Nga Genc Burimi
Nuk është e nevojshme të kesh bërë Institutin e Arteve si piktori, as shkollën e mesme, bile as shkollën fillore, kur sheh ata fëmijë që marrin mikrofonin, për të kuptuar se flamingot qenë shkëndija fillestare, por sot protesta ka vetëm një kauzë: largimin e Edi Ramës. I fortë ky sesi e kuptoi këtë të vërtetë kaq të thjeshtë në postimin e tij të fundit. Më mirë vonë se kurrë, Kryeministër. “Problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë”, shkruan në formë monologu Edi Rama, duke bërë paragrafe me lajka të neveritshme për kauzat ambientaliste. “Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. I respektoj pa paragjykim shqetësimet e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi”, guxon pa pikën e turpit dhe të kujtesës të shkruajë ky që tallej me gjuhë e gjeste me flamingot e protestës kur kjo nisi në fillim të muajit.
Aq shumë i imitonte flamingot me përçmim, sa e zuri edhe tortikoli. I ndodhi Ramës ekzakt ky përkufizim mjekësor: “Torticollis është një gjendje që karakterizohet nga një deformim cervikal, ku koka pozicionohet në mënyrë anormale, e prirë në njërën anë në krahasim me vijën e mesme të trupit, shpesh me përkulje anësore dhe/ose rrotullim të qafës në drejtim të kundërt. Kjo mund të ketë origjinë kongjenitale, të jetë e fituar ose idiopatike.”
Dhe ja, sot Kryeministri tregon se vuan nga simptoma të reja amnezike. Edhe flamingot po shkrihen së qeshuri kur dëgjojnë këtë sharlatan t’u thotë se i do ata që ngrihen për flamingot. Por, për fat të keq, shton Rama, nuk janë flamingot që u interesojnë. Dhe këtu i themi bravo: më në fund e kape, ndonëse të dhemb zverku nga tortikolisi. Nëse e kuptove më në fund leksionin, ndonëse gati tre javë me vonesë, bëje realitet: ik vetë.
© SYRI.net