Deputeti Gjin Gjoni i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, ka lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar Policinë e Shtetit si një instrument të pushtetit që ka arritur nivele të reja dhune dhe represioni ndaj opozitës dhe qytetarëve.
Sipas deputetit demokrat, policia nuk është e depolitizuar dhe në çdo qelizë të saj kanë depërtuar "faktorët kriminalë". Ai denoncon se kjo shfaqet jo vetëm përmes dhunës së paprecedentë ndaj deputetëve të opozitës, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve, të cilët jetojnë nën një klimë frike. Gjoni thekson se bizneset dhe pronarët e lokaleve refuzojnë të presin takime të opozitës nga frika e kontrolleve dhe presionit nga institucione si tatimet, AKU apo policia bashkiake.
"Ne çdo ditë e më tepër po kërkojmë që të nxjerrim frikën dhe njëkohësisht t'i bëjmë më qëndrestarë qytetarët", deklaroi ai, duke shtuar se strategjia e opozitës është të çlirojë shoqërinë nga ky "mbërthim i frikës". Lidhur me protestat, ai sugjeroi se ato duhet të jenë "më radikale", por sqaroi se partitë politike nuk organizojnë protesta të dhunshme, pasi kjo është detyrë e sindikatave, studentëve dhe shoqërisë civile, të cilat, sipas tij, janë të dobësuara për shkak të lidhjeve me pushtetin.
"Shqipëria nuk mund të hyjë nga dera e pasme e Bashkimit Europian", pohoi deputeti. "Ajo duhet të hyjë në mënyrë transparente". Sipas tij, roli i opozitës është thelbësor për të informuar jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet europiane mbi nivelin real të krimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave, fenomene që, sipas tij, nuk janë "ogur i mirë" për përparimin e vendit.
Flavio Qarri: Zoti Gjoni, duket se policia ka arritur në një nivel të panjohur dhune ndaj deputetëve. Fillimisht Nallbati, më pas Mziu. Mos ndoshta dhe ju mund t'i ktheni reston meqë keni dhe status të privilegjuar? Po pyes, nuk po aludoj gjë.
Gjin Gjoni: Atëherë, ashtu siç e theksuat edhe juve, policia e shtetit normalisht merr formën e pushtetit i cili sot drejton dhe qeverisë e cila sot drejton, sepse ju e dini shumë mirë që policia nuk është e depolitizuar dhe faktorët kriminalë kanë depërtuar në çdo qelizë të policisë së shtetit. Por dhe mënyra se si reagon sot qeveria, mënyrën se si i zgjidh problemet në parlament mazhoranca, është një përshfaqje edhe në jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve, të cilët jetojnë nën një dhunë dhe represion. Ashtu siç e theksoi edhe Tedi sot ne duhet të luftojmë kundër frikës. Unë e shoh në takimet që kemi dhe në jetën e përditshme, por dhe në takimet në zonë, ke një pjesë të madhe të qytetarëve të cilët disponojnë biznese apo lokale, nuk lejojnë që të zhvillosh takime në ambientet e tyre për shkak të represionit dhe mundësisë që tatimet, AKU-ja, policia bashkiake, institucionet e tjera të cilët janë represive, të ushtrojnë kontrolle dhe presion. Dhe ne çdo ditë e më tepër po kërkojmë që të nxjerrim frikën dhe njëkohësisht t'i bëjmë më qëndrestarë qytetarët. Nga krahu tjetër, mënyra se si policia është sjellë në raport edhe me liderin e opozitës, dhe ju e keni parë në të gjitha protestat të cilat janë realizuar, që piketohet dhe shënjestrohet lideri i opozitës në lëvizjet e tyre, lëvizjen e tij të lirë, bashkë me njerëzit të cilët e shoqërojnë, duke hedhur edhe gaz lotsjellës, duke hedhur edhe topa uji, por njëkohësisht edhe dhuna ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, deputetë të cilët kanë disa mandate të cilët janë në parlament, sepse mund të ushtrosh dhunë ndaj një deputeti i cili është i ri dhe policia nuk e njeh, por ndaj deputetëve të cilët kanë nga tre-katër mandate, është e papranueshme dhe tregon mënyrën se si shteti sillet në raport me qytetarët dhe aq më tepër me deputetët dhe me kryetarin e opozitës.
Dhe padyshim që protestat, në pikëpamjen time, duhet të jenë më radikale. Por nga krahu tjetër, partitë politike, në vetvete, në asnjë vend të botës nuk bëjnë protesta të dhunshme. Dhe këtë normalisht duhet ta marrin sindikatat dhe qytetarët, ose studentët, të cilët në momentin aktual, sindikatat dhe qytetarët nuk është se kanë një organizim, edhe për shkak të shkrirjes dhe lidhjes së shoqërisë civile me pushtetin, por edhe për shkak të propagandës e cila sot 90% e mediave janë nën uzurpimin e...
Flavio Qarri: Po ja kemi dalë për shembull me shumë sukses zoti Gjoni, mos të flasim për Belinda Ballukun, që është ende e lirë.
Gjin Gjoni: Po, nëpërmjet protestave të cilat po organizon dhe mënyrën se si është përqasur në raport me çështjen Balluku, rezulton që ka vendosur pikat mbi 'i' në raport me ndërkombëtarët. Dhe sot janë denoncimet e Partisë Demokratike në SPAK, por njëkohësisht edhe në kancelaritë perëndimore, të cilët po vënë ca vija të kuqe të qeverisë Rama në raport me integrimin. Dhe unë shpeshherë, edhe dje në parlament, dëgjova deputetët e Partisë Socialiste që opozita po pengon Shqipërinë me integrimin europian për shkak të denoncimeve që po realizon. Ne duhet të jemi të qartë. Shqipëria nuk mund të hyjë nga dera e pasme e Bashkimit Europian. Shqipëria duhet të hyjë në raport me politikëbërjen dhe mënyrën e trajtimit të çështjeve në mënyrë transparente. Dhe për sa kohë, dhe opozita është faktori kryesor i cili duhet jo vetëm të informojë qytetarët, por edhe institucionet europiane në raport me nivelin e krimit dhe të korrupsionit, pastrimin e parave dhe çdo gjë negative që është në Shqipëri, por që nuk është ogur i mirë në raport me përparimin drejt Bashkimit Europian.
© SYRI.net