Klima politike në vend vazhdon të jetë e tensionuar, e shoqëruar me akuza nga kampi opozitar në drejtim të qeverisë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat nga Kuvendi, u shpreh se ky i fundit është si shndërruar në një institucion privat, ku të drejtat kushtetuese të opozitës po mohohen vazhdimisht.
Sipas Bardhit, mazhoranca po bllokon me çdo kusht diskutimet thelbësore, mes tyre dhe rezolutë e fundit e Parlamentit Europian, e cila i bën thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë mbi ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të garantojë transparencë për pronat publike dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve që protestojnë prej muajsh.
Gjithashtu Bardhi nuk kurseu akuzat për lidhje të niveleve të larta politike me krimin e organizuar ndërkombëtar, ku opozita referon se, bazuar në dokumentet e autoriteteve belge dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), politikanë shqiptarë kanë marrë pjesë në takime me grupe mafioze në Aruba.
Qëllimi i këtyre lidhjeve, sipas Bardhit, dyshohet të jetë kthimi i Shqipërisë në një parajsë të pastrimit të parave të drogës që ka mbushur Europën, duke u ngritur pyetja se kush janë saktësisht këta zyrtarë që po rrezikojnë interesin publik.
Dhe sipas rregullores së Kuvendit, kur deputetët kërkojnë prezencën e kryetarit apo një anëtari të Këshillit të Ministrave, ai është i detyruar të vijë në seancë. Dhe arsyeja e dytë për të cilën kërkuam të drejtën që na e jep rregullorja e Kuvendit për të folur për procedurë, ishte propozimi që unë do të bëja në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, për të shtuar në rendin e ditës diskutimet mbi raportin e votuar dje me një shumicë dërrmuese nga Parlamenti Europian, ku kërkesat e qytetarëve, që kanë qenë prej vitesh në fakt kërkesat e opozitës, gjejnë një pasqyrim të drejtpërdrejtë. Prej ditësh tashmë, katër projektligje që përbëjnë edhe katër kërkesa të protestuesve, qëndrojnë në sirtarin e kryetarit të Kuvendit. Ndërkohë që Kuvendi nuk do të duhet të kishte asnjë temë tjetër diskutimi përveçse t'u adresohej shqetësimeve të qytetarëve.
Dhe të mbyllësh Kuvendin vetëm që të mos kenë mundësi deputetët e opozitës për t'i dhënë zë zërit të qytetarëve, që është dëgjuar nga çdo parlament i vendeve të BE-së dhe nga çdo europarlamentar në Parlamentin Europian, kjo mund të ndodhë vetëm nga një kukull siç është Niko Peleshi, i Taulant Ballës. Sot seanca drejtohej me SMS të Taulant Ballës, i cili e merrte fjalën sa herë ta kërkonte, ndërkohë që kryetarit të grupit parlamentar të opozitës kjo e drejtë iu mohua në mënyrë konstante. Është e paprecedentë që këtu përpara jush, një gënjeshtar tashmë i faktuar si Taulant Balla, dhe e kuptoj që ka një hall të madh sepse ka gënjyer Edi Ramën... prandaj dhe Edi Rama bëri gafën që shiti tjetër gjë është miratuar nga Parlamenti Europian, tjetër gjë tentoi të shiste në opinionin publik. Dje Parlamenti Europian i ka bërë thirrje Edi Ramës dhe mazhorancës socialiste të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. I ka bërë thirrje të dëgjojë zërin e qytetarëve që protestojnë prej 90 ditësh në mënyrë paqësore në ushtrim të së drejtës së tyre kushtetuese.
I ka bërë thirrje për transparencë, ne sot nuk dimë se kush fshihet pas projekteve ku zaptohen prona publike, apo grabiten prona publike apo prona të qytetarëve të tjerë përmes falsifikimeve. Sot Edi Rama duhet të ishte në seancë plenare edhe për ato dy interpelanca që Niko Peleshi i ka refuzuar grupit parlamentar. E kemi thirrur në interpelancë për të dhënë shpjegime se kush janë autoritetet politike që kanë marrë pjesë në takimin e mafiozëve në Aruba, dhe është refuzuar kërkesa. Tani nuk e thotë më opozita, e thonë dokumentet e Prokurorisë së Posaçme që autoritetet belge në përgjimet e tyre kanë sqaruar që përveç grupeve kriminale në Aruba, kanë qenë edhe përfaqësues, kështu e thotë Prokuroria e Posaçme, të autoriteteve politike shqiptare.
Pra kanë qenë politikanë shqiptarë. Dhe shqiptarët duhet ta mësojnë se kush janë politikanët shqiptarë që po hedhin në erë interesin publik dhe interesin e Shqipërisë, vetëm me një qëllim, që Shqipëria të jetë i vetmi vend në Europë ku pastrimi i parave ligjërohet me firmë të Edi Ramës. Prandaj dhe prokuroria nuk do të duhet të bëjë lojëra në këtë çështje, por do të duhet t'i shkojë deri në fund, të ketë një përgjegjës mbi arsyet dhe motivet se si grupet kriminale kanë gjetur terren në Shqipëri për të pastruar paratë e drogës me të cilat kanë mbushur gjithë Europën. Prandaj dhe Edi Rama fshihet. Prandaj dhe Edi Rama nuk vjen në Kuvend. Prandaj dhe Niko Peleshi s'di as çfarë bën, as çfarë lexon, as çfarë thotë. Sepse hallin e kanë me atë që kanë bërë në këto 14 vite, dhe hallin e kanë me qytetarët që më në fund kanë vendosur të ngrihen përtej çdo partie politike me një bindje të vetme, Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve.
Shikoni se si veprojnë. Deklaruan që votohet për pesë minuta, nuk i erdhi Belinda se Belinda ka hallet e veta. Negociuan prej dy orësh ta sillnin Belindën me halle nëpër këmbë në seancë që Belinda, që akuzohet për korrupsion, të votojë amnistinë për të tjerë të dënuar... me shpresën që kështu do t'i ndodhë edhe asaj pas disa viteve burg. Nuk iu përgjigj kërkesës, tani po përpiqen të peshkojnë një tjetër deputet dhe e kanë shtyrë votimin me karton... ngritën të gjithë kartonin për ta shtyrë votimin në gjashtë e 30 minuta sepse nuk kishin votat e nevojshme për të kaluar ligjet me shumicë të cilësuar. Kjo tregon që Kuvendi është kthyer në një institucion privat ku opozitës i mohohen të drejtat kushtetuese, ndërkohë që mazhoranca sillet sikur ta ketë pronën e vet, Kuvendin e Shqipërisë, dhe në fakt në këto 14 vite ka treguar që me sjelljen e saj, që sillet sikur e ka pronën e vet gjithë Shqipërinë.
© SYRI.net