Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Fitorja e protestës, turpi i intelektualëve

‘Integrimi në vendnumëro…’/ Zhulali: Paralajmërim i dyfishtë nga BE, rrezikohen fondet dhe anëtarësimi

16:53, 04/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Procesi i integrimit europian të Shqipërisë ndodhet në vendnumëro, pavarësisht retorikës optimiste të qeverisë.

Sipas ekspertes për marrëdhëniet me jashtë, Ilda Zhulali, vendi ka marrë një paralajmërim të dyfishtë nga Brukseli, i cili lidhet jo vetëm me ngecjen e procesit të anëtarësimit, por edhe me rrezikun real të bllokimit të fondeve europiane, duke i bërë thirrje ekzekutivit të ndryshojë urgjentisht kurs. Në një intervistë në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, duke komentuar qëndrimet e fundit të Ministrit të Jashtëm, Zhulali i cilësoi deklaratat e tij si kontradiktore dhe pjesë të një përpjekjeje propagandistike për të paraqitur një realitet pozitiv që nuk ekziston. Ajo theksoi se ndërsa qeveria pretendon se gjithçka po ecën normalisht dhe se vendet anëtare janë të kënaqura, faktet tregojnë një histori tjetër.

Ilda Zhulali: Po tani, po e di ministri që raporti i Komisionit Europian është pozitiv për Shqipërinë. Pra, ministri ose gënjen që nuk e di raportin, ose gënjen që e di raportin. Në të dyja rastet, sepse ai kundërshton veten në mënyrën se si komunikon, por e vërteta është që kjo është një përpjekje për të shumëfishuar propagandën, sikur çdo gjë po ecën normalisht, sikur Shqipëria nuk ka asnjë problem dhe vendet anëtare janë të kënaqura me nivelin ku ka arritur Shqipëria sot, dhe veçanërisht me sjelljen që kanë bërë ndaj zonjës Balluku apo me luftën e presupozuar ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tani sot, për shembull, aty ishin disa pyetje shumë të rëndësishme që ministri nuk e dha dot përgjigjen.

Si mund ta ketë raportuar qeveria shqiptare rastin e zonjës Balluku? Si rast të korrupsionit apo luftës kundër korrupsionit? Sepse vetë qeveria, në fakt, e ka mbrojtur korrupsionin e zonjës Balluku, por është SPAK-u që ka bërë përpjekjet për ta luftuar me kërkesën që asaj t'i hiqet imuniteti dhe ajo pastaj të kalojë në fazat e tjera, në Gjykatën e Posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Mirëpo, zoti Hoxha, jo vetëm që u përpoq që ta shmangte gjatë gjithë kohës çështjen e zonjës Balluku, apo çështjen e AKSH-it, apo dhe çështje të tjera të rëndësishme që janë të lidhura me këtë raport të rëndësishëm, dhe u përpoq që vetëm të zbukuronte me tone triumfaliste që Shqipëria është në momentin më të mirë, që Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm, gjë që nuk është e vërtetë dhe këtë e thonë faktet, jo thjesht opozita. Fakt është që ky grup pune që ndodhet në Bruksel, COELA quhet, mblidhet çdo javë. Bën tre herë në javë mbledhje të ndryshme dhe nëse do të kishte ndonjë tejkalim të rezervave që janë paraqitur aty të vendeve anëtare për Shqipërinë, raporti i bardhë do të ishte miratuar.

Në fakt, ato mbledhje vazhdojnë, por Shqipëria nuk është fare në rendin e ditës sepse, me sa duket, ato presin një reagim të qeverisë shqiptare, siç e kemi shpjeguar dhe herë të tjera. Jo vetëm kaq, por edhe presidenca qipriote, e cila do të duhet të parashikonte një mbledhje të Këshillit të Ministrave, ndoshta të ministrave të jashtëm, për të miratuar këtë raport për Shqipërinë dhe për të zhvilluar konferencën e tetë ndërqeveritare, nuk e ka fare në axhendë këtë pikë. Prandaj të dyja këto janë shenja që qartësisht ky proces është vendnumëro, por siç e kam thënë dhe shumë herë të tjera, ky vendnumëro është një kohë që po i jepet Shqipërisë që të ndryshojë qeverisë shqiptare, që të ndryshojë kurs. Sepse nëse ky raport bllokohet më pas nga vendet anëtare me një qëndrim që do të jetë edhe më i ashpër dhe me kushte edhe më të ashpra, kjo pastaj do të ketë pasoja shumë më të mëdha për Shqipërinë.

Një paralajmërim ne e kemi marrë tashmë, në fakt e kanë marrë të gjitha vendet e rajonit në bllok, Serbia më shumë se të tjerat, për bllokimin e fondeve europiane për shkak se nuk janë zbatuar reformat që lidhen me planin ekonomik të rritjes, ku Bashkimi Europian po shpenzon shumë para që t'i ndihmojë ekonomitë e vendeve tona, por këto para do t'i disbursuajë vetëm nëse plotësohen reformat. Nga ky plan masash, për shembull, qeveria shqiptare të paktën 25 masa që duhet t'i kishte plotësuar në dhjetor të 2025-ës, nuk e ka realizuar ende dhe mbetet vetëm me gjysmën e masave të realizuara që përfshijnë kryesisht miratime aktesh ligjore ose nënligjore. Por në aspektin e zbatimit të tyre nuk ka asnjë përparim, por edhe për masa të tjera që do të duhej t'i kishte përgatitur duke përfshirë këtu dhe aspekte ligjore, nuk i ka bërë në kohë. Pra, ne jemi të paralajmëruar dyfish dhe në mënyrë që ky paralajmërim që ka vënë Bashkimi Europian të mos marrë vulën përfundimtare dhe të bllokojë fondet e BE-së, por edhe të na largojë edhe më shumë atë perspektivën e anëtarësimit, do të duhet që qeveria të ndryshojë kurs. Qartësisht, edhe nga ministri i Jashtëm sot, përsëri pamë që këtë ndryshim qeveria nuk pranon ta bëjë, vazhdon me këmbëngulje që t'i bëhet mburojë zonjës Balluku, vazhdon me këmbëngulje që t'i japi imunitet korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar në nivelet më të larta të qeverisjes, dhe kjo pastaj do të ketë një kosto të shtuar për ne.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco