Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, i ftuar në Edicionin ‘Ora 16’ në SYRI TV me moderator Edvin Parruca, ngriti shqetësimin për sigurinë e ndërtesave në kryeqytet pas zjarrit te pallati te ‘Farmacia 10’.
Alimehmeti u ndal te mungesa e një plani konkret për menaxhimin e rrezikut nga zjarret, duke kujtuar se kjo çështje është ngritur edhe më parë në Këshillin Bashkiak. Sipas tij, problematika nuk lidhet me një rast të izoluar, por me një fenomen të përsëritur në disa ndërtesa në Tiranë.
Ai theksoi se përdorimi i materialeve të padjegshme në fasada ka një kosto minimale, ndërsa rreziku që paraqesin materialet aktuale është i lartë. Në këtë kontekst, solli si shembull tragjedinë e kullës Grenfell në Londër, ku humbën jetën dhjetëra persona, duke nënvizuar se, ndonëse në rastet në Tiranë nuk ka pasur viktima, rreziku mbetet serioz.
Në lidhje me përgjegjësitë, ai vuri në dukje se, edhe pse kompanitë ndërtuese pretendojnë përdorimin e materialeve të certifikuara, çështja lidhet me institucionet shtetërore që i certifikojnë dhe japin lejet përkatëse.
‘Pak javë më parë, zonja Zhulali e ka pyetur drejtpërdrejt zonjën Ristani, ku jemi me planin e zjarreve? Pse? Se s'është i vetmi pallat, i pari pallat që digjet në Tiranë, në të njëjtën formë. Çfarë plani ke dhe çfarë investimi ka për zjarrfikëset?
E kishte shumë korrekte ajo pyetje. Po kujt ia bënte? Se këta nuk punojnë për atë punë. Tashti unë mendoj që menjëherë duhet bërë njëherë plan. Ore sa pallate ka me këtë lloj veshje?
Kostoja për të përdorur material të padjegshëm është qesharake. Ajo kostoja plus ndaj këtij materiali të caktuar. Për ta bërë të padjegshëm, po të padjegshëm që ti të rrish gjysëm ore me flakë oksidrike mos të digjet. Kjo do të thotë e padjegshme, praktikisht shumë rezistente ndaj zjarrit.
Është një kosto krejtësisht minimale dhe kujtoj që ai episodi tragjik i kullës Grenfell ka ndodhur 14 vjet më parë në Londër, ku vdiqën 80 veta. Këtu, fakt, fatmirësisht nuk patëm humbje jete, është kjo është për t'u, ëh, për të thënë faleminderit Zotit.
Po 14 vjet përpara dhe akoma s'ka zënë mend kjo tanë këtu. Dhe u dogj dhe një pallat tek rruga e Kavajës, besoj e mbani mend. Ndodhi vetëm pak vite më parë.
I njëjti fenomen. Në momentin që merr zjarr diku kjo lloj fasade, ajo përhapet në të gjithë fasadën. I njëjti fenomen me zjarrfikës të pambështetur siç duhet nga shteti me mjete. I njëjti fenomen që nuk hyjnë dot mjetet. Ju patë besoj zjarrfikësen nuk hynte dot. Pse? Sepse këto gjëra duhen menduar që në origjinë, planet duhen bërë që në origjinë.
Materialet duhen marrë ato procedura që në fillim, se ju e patë besoj firmën ndërtuese që ka të gjitha përgjegjësitë e veta, se është shumë e qartë se çfarë po bën, dhe tha nuk kemi përgjegjësi se kemi përdorur materiale të certifikuara.
Të certifikuara nga kush? Nga shteti. Se, pra, faji ishte shtetit pse certifikon këto materiale, apo jo? Faji është i atyre që kolaudojnë këto lloj ndërtesash, që japin leje ndërtimi këtyre lloj ndërtesash, ku kuptuam neve që me një diçka minimale fare, merr ka zjarr të gjithë pallatin. Atëherë, unë mendoj që menjëherë sot, ky lloj materiali do bllokuar në sekondë, sepse vazhdon ndërtohet këtu ë. Sëmundja e ndërtimit vazhdon.
E dyta, do bërë një census i saktë sa ndërtesa janë veshur me këtë lloj materiali. Pra, sa qindra apo mijëra familje ne sot i kemi duke jetuar te ky makth, ti mos na ndodh neve e njëjta gjë. Në mënyrë të atillë që të gjithë këto pallate, me iniciativa shtetërore me patjetër, se s'e ka fajin banori që i ke thënë ti si shtet që kjo banesë është e sigurtë.
Shteti të ndërhyjë me ato taksa që ja ka vjelur një mijë te nafta e ke, ja ka vjedhur te ushqimet e ja ka vjedhur te ndihmat që na jep Bashkimi Evropian neve, të shkojë dhe t'ia ndërrojë fasadat dhe t'ia bëjë ëh, ashtu siç duhet, sipas kushteve që të jetojnë qetë gjithsecili në shtëpitë e tyre. Por do nisur si punë kjo. Këtë nuk mund t'ia lëmë neve prapë fatit.
Pra, unë shpresoj të mos ndodhë më, po në qoftë se ne do t'ia lëmë gjithmonë gjithçka fatit, atëherë për çfarë na duhet ne qeveria, bashkia, ç'na duhen këto gjëra? Ti mbyllim ne këto pastaj dhe t'ia lëmë fatit.
Përditë që ne presim, përditë që ne presim, po shohim gjëra madhore që i ndodhin kësaj qeverie, gjëra madhore që i ndodhin kësaj bashkie, nuk ka më ku të shkojë. Pra, o këta do ta zbrazin këtë vend, o ne duhet t'i rrëzojmë këta njerëz. Një nga këto dy gjëra do ndodhin.
Nuk ka çfarë të ndodhë gjë tjetër në mes. Unë shpresoj një orë e më parë të jetë mundësia dhe nga partnerët ndërkombëtarë me mbështetjen e tyre absolutisht të nevojshme, por jemi ne ata që duhet të bëjmë maksimumin, jemi ne ata që do bëjmë përpjekjen këtu brenda.
Pastaj mund të kemi dhe një mbështetje nga jashtë, po ha ta harrojmë neve që vjen dikush nga jashtë dhe rrëzon këto lloj kritike këtu brenda. Se po të kishte qenë kështu, atëherë kjo do kishte ndodhur me kohë. Ato mbështesin patjetër ë aktivizimin kundër tyre, po nuk do vijnë ata të bëjnë punën tonë.
Duhet të jemi ne që mbajmë përgjegjësitë përsipër, ta marrim në dorë këtë vend. Kjo është e vërteta, kjo, kjo është arsyeja pse duhet të jemi aty në shesh të gjithë dhe duhet të jemi në çdo protestë që thirret kundër qeverisë, pa pavarësisht nga bindjet politike, se jemi të gjithë të vjedhur nga i pari tek i fundit.’, tha Ilir Alimehmeti ndër të tjera në SYRI TV.
© SYRI.net