Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, paralajmëroi mazhorancën se arroganca e pushtetit dhe sjellja e kryeministrit Edi Rama po çojnë Shqipërinë drejt destabilizimit.
Alizoti e krahasoi Ramën me një “klloun” dhe një “të çmendur”, duke theksuar se mënyra si po menaxhohet pushteti mund të hapë rrugë për veprime të bandave, që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Sipas Alizotit, protestat e qytetarëve nuk janë vetëm shprehje e pakënaqësisë, por një reagim i natyrshëm i të rinjve dhe qytetarëve të lodhur nga korrupsioni, mungesa e mundësive për punësim dhe padrejtësitë e përditshme. Ai paralajmëroi se arroganca e mazhorancës, e kombinuar me mosveprimin ndaj bandave, mund ta çojë vendin drejt kaosit dhe dhunës, duke cenuar sigurinë dhe jetën normale të qytetarëve.
Protestat e energjisë së lartë, tha ai, janë shprehja e një zemërimi social që nuk mund të injorohet, ndërsa një i çmendur në krye të shtetit mund ta çmendë gjithë vendin.
Pjesë nga deklarata:
Protestën e kanë bërë vetë njerëzit. Dhe mirënjohja e njerëzve të lirë që po protestojnë për padrejtësitë që ju ndodhin atyre, për jetën e vështirë që kanë, po e bëjnë vetë ata. Dhe mirënjohja ju shkon atyre.
Sot siç ju dëgjova, sepse në kohë krize të gjithë përpiqen të marrin protagonizëm. Protesta e sotme e këtyre ditëve ka një gjë, është protestë reale. Është protestë natyrale. Është zemërim shoqëror nga një padrejtësi e madhe që ka zënë vend në këtë vend. Është protesta e të rinjve që nuk kanë shans, nuk gjejnë dot një punë pa njohur dikë, pa qenë pjesë në politikë.
Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe kjo është Shqipëria reale. Por arroganca është pika ku çon çdo forcë politike, çdo pushtet, çdo perandori drejt shkatërrimit. Ruajuni dhe kini kujdes nga arroganca sepse arroganca ndodh kur ata autokratët, oligarkët, pushteti dhe mos e thoni këtë ne fitojmë shumë, ne fitojmë shumë. Nuk fiton asnjë. Ajo protestë mund ta çojë gjithë Shqipërinë në destabilizim.
Ajo është një protestë me shumë energji. Dhe ka energji natyrale, ka energjinë e të rinjve, ka energjinë e njerëzve pa shpresë, ka energjinë e njerëzve që u është bërë padrejtësi. Dhe padrejtësia ka hedhur perandori, jo partinë tuaj. Kështu që është mirë për Shqipërinë, lëreni arrogancën, reflektoni. Mos recitoni sepse kuvendi përfaqëson shqiptarët dhe jeni ndërtuar dy lloj realitetesh.
Por realiteti i madh është në rrugë. Demokracia vjen nga rruga. Partinë nënën e juaj e hoqi rruga, e hoqën njerëzit. Se nesër mund të mbyllen qepenat, nesër mund të ndalin punëtorët dhe mund të ndalin gjithë shqiptarët. Ku do shkoni ju? Si do e trajtoni ju Shqipërinë? Me bandën e Durrësit apo të Elbasanit? Prandaj reflektoni sepse është sinjal i keq për Shqipërinë. Është gjë e keqe për Shqipërinë. Dhe merrni ato të marrin lidheni, se i kanë nxjerrë ca parrulla, se është çmendur atje. Është bërë si klloun. Merrni lidheni sinqerisht.
Nuk ka kryeministër në botë që sillet ashtu. As në asnjë lloj diktature, të asnjë lloj formati. Ato protestuesit kanë bërë ca parrulla brilante rreth tij. Por fatkeqësisht ai është kryeministri i Shqipërisë dhe një i çmendur mund ta çmendi gjithë Shqipërinë. Shqipëria ka nevojë të bëhet një vend normal, sot ka ikur në çmendinë.
© SYRI.net