarë dikujt. Dhe pse e tradhton këtë lloj filozofie mendoj unë?

Sepse pikërisht nga aspekti juridik është një absurditet ky lloj projektligji. Ju e cekët, si është hera e parë që ne shohim që në ligj të shënohet në fund aty kur bëhet fjalë për hyrjen në fuqi, dispozita e fundit, të shënohet që ky ligj hyn në fuqi 15 ditë nga botimi i Fletores Zyrtare dhe zbatohet 7 vjet mbas hyrjes në Bashkimin Evropian.

Pra një formulim i tillë domethënë që e lidh me anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, që s'dihet do të ndodhi ndonjëherë apo jo, apo edhe s'dihet kur do të ndodhi. Urojmë të jetë sa më shpejt por gjasat janë që nuk jemi ne afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shumë e shumë arsye, do duhej një emision tjetër ta shtjellonim këtë gjë.

Edvin Parruca: Eshtë një praktikë e padëgjuar që një ngjarje hipotetike të jetë në ligj.

Franc Nuri:  Absolutisht. Norma ligjore dhe teknika legjislative e hartimit të akteve duhet të parashikonte botimin në Fletoren Zyrtare dhe hyrjen në fuqi në momentin që do anëtarësohet Bashkimi Evropian. Kjo mund të ishte deri diku e pranueshme. Por jo 7 vjet me atë lloj formulimi, pra hyn në fuqi në momentin që botohet në Fletoren Zyrtare, deri në 7 vjet mbas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pra, kjo lloj afati në ligj i vendosur është pa kuptim.

Ç'domethënë kjo? Se tjetër gjë është efektet nisin shtatë vjet nga hyrja në BE, po efektet shtrihen deri në shtatë vjet nga hyrja, çfarë do të thotë se shtrihen unë e kuptoj një vazhdimësi përpara hyrjes, nuk e, nuk e kuptoj domethënë.

Shikoni, këtu po tradhtohet, le të themi, një synim i vërtetë që mund të kenë hartuesit e këtij projektligji, sepse ata janë konfuzë në paraqitjen e aktit. Në paraqitjen dhe në justifikimin që pse lindi nevoja sot të miratohet një ligj i tillë. Sepse kjo është pak a shumë çudia dhe habia e madhe. Pse po nxitojnë, pse po nxitojnë të miratojnë një ligj të tillë, ndërkohë që Bashkimi Evropian nuk na e kërkon absolutisht një ligj të tillë, dhe edhe sikur të marrim logjikën e vetë kryeministrit apo të këtyre që kanë dalë dhe e kanë mbrojtur këtë lloj drafti, që gjasme ne po na e kërkon Bashkimi Evropian. Nëse Bashkimi Evropian ta kërkon, ta miratosh një ligj të tillë, pse e kufizon me 7 vjetin?

Unë kam analizuar mjaft tekste ligjore që kanë lidhje me pronat këto vitet e fundit edhe mund t'jua them që ekziston VKM-ja 54 për dhënien me qira, me enfiteozë dhe privatizimin po themi të ndërmarrjeve publike, VKM e miratuar në vitin 2014.

Ajo VKM është amenduar 10 herë. Është ndryshuar 10 herë, ka pasur raste është ndryshuar dy herë brenda vitit. Analizojeni, shikojeni, ju ftoj ta investigoni, është amenduar dy herë në vitin 2016, dy herë në vitin 2018, së fundmi në dhjetor të 2024-ës. Pse janë bërë këto amendime? Janë bërë shpeshherë, dyshimet e mia janë këto por mbetet për t'u investiguar, janë bërë për t'u përshtatur investitorëve të huaj apo dhe vendas, që kishin investime dhe i duheshin që t'i legalizonin në një farë mënyre nëpërmjet ligjit.

E njëjta logjikë mund të jetë dhe me këtë ligj të ri. Pse?

Nëse synimi do të ishte ai që thuhet në media, që do lejohen të huajt të blejnë tokë bujqësore. Mjafton t'i bësh vetëm një ndryshim tek ligji aktual numër 8337 i vitit '98.

Neni 4 që e ndalon sot blerjen e tokës bujqësore nga të huajt dhe t'i ndryshohet, të hiqet fare si fjali. Dhe atëherë të gjithë të huajt kanë të drejtën si shtetasit shqiptarë të blejnë toka bujqësore dhe kaq. Nuk ka nevojë të bësh një ligj të ri. Kurse qeveria Rama është duke bërë një ligj krejt të ri që përfshihet aty, ku përfshihen aty dispozita të tëra. Janë këto kritere që i sapo ju thatë. Duhet të ketë pesë vjet, duhet të jetë një investim në bujqësi, duhet të jetë me këto kritere, me këtë sipërfaqe.

Unë prandaj e bëra paralelizmin me VKM-në 54. Duket një ligj me porosi, i qepur me porosi si kostum për 1, 2, 3, 5 investitorë të caktuar të cilët po e kanë porositur në një farë mënyre këtë kuadër ligjor që t'i përshtatet dhe t'i shkojë si kostum fiks rastit të tyre konkret, hallit që mund të kenë ata, se mund t'i duhet atyre që të marrin një tokë bujqësore diku në Shqipëri. Po këtu problematika e tokave pastaj është shumë e madhe, se nuk është vetëm tokat bujqësore. Aty mund të përfshihen pastaj dhe toka që mund të jenë kullota, mund të jenë ranishte, mund të jenë toka të pashfrytëzueshme që janë në anë të bregdetit. Ju kujtohen ato tokat në bregdet nga jugu në veri që ndryshohet resursi."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco