Nga heronjtë e Holokaustit te ‘Shqipëria e shqiptarëve’: Udhëkryqi i rrezikshëm i një aleati të NATO-s

Nga heronjtë e Holokaustit te ‘Shqipëria e shqiptarëve’: Udhëkryqi i rrezikshëm i një aleati të NATO-s

16:37, 05/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Christopher S. Hyland

Çdo komb përballet herë pas here me momente vendimtare, kur duhet të zgjedhë se çfarë dëshiron të jetë: një shoqëri e hapur ose e mbyllur, e sigurt në vetvete ose e udhëhequr nga frika. Shqipëria, një vend që e kam mbështetur për pjesën më të madhe të jetës sime, ndodhet pikërisht përballë një zgjedhjeje të tillë këtë javë.

Shkaku është bregdeti i Zvërnecit, ku një protestë kundër veprimeve të një kompanie private sigurie dhe kundër pyetjeve pa përgjigje mbi një lagunë të brishtë dhe pronësinë e tokave në jug, është shndërruar në diçka më të madhe: një garë për të përcaktuar se çfarë lloj vendi synon të jetë Shqipëria. Mes zërave legjitimë është shfaqur edhe një slogan,"Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve", i paraqitur si patriotizëm.

Pasi kam punuar për tri dekada me çështjet shqiptare dhe kosovare, si dhe për mirëkuptimin ndërfetar në të gjithë rajonin, do të guxoja të them me respekt se kjo shprehje nuk i përket asnjë tradite shqiptare që ia vlen të ruhet.

Origjina e saj është, në fakt, e huaj dhe e njohur. Është i njëjti model që e djathta europiane e ka ripërdorur për një shekull, duke ndryshuar vetëm emrin që vendoset në boshllëk: Deutschland den Deutschen në Gjermaninë e viteve 1930; La France auxFrançais në retorikën e Frontit Kombëtar; Italia agli italiani; dhe, menjëherë përtej kufirit jugor të Shqipërisë, "Greqia për grekët", motoja e Agimit të Artë.

Secila paraqitet si përkushtim ndaj atdheut. Por, kur analizohet më nga afër, secila është një pretendim për të përcaktuar se kush duhet të përjashtohet prej tij. Pjesa e dytë e sloganit,"jo e tradhtarëve", vjen më afër shtëpisë, nga motoja e kohës së luftës e Ballit Kombëtar. Dhe një komb ka të drejtë të jetë i kujdesshëm kur sloganet e tij trashëgohen nga kapitulli më shkatërrues i shekullit XX. Në fund të fundit, këto janë ndër patologjitë që lulëzojnë sa herë identiteti reduktohet në ideologji.

Shqipëria, më shumë se shumë kombe të tjera, ka arsye ta dijë se ku të çon ky përkufizim i mbyllur, sepse e ka përjetuar tashmë. Nga viti 1944 deri në vitin 1990, "Shqipëria për shqiptarët" nuk ishte slogan, por sistem, kufij të mbyllur, vetëmjaftueshmëri e detyruar dhe bindja se një popull është më i sigurt kur qëndron i vetëm. Në fund, ky sistem prodhoi vetëm varfëri dhe largim.

Kur sistemi u rrëzua, rreth një e treta e popullsisë emigroi brenda një dekade të vetme, aq sa sot jetojnë më shumë shqiptarë jashtë kufijve të vendit sesa brenda tyre. Kjo diasporë, në Athinë dhe Selanik, në Romë, Milano, Mynih, Gjenevë, Londër dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara, nuk është një fatkeqësi për t'u vajtuar, por një nga shtyllat më të qëndrueshme të ekonomisë kombëtare. Ajo vazhdon të ekzistojë pikërisht sepse shoqëri të tjera i pritën shqiptarët si pakica të mirëpritura.

Një qytetar që brohoret për përjashtimin në Tiranë duhet të mendojë me sinqeritet se çfarë do të nënkuptonte i njëjti parim për kushëririn e tij në Athinë. Të parët që vuajnë nga ideja e "një kombi vetëm për të vetët" rrallëherë janë të huajt brenda vendit; zakonisht janë vetë qytetarët e atij vendi që jetojnë gjetkë.

Ekziston një trashëgimi më e mirë dhe ajo është e kundërta e gjakut apo përkatësisë etnike. Është Besa, fjala shqiptare e nderit, detyrimi që e lidh mikpritësin të mbrojë këdo që ka hyrë në shtëpinë e tij. Dëshmia më e ndritur e saj është një fakt historik, jo një legjendë.

Kur Lufta e Dytë Botërore i dërgoi hebrenjtë e Europës drejt kampeve të përqendrimit, Shqipëria u bë një nga vendet e rralla të pushtuara që e mbylli luftën me më shumë hebrenj brenda kufijve të saj sesa kishte në fillim. Në Krujë, një 17-vjeçar i quajtur RefikVeseli i bindi prindërit e tij, Veselin dhe Fatimen, të fshihnin familjen e fotografit Moshe Mandil. Emri i tij sot figuron mes "Të Drejtëve midis Kombeve" në Yad Vashem dhe ai ishte vetëm njëri prej shumë të tillëve.

Ky është shpirti i një vendi ku, për shekuj me radhë, myslimanët dhe të krishterët kanë jetuar si fqinjë dhe ku mikpritja është konsideruar jo si dobësi e besimit, por si shprehja e tij më e plotë, një bindje e rrënjosur në dinjitetin shpirtëror të çdo njeriu. (Duhet thënë qartë dhe më pas lënë mënjanë se imazhet antisemitike që kanë qarkulluar së fundmi në internet lidhur me projektin e Zvërnecit, ku bregdeti jugor paraqitet në mënyrë karikaturiale i mbuluar me flamurin izraelit vetëm sepse një nga investitorët amerikanë është hebre, janë një fyerje e vogël ndaj kësaj historie dhe nuk meritojnë më shumë vëmendje sesa aq sa kërkon përmendja e tyre.) Kjo trashëgimi, dhe jo llogaritjet etnike, është ajo që ia vlen të mbrohet.

Kur bëhet fjalë për faktet, nevojitet saktësi, sepse saktësia është viktima e parë sa herë që një slogan merr kontrollin. Me 30 maj, roje private të maskuara tërhoqën zvarrë dhe rrahën një protestues në zonën e rrethuar pranë lagunës së Nartës dhe shqiptarët kishin plotësisht të drejtë të tronditeshin nga kjo ngjarje. Por ajo që ndodhi më pas meriton edhe më shumë vëmendje. Brenda një dite të vetme, Policia e Shtetit korrigjoi versionin e saj fillestar të ngjarjes, drejtori rajonal i policisë në Vlorë u shkarkua, një roje sigurie u arrestua dhe kompania zhvilluese e projektit kërkoi falje publikisht dhe ndërpreu kontratën me kompaninë e sigurisë. Në ditët që pasuan, licencat e dy kompanive private të sigurisë u revokuan, u hapën procedime penale dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit nisi të shqyrtojë mënyrën se si u ndryshua statusi i mbrojtur i peizazhit Vjosë–Nartë.

I parë pa shtrembërime, vetë investimi nuk është një fatkeqësi, por një mundësi, dhe ai i përgjigjet nevojës më të madhe të Shqipërisë. Plaga më e thellë e vendit nuk ka qenë kurrë kapitali i huaj. Ka qenë emigracioni, largimi i vazhdueshëm i të rinjve të saj. Një komb i mban bijtë dhe bijat e veta jo duke mbyllur kufijtë, por duke krijuar brenda vendit punët dhe të ardhmen për të cilat ata sot kalojnë detin.

Një investim i madh turistik në Rivierë, i financuar nga partnerë amerikanë dhe kapital nga vendet arabe të Gjirit, me investitorë nga Katari mes mbështetësve kryesorë, premton ndërtime, vende pune, infrastrukturë dhe një vend të merituar për Shqipërinë në ekonominë e ligjshme globale. Mbeten ende pyetje të sinqerta dhe ato duhet të marrin përgjigje hapur: ndikimi mbi ekologjinë e një vije bregdetare delikate, transparenca e mënyrës se si është transferuar pronësia e tokës dhe të drejtat pronësore të familjeve në jug. Këto janë çështje që duhet të zgjidhen sipas ligjit, nga një shtet i sigurt në vetvete dhe kushtetues, jo raste për teori konspirative dhe as pretekste për të përdorur gjuhën e importuar të përjashtimit.

Ajo që po shfaqet në këtë cep të Ballkanit, për ata që duan ta shohin, është diçka më shpresëdhënëse sesa një konflikt për një vijë bregdetare. Është mundësia e një Shqipërie që përfundon rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, që zë vendin e saj, së bashku me Kosovën dhe fqinjët e saj, në një Bashkësi Ballkanike të ndërtuar mbi demokracinë kushtetuese, pluralizmin fetar dhe pajtimin, dhe që i ofron botës një shoqëri me shumicë myslimane që ndihet po aq rehat me miqtë e saj hebrenj sa edhe me fqinjët e saj të krishterë, një qasje që plotëson dhe madje zgjeron frymën e Marrëveshjeve të Abrahamit. Një Shqipëri e tillë nuk ka nevojë për slogane të huazuara, sepse tashmë ka një fjalë më të mirë të vetën.

Le t'i mbajnë gjykatat përgjegjës fajtorët. Le të hetojnë prokurorët çdo çështje mjedisore dhe ligjore deri në fund, kudo që të çojnë faktet. Le të përmbushë zhvilluesi i projektit standardet më të larta të transparencës dhe kujdesit. Dhe le të ngrihet vetë sistemi i drejtësisë, me vendosmëri të matur dhe me besnikëri të palëkundur ndaj procesit të rregullt ligjor, në lartësinë e plotë të rëndësisë së këtij momenti. Asgjë nga këto nuk kërkon një kokë turku dhe asgjë nuk kërkon frikë.

Shqipëria që kam pasur nderin të mbështes është Shqipëria e Besës dhe e qartësisë morale, vendi që strehoi të huajin kur një pjesë e madhe e Europës e braktisi dhe destinacioni i së cilës nuk ndodhet pas kufijve të mbyllur, por në pragun e hapur të Europës. Ajo e ka mbajtur fjalën më parë. Mund ta mbajë edhe tani. / Washington Examiner – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco