I ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto”, redaktori i Syri TV Elkier Bushkolaj ngriti shqetësimin për depërtimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe politikë, një fenomen që ka ndikuar në deformimin e institucioneve, fillimisht në nivel bashkish dhe më pas deri në Parlament
Ai kritikoi mënyrën e funksionimit të sistemit arsimor dhe shpërndarjes së fondeve publike, duke e krahasuar situatën e universiteteve në Tiranë dhe rrethe me standardet europiane, si dhe largimin e studentëve ekselentë drejt universiteteve më të mira të Europës.
Gazetari u ndal edhe tek raportet e Eurostat, ku evientohet se shqiptarët paguajnë çmime ushqimesh më të larta se mesatarja e BE-së, ndërsa kanë paga shumë më të ulëta, çka tregon një “rrënim ekonomik në të gjitha dimensionet”.
Për Bushkolaj protestat e këtyre ditëve për dorëheqjen e kryeministrit Rama janë një zhvillim i rëndësishëm.
Pjese nga intervista me Gazetarin Elkier Bushkolaj
Shqipëria për hir të së vërtetës prodhon shumë, nxjerr zakonisht shumë në raport me atë se çfarë mund të konsumojë një popull si ky i yni, dhe kjo edhe falë liderit global, por që të jemi konkretë situata është dramatike. Unë nuk hyj tek ata ambientalistët për hir të së vërtetës, as tek ata dashamirësit e flamingove dhe nuk i kuptoj dhe nuk flas dot shumë kur fillojnë flitet kjo Vjosa, jo Narta, jo kjo, nuk jam njohës shumë i mirë. Por kur vjen puna tek çështjet konkrete që prekin ne dhe familjet tona dhe gjithë shoqërinë shqiptare, sikurse është krimi i organizuar, depërtimi i tij në ekonomi dhe në politikë, patjetër që është një raport dramatik edhe është shqetësues. Tani kur flasim për zyrtarë të caktuar të Bashkimit Europian ne duhet të sjellim ndërmend që Bashkimi Europian ka pasur dhe zyrtarë që janë korruptuar nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik që kanë prodhuar edhe skandale, pastaj ne e kemi edhe rastin Mogherini, apo të shkollës së studentëve europianë, që këtu për 24 studentë merren miliona euro, ndërkohë që për universitetet publike të Tiranës fondet janë qesharake. Të mos flasim këtu për universitetet e rretheve që për fat të keq sa i përket numrit të studentëve dhe cilësisë janë kthyer në ato kioska, ku mjafton të përmendim që në Elbasan na dilte në dosje që me një thes patate merrnin një notë kaluese, dhe është dramatike për atë që po flasim. Ndërkohë që të rinjtë tanë, ne i kemi studentë ekselentë në universitetet e Europës, pra çdo vit nga shkollat tona të mesme dalin studentë që ikin në universitetet më të mira të Europës dhe janë të suksesshëm. Pra tregon që problemi është tek sistemi këtu dhe sistemin e kanë në dorë njerëzit. Por ato shqetësime që janë për krimin e organizuar, për hir të së vërtetës janë shqetësime që ne i kemi artikuluar të paktën në këtë studio, të paktën në 5 vitet e fundit. Pra të njëjtat shqetësime që ne i themi çdo ditë. Infiltrimi i krimit të organizuar në politikë ka sjellë deformimin fillimisht të këshillave bashkiakë, pastaj ka sjellë deformimin pastaj të disa bashkive në zona të ndryshme të vendit, kam parasysh Krujën, ndoshta Lezhën, ndoshta Malësinë e Madhe apo disa bashki periferike. Ndërkohë që ne tani kemi kaluar në stadin kur jemi në parlament. Dhe deputetët më të votuar në parlament, nëse dikur ishin figura kyçe të cilët kishin një background, kishin një profil politik të mirëfilltë, apo kishin një karrierë të cilët spikasnin, sot ne kemi disa njerëz anonimë që janë në dy kampe. Një që vijnë nga administrata, me një numër rekord votash kryesisht është ai tipi i parë i dallueshëm i qarkut të Fierit, pastaj tjetër kemi prurjen nga Durrësi dhe nga Elbasani, dy qytete që për hir të së vërtetës prevalojnë në SPAK e CC sa i përket zhvillimeve dinamike të krimit që i kemi aty në parlament. Edhe përtej kësaj, i kemi edhe si figura që promovohen, dhe de fakto janë kthyer në imazhin e Partisë Socialiste, dhe pastaj vijnë në ato rrethanat kur një deputete që vendoset që distancohet nga ky model, në vend që t'i kërkojë llogari partia, partia thjesht e linçon, por llogarinë reale ia kërkon krimi i organizuar. Tani pse ia kërkon krimi? Ne kemi qenë vetë kur në 2023-shin kemi parë se si nga forca kryesore e opozitës, Partia Demokratike, janë denoncuar eksponentë, pjesë e një grupi kriminal të përfshirë direkt në zgjedhje. Kemi lexuar edhe dosje që shohim se si ish-deputetë të Partisë Socialiste janë trajtuar si bedel që i jepeshin urdhra, shko në takimet e beqve, thuaj këtë, bëj këtë... pa dashur të kaloj pastaj në ato termat fyese dhe denigruese që nuk janë etike që ne t'i përmendim. Por këto janë treguesit e këtij modeli dhe kush e solli këtë model? A mban kush përgjegjësi për këtë model? A është ky model që sot i ka nxjerrë ata shqiptarë në rrugë? A është ky model që ka sjellë rrënimin ekonomik, që edhe sot raporti i Eurostat të thotë që shqiptarët çmimet e ushqimeve i blejnë më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian, ndërkohë që pagat i kanë sa gjysma e mesatares së Bashkimit Europian? Pra, është një rrënim ekonomik në të gjitha dimensionet. Tani jemi në kushtet kur ka një reagim qytetar për fat të mirë. Ka një reagim që vijon prej ditësh, nuk e kishim hasur, është një reagim që meriton të vlerësohet, gjithashtu meritojnë të vlerësohen edhe ata njerëz që përgjatë këtyre 13 viteve kanë vendosur që t'i qëndrojnë përballë kësaj opozite se në fund të ditës mund të shkojë në pjesën dërrmuese të protestave dhe nuk është se kemi një artikulim të ri në raport me artikulime që janë bërë ndër vite.
© SYRI.net