VIDEO/ Balliu: Protesta vazhdim i aksionit opozitar, qytetarët nuk ndalen pavarësisht presionit

18:19, 17/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në prag të protestës së shtatë kombëtare të thirrur nga opozita, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi se kjo protestë është vijim i aksionit opozitar dhe synon të përcjellë mesazhe të forta mbi situatën në vend.

Në një prononcim për gazetaren e SYRI TV, Marsi Korreshi, Balliu theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve, pavarësisht presionit dhe arrestimeve, tregon sipas tij “rëndësinë dhe sinqeritetin” e këtij aksioni. Ai konfirmoi gjithashtu se protesta do të shoqërohet me fjalime në shesh.

Deputeti demokrat ngriti shqetësime për rritjen e çmimeve, veçanërisht të naftës, si dhe akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Sipas tij, këto çështje, së bashku me procesin e integrimit europian dhe raportin e IBAR-it, do të jenë në fokus të protestës.

Balliu u shpreh se opozita synon të rrisë presionin ndaj qeverisë, ndërsa shtoi se protestat e deritanishme kanë sjellë lëvizje brenda Partisë Socialiste.

Balliu: Protesta është në vijimësi të aksionit opozitar. Mendoj që është esenciale të kuptohet qëndresa e këtyre qytetarëve, të cilët pavarësisht dhunës të jashtëzakonshme të pushtetit të Edi Ramës, nëpërmjet policisë që i shërben krimit të organizuar dhe karteleve të drogës, pavarësisht dhunës, arrestimeve të këtij pushteti, ata vazhdojnë dhe kthehen, që vërteton rëndësinë, pastërtinë dhe sinqeritetin e këtij aksioni.

Gazetarja e SYRI TV: Do të rikthehen fjalimet?

Balliu: Po.

Gazetarja e SYRI TV: Do të ketë fjalime në shesh?

Balliu: Po, sepse besoj edhe ju bini dakord që në këtë muaj ka ndodhur një akt që nuk mendoj që është menduar ndonjëherë që Shqipëria do të kalonte çmimet europiane, të vendeve më të larta europiane. Nuk është menduar ndonjëherë që Shqipëria mund të ishte vendi që do të kishte, çmimin e 10 më të lartë të naftës në të gjithë botën. Dhe është esenciale që ky mesazh të përçohet, ëh, pavarësisht pa harruar dhe aferat korruptive që ishin pikënisja e këtij aksioni mbarëkombëtar, që janë aferat e Belinda Ballukut dhe afera e Akshit. Dhe gjithashtu, një tjetër proces i cili tanimë po afrohet, që është procesi i raportit të IBAR-it, për të cilin ne rrezikojmë të na shtohen kushtet, si rrjedhojë e korrupsionit të qeverisë. Këto janë të gjitha tema që kanë nevojë për një diskutim dhe qytetarët kanë nevojë t'i dëgjojnë. Mesazhi tanimë është tejet jetik dhe i rëndësishëm dhe prandaj, ëh, për shkak të këtyre ndryshimeve të këtyre muajve të fundit, është esenciale që të ketë një përçim të mesazhit.

Gazetarja e SYRI TV: Zoti Balliu, një tjetër kauzë, të paktën që opozita ka thënë se do të dalë sot në protestë, është ajo që lidhet me kartelet e drogës. A mendoni se do të ketë kjo impakt edhe në mediat e huaja ndërkombëtare?

Balliu: Në Shqipëri nuk do t'ia dijë njeri as për standard, as për vendin, as për qytetarët, por do t'ia dijë vetëm për pastrimin e parave të drogës, të karteleve, të cilët janë nyja lidhëse e qeverisë me proceset elektorale. Janë ata që garantojnë proceset elektorale sot në Shqipëri. Prandaj ata kanë fushë të lirë në pastrimin e parave të tuaja, tyre dhe në, ëh, dhe duhet thënë që sipas raporteve të antimafias italiane, të vetmet kartele në të gjithë botën që pastrojnë para në vendin e origjinës janë kartelet shqiptare. Pra, jam i bindur që edhe komuniteti ndërkombëtar ka një, ëh, vëmendje në këtë aspekt dhe mjafton t'i referohesh ambasadës amerikane, e cila ka bërë thirrje me dhjetëra herë në lidhje me kartelet e drogës në Shqipëri.

Gazetarja e SYRI TV: Por Balliu, në kushtet që deri më tani të paktën nuk ka asnjë refleksion, nëse mund ta quajmë kështu, nga qeveria, pra vijohet me programin e saj, kreu i qeverisë Edi Rama del dhe flet për një proces integrimi që nuk ka ngecur sipas tij, po po shkon përtej. A duhet opozita ta intensifikojë, ta radikalizojë aksionin e saj?

Balliu: Çfarëdo lloj gjëje të bëjë Edi Rama, Edi Rama nuk do arrijë dot të bllokojë procesin e integrimit. Problemi është shtimi i kushteve. Bllokimin e kërkon Edi Rama, ai nuk do të arrijë ta ndalojë. Nuk do ta bllokojë dot Shqipërinë drejt Europës, nuk do ta çojë dot Shqipërinë drejt Beogradit, siç donte të bënte me artikullin që bëri bashkë me Aleksandër Vuçiçin. Shtimi i kushteve do të ishte vdekjeprurës për të ardhmen tonë, sepse ngadalëson jashtëzakonisht shumë procesin. Kushtet shtohen pikërisht prej asaj që ju përmendët më parë, që është bashkëpunimi i qeverisë, i politikës me krimin e organizuar nëpërmjet karteleve të drogës, të cilave qeveria u lejon pastrimin e parave në fushën e ndërtimit dhe që i lë shqiptarët pa mundësi, në pamundësi totale për të blerë një shtëpi.

Sot duhet 90 vite për një çift të ri të blejë një shtëpi, pra është një absurditet. Në këtë kontekst, unë nuk pres që të ketë reflektim nga qeveria, sepse ai është i kapur mat në kuptimin e të gjitha provat e faktojnë që ky është nyja lidhëse. Ai nuk do pranojë të dorëzohet. Është presioni ynë si shoqëri që do të detyrojë dorëzimin e tij dhe largimin e tij.

Gazetarja e SYRI TV: Çfarë do të arrijë me këtë protestë opozita?

Balliu:Edhe duhet të themi që nuk është se kanë qenë pa rezultat. Ju shikoni që një pjesë e mirë në PS tani po ndahet nga Rilindja dhe kërkon të kthehet tek PS-ja. Ju shikoni ish-ministra, deputetë, të cilët sot thonë që ne nuk kemi lidhje me Rilindjen, përfshi dhe ata që kanë lindur gjatë Rilindjes në politikë, duan të largohen, sepse e ndjejnë që pushteti dhe Edi Rama po shkon drejt fundit dhe kërkojnë që mos të jenë aty kur gjithë ky pushtet të bie që mos t'i zërë poshtë. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco