Ngushtica u Hormuzit hap, çmimet globale të naftës bien, por Bordin e Ramës e ka zënë 'gjumi'

Ngushtica u Hormuzit hap, çmimet globale të naftës bien, por Bordin e Ramës e ka zënë 'gjumi'

17:54, 17/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndërsa çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë nisur të bien pas rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, në Shqipëri situata paraqitet ndryshe, me çmime që vijojnë të mbeten të larta.

Rritja e çmimit të karburantit në vend u reflektua menjëherë sapo shpërthyen tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, ku ky i fundit bllokoi përkohësisht Ngushticën e Hormuzit—një rrugë strategjike nga ku kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë. Shqipëria ishte ndër vendet që reagoi më shpejt me rritje të çmimeve, sapo doli lajmi, dhe çmimet arritën nivelet më të larta në rajon dhe në Europë.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga bizneset, operatorët e transportit publik dhe qytetarët për ulje të çmimeve, qeveria shpërfilli çdo kërkesë dhe çmimet mbetën të larta, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës dhe të produkteve bazë.

Vendimet e Bordit të Transparencës janë shoqëruar me luhatje të vogla, shpesh simbolike, ku uljet minimale pasohen nga rritje më të mëdha. Megjithatë, çmimi i karburantit nuk ka zbritur asnjëherë nën 200 lekë për litër, nivel që konsiderohet tepër i lartë për konsumatorët shqiptarë, më i larti në rajon.

Nga ana tjetër, zhvillimet e fundit në tregjet globale tregojnë një prirje në rënie të çmimeve. Autoritetet iraniane kanë deklaruar se Ngushtica e Hormuzit është tashmë e hapur për anijet tregtare gjatë periudhës së armëpushimit.

Si pasojë, çmimi i naftës ka rënë në rreth 88 dollarë për fuçi, nga mbi 98 dollarë që ishte më herët. Ngushtica e Hormuzit, një korridor jetik që lidh Gjirin me Detin Arabik, përbën një nyje kyçe për transportin global të naftës dhe gazit natyror.

Rihapja e saj ka ndikuar pozitivisht edhe në tregjet financiare ndërkombëtare, ku indekset kryesore në SHBA dhe Europë kanë shënuar rritje. Por ndryshe nga rasti kur filloi lufta dhe operatorët e tregtimit të naftës ishin sy e veshë te lajmet për të rritur çmimin, sot as ata, as Bordi i qeverisë nuk kanë reaguar, duket se i ka zënë gjumi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco