Deputeti demokrat Arian Ndoja ka marrë fjalën për t’i drejtuar një sërë akuzash dhe këshillash drejtuesit të seancës lidhur për shkeljet procedurale dhe Kushtetuese. Gjatë fjalës së tij, Ndoja i kërkoi atij të rikthejë normalitetin në Kuvend dhe t'u përmbahet rreptësisht rregullores dhe Kushtetutës.
Deputeti i PD i bëri thirrje drejtuesit të seancës që të përdorë autoritetin dhe detyrën e tij për të zbatuar rendin e ditës, duke iu referuar nenit 49 të rregullores. Ai theksoi se roli i tij nuk është të tregohet “konformist apo emocional”, por të marrë vendime të paanshme. “Aty jeni për të marrë vendime. Në qoftë se nuk bëhet fjalë për çështje të rendit të ditës, ndërpriteni fjalën kujtdo, qoftë forcës tuaj, qoftë forcës tonë,” u shpreh Ndoja, duke paralajmëruar se në të kundërt seancat do të kthehen në një shfaqje replikash e kundërreplikash për televizor.
Arian Ndoja: Të nderuar kolegë, unë në fakt edhe në mbështetje të zotit Mile, por edhe në raport me atë çka relatuat ju pas votimit të parë të bërë në seancën e sotshme, mendoj që ju së pari për ta vendosur në normalitet kuvendin duhet t'i referoheni rregullores, kushtetutës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për rastin tuaj po ju referoj një vendimi numër 29, datë 21.10.2009 të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me kuorumin, pjesëmarrjen e deputetëve në seancë, dhe mënyrën se si lexohet votimi i tyre, se ju pak më parë thatë që s'ka abstenim dhe s'ka as vota kundër. Po të lexoni atë vendim, po flas fjalë për zotin Zamir Poda, flet për mënyrën se si lexohet vota e atyre që nuk marrin pjesë në votimin pro, siç ishte rasti konkret, nuk ngritën dorën as kundër, po që konsiderohet abstenim.
Sigurisht, në qoftë se mungon edukimi i parë fillestar si jurist, kjo nuk ju ngarkon me peshën e fajit në aspektin etik profesional, ndërsa në aspektin e leximit të votave të opozitës ose përfaqësuesve të partive të tjera në raport me propagandën që bëhet me publikun, kjo nuk është e drejtë dhe mendova ta sqaroj. Së dyti, në respekt të nenit 49, ashtu si dhe zoti Mile, unë mendoj që ju keni autoritetin dhe detyrën, qoftë kushtetuese, qoftë ligjore, qoftë dhe në bazë të aktit që rregullon punën e marrëdhëniet e kuvendit, qoftë dhe ndërmjet deputetëve, grupeve parlamentare e të tjerë me radhë, të mos tregoni konformist, as emocional, për të menduar më shumë sesa ç'duhet, por për të marrë vendime. Aty jeni për të marrë vendime. Në qoftë se nuk bëhet fjalë për çështje të rendit të ditës, ndërpriteni fjalën mua të parit dhe kujdo, qoftë forcës tuaj, qoftë forcës tonë. Ta vendosim në normalitet sepse përndryshe ne thjesht do kalojmë me replika, kundërreplika, dhe nuk bëjmë atë që duhet të bëjmë sipas rendit të ditës...
© SYRI.net