Kuvendi u përfshi nga debate të forta, pasi mazhoranca refuzoi kërkesën e opozitës për ndryshimin e rendit të ditës, për të diskutuar në parlament kërkesat e qytetarëve që prej ditësh po protestojnë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se Kuvendi duhet të ketë në agjendë vetëm protestat e qytetarëve kundër diktaturës autoritare të Ramës, ndërsa seanca u ndërpre disa herë pas tensioneve të shumta mes deputetëve demokratë dhe atyre socialistë, që refuzuan diskutimet për këtë çështje.
Syri TV
Protestat e qytetarëve u kthyen në kryefjalë të zhvillimeve në Parlament, pasi që në nisje deputetët e Partisë Demokratike kërkuan ndryshimin e rendit të ditës dhe përfshirjen në diskutime të kërkesave të protestuesve, që prej ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion dhe shitje të vendit për interesa personale. Mazhoranca refuzoi me forcën e kartonit ndryshimin e rendit të ditës, çfarë solli tensione në sallën e Kuvendit.
Nga foltorja e Kuvendit, lideri i opozitës, Sali Berisha, kërkoi që Kuvendi të përfshijë në agjendë kërkesat e shqiptarëve që po protestojnë prej 18 ditësh.
Berisha u shpreh se protesta e tyre është një revoltë për të rikthyer rendin kushtetues dhe për t’i dhënë fund autokracisë që ka instaluar Edi Rama.
Kreu i demokratëve u ndal edhe te pastrimi i parave të drogës në kullat e Tiranës, me ndërmjetësimin dhe firmat e qeverisë, duke sjellë në vëmendje takimin në Aruba dhe zyrtarët shqiptarë të përfshirë, që mbahen sekret nga SPAK.
Madje, kryetari i Partisë Demokratike denoncoi edhe udhëtimet e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën akuzë dhe hetim nga SPAK, duke ngritur pikëpyetje.
Megjithëse socialistët u munduan të sfumojnë protestën e qytetarëve, duke kërkuar të vijojnë me rendin e ditës, seanca u ndërpre disa herë pas këmbënguljes së opozitës se kërkesat e qytetarëve në shesh duhet të jenë e vetmja çështje e Parlamentit.
© SYRI.net