Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, akuzoi mazhorancën për situatën politike dhe ekonomike në vend, duke deklaruar se protestat e qytetarëve lidhen me problematika konkrete sociale .
Balliu falënderoi ironikisht kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke pretenduar se ai kishte pranuar rolin e tij në nisma që, sipas deputetit demokrat, kanë pasur si qëllim goditjen e kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Deputeti demokrat tha se qytetarët nuk kanë dalë në protestë për debatet e brendshme politike, por për çështje që prekin jetën e tyre të përditshme.
Një pjesë të fjalimit Balliu ia kushtoi sektorit të ndërtimit dhe kullave në Tiranë, duke akuzuar qeverinë për përqendrimin e vendimmarrjes te kryeministri. Ai tha se opozita ka kërkuar interpelancë me kryeministrin për këtë çështje, por sipas tij kërkesa është refuzuar.
Ai hodhi poshtë gjithashtu akuzat se protestat kanë motive kundër faktorëve ndërkombëtarë, duke deklaruar se ato janë protesta kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Në fund të fjalës së tij, Balliu iu referua edhe problemeve sociale, duke përmendur çështje si shëndetësia, kriminaliteti, pagat, pensionet dhe kostot e jetesës.
Balliu:
Unë dua ta falenderoj më në fund që e nxorri kokën arkitekti i opozitës së opozitës, që e bëri të shpallë dhe e pranoi vetë kryetarin e grupit të Partisë Socialiste që dërgon disa mjeranë atje thotë, 'unë e kam bërë' thotë, vetë kryetari i grupit. 'Unë i kam' thotë, 'unë e kam nisur këtë procedurë' thotë.
'Unë e kam kërkuar' thotë, 'për Sali Berishën burgun' thotë. E tha, e pranoi vetë. Ne kemi vite që e dimë po sot të paktën e dimë shumë mirë kush i ka fut këto pseudo-opozitat që i kanë shpikur vetë këtu brenda, kush i mbështet dhe për çfarë i mbështet. Që sot ne të flasim për këtë, dhe mos flasim për faktin që qytetarët atje nuk janë ngritur në protestë për të parë riorganizimin e opozitës apo të Partisë Demokratike, po janë ngritur në protestë se sot të rinjtë dhe të rejat nuk blejnë dot një apartament në Shqipëri. Ka një problem të madh. Kush i ka firmos kullat?
Ky grup parlamentar ka bërë një ligj dhe e ka sjellë në këtë parlament, që kullat, të drejtën e firmës duhet ta ketë vetëm një njeri, që është Kryeministri. Dhe kjo opozitë ka kërkuar interpelancë, ka kërkuar interpelancë me Kryeministrin për këtë çështje dhe i është mohuar dhe më pas jemi akuzuar se ne po bëjmë pis sektorin e ndërtimit. Ne po e bëjmë pis sektorin e ndërtimit që denoncojmë krimin e organizuar dhe pastrimin e parave të drogës atje.
Nuk kanë dalë qytetarët atje për ato tekste që ju i bëni gati analistëve të pavarur që i punësoni vetë për t'i thënë se janë kundër Amerikës, se janë protesta kundër Presidentit Trump.
Janë protesta kundër Edi Ramës. Kryetar, Ruzvelti thotë, nuk mjafton ta dish se çfarë është gjëja e duhur për t'u bërë, në qoftë se ti nuk merr përsipër ta bësh gjënë e duhur. Se rrini nëpër kafe dhe thoni që ky duhet të tërhiqet, rrini nëpër kafe dhe thoni që po, kanë të drejtë protestuesit. Dhe kur vjen këtu pastaj, lexoni tekstet që ju kanë bërë gati aty. Po në cilën pikë janë gabim protestuesit? Që nuk kemi shëndetësi? Në cilën pikë janë gabim protestuesit?
Që krimi ka marrë dhenë? Në cilën pikë janë gabim protestuesit? Që nuk blejnë dot një shtëpi? Në cilën pikë kanë gabim protestuesit? Që është 100 mijë lekë kempi, që është 36 mijë lekë ndihma ekonomike, që qiraja mesatare në Shqipëri është 700 mijë lekë dhe rroga mesatare është 700 mijë lekë. Ku janë gabim protestuesit? Ka vetëm një akt që duhet të ndërmarri ky parlament për të pastruar ju veten nga të gjithë krimet që i keni bërë, dhe është dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje të gjithë një nga një. Faleminderit.
© SYRI.net