Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të SPAK, ka ngritur akuza të forta për krimin elektoral në zgjedhjet vendore të Kuçovës në vitin 2023, duke theksuar se hetimet po zvarriten dhe po tentohen të mbyllen pa u zbardhur plotësisht.
Maliqi tha se disponon prova për manipulim të procesit zgjedhor, përfshirë ndërrim kutish votimi, përdorim të administratës dhe shpërndarje ndihmash gjatë fushatës, ndërsa akuzoi SPAK dhe BKH për mungesë veprimesh ndaj personave që, sipas tij, janë të përfshirë në këto skema.
Ai denoncoi gjithashtu, standarde të dyfishta në hetim dhe ndikim politik në procesin e drejtësisë, duke paralajmëruar se do të vijojë betejën ligjore për zbardhjen e plotë të çështjes.
Deklarata:
Unë kam bërë 11 kallëzime në SPAK. Për një kallëzim është i dënuar i famshmi Hajdari me vendim të formës së prerë prej 9 muaj burg dhe 150 orë punë. Sot jam thirrur në Gjykatën e Posaçme, pasi prokuroria kërkon të mbyllë hetimet për krimin elektoral në Kuçovë. Sot prokurorja Dorina Bejko mungonte në seancë, u shty për datën 11.
Ndërkohë që unë jam shumë i përgatitur, për shkak se krimi elektoral në Kuçovë, me fjalë është i dukshëm, jo vetëm nga KZAZ-ja e krimit, ku me vendim të KQZ-së u prish ai vend krimi dhe po ndërtohet një KZAZ tjetër në dhomën e fshehtë ku ndërruan kutitë, jo vetëm Orqan Bistri, ish-komisar policie, të cilëve nuk u është marrë fare celulari nga SPAK-u.
SPAK-u, pas kallëzimit që ka bërë Albana Vokshi për krimin elektoral në Kuçovë, mori në hetim në mëngjes, në mes të natës, njerëzit e mi, të shtabit tim elektoral, u bllokoi celularët, i mori nëpër shtëpi, nuk gjetën asgjë, ndërkohë që nga pala tjetër nuk kanë bërë asgjë.
Krimet janë të faktuara, i kemi kapur me presh në dorë duke ndarë ndihma, të fotografuar në kohën e fushatës elektorale. Janë bllokuar të gjitha mjetet e Salillarit, çakulli elektoral, nga banorët, të dhëna filmike në kohë fushate elektorale. 2 km asfalt mbi asfalt në fushatë elektorale. Ditën e heshtjes elektorale janë përballur me punonjës të bashkisë dhe me oligarkë që kanë dhënë të gjitha mediat.
Përsëri nuk kanë bërë asnjë hetim SPAK-u, por është për të qeshur sepse leku e hedh ujin përpjetë, oligarkia bën namin. Këtu janë dhe shtatë kallëzime të tjera. Për katër çështje më tha Dumani se janë në hetim. Ndërkohë i çova zotit Braho edhe shtatë kallëzimet e tjera nga e para dhe jam i bindur që nuk ka SPAK mbi tokë dhe nën tokë që t’i mbyllë këto hetime.
Që nga Sineci, 4 milion e ca euro, me radhë. Por ju, të dashur shqiptarë, e dini çfarë ndodh me institucionet e shtetit shqiptar të kapura, si drejtësia dhe të tjera.
Nesër në orën 9:30 unë do të jem në KQZ. Gjykata e Lartë, kolegji i Gjykatës së Lartë vendosi të rikthejë çështjen për shkarkim zotit Celibashi, që do të thotë se e lanë me fjalë pezull. Vendimin e KAS-it e çuan në gjykatë administrative. Gjykata administrative nxori me fjalë justifikimin që është me leje lindje, mbas një viti e gjysmë jep vendimin.
Mbas gjykatës administrative vete në Gjykatën e Lartë dhe Gjykata e Lartë ia çon përsëri topin Celibashit për shkarkim. Ndërkohë që Hajdari i famshëm katër vjet abuzon, rri në karrige jashtë ligjit.
Ndërkohë që edhe kallëzimet e tjera janë, nuk ka besim këtu, këtu ka drejtësi me dy standarde. Ka të bëjë me krimin e rëndë shtetëror dhe elektoral në 2023-shin, në KZAZ-në 64 në bashkinë Kuçovë, në dhomën e fshehtë ku u ndërruan kutitë.
Unë u kam dhënë indicie për të gjithë, që nga Orqan Bistri, ish-komisari i policisë, Bexhani e të tjerë, që nga Çuçi i familjes, ndihmat që u ndanë, çakulli elektoral dhe asfalti elektoral. Të gjitha këto, ndërkohë që nuk kanë marrë asgjë në hetim.
Sepse me kallëzimin unë dyshoj, sipas të dhënave që ka Hajdari i famshëm atje, që ne do t’i mbyllim disa çështje sepse kemi mbështetje të rilindjes, të oligarkisë e me radhë. Janë interesa korruptive në atë bashki me një grant 7 miliardë e gjysmë në vit.
Këtu janë dhënë të gjitha provat. Unë jam thirrur nga disa oficerë të BKH-së për dy çështje dhe u kam thënë që ju nuk jetoni dot. Dhe nuk kanë thirrur fare dëshmitarët. I kam dhënë emrat e dëshmitarëve dhe asnjë prej tyre nuk është thirrur deri më sot nga BKH-ja dhe prokuroria e posaçme.
Që do të thotë i zvarrisin qëllimisht të mbarojë afati i hetimeve. Edhe sot unë këtë do kërkoja këtu, shtyrjen e hetimeve, sepse jam i bindur totalisht që nuk është bërë asnjë veprim.
Janë bërë veprime kot, kanë thirrur dy-tre punonjës të bashkisë vetëm për ndihmat. Kthimin e çështjes se s’mund të mbyllen këto kallëzime, sepse unë përpara se të jem politikan jam jurist, jam ish-drejtues policie dhe i di shumë mirë ligjet.
Kështu që, të dashur shqiptarë, kemi një drejtësi të kapur me dy standarde, me urdhër të Bablokut, disa arrestohen, disa të tjerë mbahen nën hetim apo në paraburgim politik siç ishte zoti Meta.
Ne do vazhdojmë betejën ligjore, unë nuk dorëzohem. Të gjithë miqtë e mi më kanë thënë tërhiqu, por unë nuk tërhiqem. Do ta çoj deri në fund betejën.
Betejën morale me qytetarët e Kuçovës e kam fituar. Tani do fitoj betejën ligjore derisa në 2027 atë bashki t’ia kthej qytetarëve të Kuçovës dhe këta të përgjigjen para drejtësisë dhe institucioneve të kapura.
© SYRI.net