Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Protesta, Edi Rama humb mandatin e parë

Tepelena: Rama centralizoi lejet e ndërtimit, modeli urban i Tiranës po e kthen qytetin në jofunksional

17:26, 15/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, aktivisti Andi Tepelena u shpreh se Tirana po përballet me pasojat e një modeli të dështuar zhvillimi urban të ndërtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ai theksoi se ndërtimi i pakontrolluar i kullave dhe vendimmarrja e centralizuar në duart e Ramës kanë deformuar zhvillimin e kryeqytetit. Sipas tij, kjo qasje ka krijuar një dendësi të lartë dhe një presion të papërballueshëm mbi infrastrukturën dhe shërbimet publike.

Tepelena ngriti shqetësimin se mungesa e standardeve të sigurisë dhe e planifikimit afatgjatë po e bën qytetin gjithnjë e më të rrezikshëm për banorët. Ai akuzoi gjithashtu për një raport klientelist mes pushtetit dhe ndërtuesve, që drejtohet nga Rama.

Në përfundim, ai theksoi se kjo mënyrë zhvillimi po dëmton cilësinë e jetës dhe po e kthen Tiranën në një qytet jofunksional për qytetarët.

Pjesë nga deklarata:

Ka të bëjë gjithmonë me mënyrën se si ndërtohet qyteti nga ana vertikale. Domethënë, kur flas për vertikalitetin, nuk e kam fjalën vetëm për ndërtimin fizik të qytetit, por edhe për vendimmarrjen, e cila merret në mënyrë komplet të centralizuar nga Rama. Pra, ai ka sot në dorë lejet, jo vetëm për Tiranën, por për çdo cep, çdo fshat të Shqipërisë.

Përmes kësaj, ai ka vendosur disa kritere urbanistike, siç është ndërtimi i kullave jo më pak se 15 kate. Kjo krijon një densitet të tmerrshëm për Tiranën. Mos harrojmë se, sipas INSTAT-it, vetëm në këto 10 vite janë ndërtuar 4.8 milionë, gati 5 milionë metra katrorë, duke krijuar një qytet me një densitet që kalon pesëfishin e normës së Bashkimit Europian dhe duke sjellë gjithë këto probleme.

Kemi edhe një problem tjetër: qasjen klienteliste të Ramës në raport me ndërtuesit. Shpesh, ndërtuesit sot gjenden në vështirësi për të kontraktuar një arkitekt të huaj, i cili ka një vizion të vetëm për mënyrën se si ndërton, por nuk ka fare lidhje me Tiranën. Pra, nuk njeh as dinamikat, as realitetin e saj.

Në këtë aspekt, po merren vendime që nuk kanë lidhje me qytetin, me historinë, me habitatin ku jetojmë dhe, mbi të gjitha, me çështjen e sigurisë. Sepse po flasim për sigurinë, e cila është kthyer në një problem serioz.

Po, pikërisht për shkak të dendësisë së madhe që është krijuar në Tiranë, lindin një sërë problemesh që reflektohen në zhvillimin urban të qytetit. Një qytet me kulla kaq të larta kërkon ndërhyrje të specializuara, madje edhe nga ajri, me helikopterë apo mjete të tjera, për të bërë të mundur shuarjen e zjarreve.

Ky centralizim i lejeve të ndërtimit në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë bën që vendimmarrjet të merren sipas estetikës personale apo një qasjeje klienteliste me firmat e ndërtimit, të cilat shpesh punojnë me klering ose paradhënie. Kjo lë hapësirë për futjen e parasë së pistë. Vetëm 20%, sipas INSTAT-it, financohet nga bankat, ndërsa 80% është paradhënie ose klering. Këtu kemi një problem strukturor edhe mbi besueshmërinë e firmave të ndërtimit që operojnë në Tiranë.

Përveç kësaj, vihet re edhe përdorimi i propagandës për të shpërndarë përgjegjësinë dhe për t’ia kaluar fajin qytetarëve, sikur ata nuk sigurojnë shtëpitë e tyre. Duhet shtuar edhe fakti që përgjegjësia shpesh i kalon firmave të ndërtimit. Unë nuk vë dorën në zjarr për to, sepse kanë gabimet e veta, por në fund, kur ndërtesa certifikohet dhe kolaudohet, janë institucionet përkatëse që vendosin firmën dhe garantojnë se gjithçka është në rregull. Pra, përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet.

Çfarë mbetet për t’u bërë? Duhet një presion i madh qytetar që çdo ndërtesë të ketë standardet e sigurisë: dalje emergjence funksionale, mundësi ndërhyrjeje për zjarrfikëset, sisteme për furnizimin me ujë në raste zjarri, etj. Po ashtu, çështja e fasadave është teknike dhe shumë e rëndësishme, sepse mungojnë kodet përkatëse.

Sipas ekspertëve, mungojnë kodet e fasadave. Çdo firmë ndërtimi vendos vetë llojin e fasadës, pa ndjekur një protokoll të qartë të bazuar në një kuadër ligjor. Nuk pyeten inxhinierët dhe, si pasojë, mungojnë standardet e sigurisë. Nuk mund të jetë firma e ndërtimit ajo që vendos për fasadat, sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për estetikë, por edhe për kursimin e energjisë dhe, mbi të gjitha, për sigurinë.

Këto kode dhe protokolle duhet të jenë shumë të qarta, si për pallatet e reja, ashtu edhe për ato të vjetrat që po vishen me kapotë, pasi edhe aty ekziston një problem real.

Së fundi, duhet thënë se Rama ka qenë tre herë kryetar bashkie. Nëse kemi këtë qytet sot, është edhe si pasojë e politikave të tij që nga fillimi i dhënies së lejeve të ndërtimit pa kritere të qarta, brenda lagjeve dhe pa studim të mirëfilltë.

Sot po trashëgojmë një qytet të menduar për përfitime të shpejta dhe jo për cilësinë e jetës. Nuk mendohet për hapësirat publike, për fëmijët, për të moshuarit, për qytetarët në përgjithësi, as për emergjencat dhe shërbimet zjarrfikëse. Është shqetësuese që në raste emergjence nuk ka hapësira të lira apo korsi të dedikuara për ambulancat dhe zjarrfikëset.

Më kujtohet rasti i Ismail Kadaresë, kur botuesi i tij tregonte se kishin mbetur dy orë në trafik, sepse nuk mund ta çonin në spital. Nëse kjo i ndodh një figure të tillë, imagjino çfarë ndodh me qytetarët e zakonshëm. Nuk kemi as një korsi të dedikuar për të shkuar në spital.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco