Vijon për të 20-tën ditë radhazi protesta e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë mbledhur sërish në shesh për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit, një prej protestuesve mori fjalën para të pranishmëve, duke deklaruar se protesta nuk lidhet vetëm me çështjet mjedisore, por me një sërë problematikash sociale dhe ekonomike që, sipas tij, prekin qytetarët.
Ai tha se në protestë janë të pranishëm aktivistë të mjedisit, por edhe qytetarë të prekur nga çështje të tjera, duke përmendur qiramarrësit, studentët, mjekët, pacientët dhe punonjësit e policisë.
Duke folur për të rinjtë, protestuesi kritikoi gjendjen e tregut të punës dhe sistemin arsimor, ndërsa akuzoi qeverinë se ka krijuar një situatë të vështirë për studentët.
Ai u ndal edhe te çështjet shëndetësore, duke përmendur largimin e mjekëve jashtë vendit dhe vështirësitë e pacientëve për të përballuar kostot e trajtimeve.
Në fjalën e tij, ai kritikoi gjithashtu menaxhimin e emergjencave nga zjarret dhe politikat mjedisore, duke akuzuar qeverinë se nuk ka investuar mjaftueshëm në mbrojtjen nga zjarret.
Protestuesi kritikoi edhe çështjet ekonomike, duke përmendur çmimet dhe taksat, ndërsa tha se qytetarët do të vijojnë të qëndrojnë në protestë.
Protestuesi:
Zoti kryeministër, keni shpërndarë një foto si në formë shantazhi për disa nga zërat më të fortë të protestës këtu. Edhe vazhdoni të njëjtën retorikë, se si kjo është thjesht një protestë mjedisore dhe ne nuk e kuptojmë. Po, aktivistët mjedisorë me flamingon në duar janë këtu. Edhe ata shumë mirë mund t'ua shpjegojnë se si ju po e shkatërroni mjedisin. Ama këtu janë edhe qiraxhinjtë, që ju doni t'i ktheni në qiraxhinj të përjetshëm.
Me ato çmime apartamentesh që vetëm rrijnë lart, edhe jo dy turne po dhe tre turne të punojnë, prapë nuk ia dalin dot. Këtu janë edhe studentët që po përballen me një nga tregjet më agresive të punës, edhe me një nga sistemet arsimore më të prapambetura qëllimisht, nga ju normalisht. Këtu janë edhe fëmijët e vegjël që plani urbanistik i Tiranës i nisur nga ju vite më parë se të ishit kryeministër, e ka bërë Tiranën për ta një burg betoni. Këtu janë edhe mjekët, këtu janë dhe mjekët që ju i doni nëpër kurse gjermanishteje, që të ikin sa më parë.
Këtu janë edhe pacientët e tyre, që marrin lekë borxh për t'u kuruar nëpër spitale. Madje madje, dashje pa dashje, këtu në këmbë, fizikisht përballë, po me zemër bashkë, është edhe policia, që i keni vjedhur deri në tenderat e rrobave, e këpucëve që veshin. Pra siç e shikoni, jo vetëm mjedisi, të gjithë jemi këtu. Ama ju vazhdoni të njëjtën retorikë, sikur ju dini gjëra për mjedisin, që ne nuk i dimë akoma. Edhe ne jo specialistët, i dimë nja dy gjëra për mjedisin. Ndoshta jo të gjithë kemi parë flamingo, ama të gjithë çdo verë shikojmë se si Shqipëria mbytet nga zjarret në të katër anët.
Edhe se si kurrë nuk u dolën lekët për një avion zjarrfikës, edhe shtrini dorën e Europës, mbasi digjemi mirë e mirë, ju lutem. Edhe se si policia, ushtria, banorët luftojnë me degë pemësh për të fikur zjarret. Edhe flisni pastaj, si ekspert ekonomik, për 4 miliardë dollarë. I pyesni se si vijnë 4 miliardë dollarë, unë kurrë s'i di. Se kemi 30 vjet që paguajmë naftën më të shtrenjtë në Europë, edhe ajo akcizë e ka kaluar 4 miliardë dollarëshin, as pemë, as avion zjarrfikës, asnjë lloj gjëje. Edhe ju prisni që vera të nxehet, që protesta të shuhet, që Shqipëria të digjet, që politikanët të krihen nëpër kafe, nëpër resorte, nëpër Europë. Po kurrë! Ne do jemi këtu. Edhe SPAK do jetë në zyrë derisa të arrestoheni që të gjithë. Ne edhe me dy punë, edhe asnjë shtëpi, edhe ju pa punë, nga qejfi juaj. Fëmijët tanë me zor nëpër kopshte, edhe studentët tanë me zor,me abone, edhe fëmijët tuaj me bursa shteti si në komunizëm njëlloj. Nuk ka shanse! Këtu do jemi përditë, sot më shumë, edhe nesër me diasporën më shumë akoma!
© SYRI.net