Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka ngritur shqetësimin për situatën e fermerëve gjatë fjalës në Komisionin e Ligjeve, ka deklaruar se heqja e skemës së furnizimit me naftë me çmim të reduktuar ka rënduar ndjeshëm sektorin bujqësor.
Sipas tij, mijëra fermerë janë lënë pa mbështetje dhe po përballen me kosto të larta të karburantit, çka rrezikon uljen e ndjeshme të prodhimit bujqësor në vend. Bozdo theksoi gjithashtu nevojën për masa konkrete për të përballuar krizën e çmimeve të energjisë dhe ndikimin e saj në ekonomi.
Eno Bozdo: Argumenti kryesor është, duhet ta dini, ndërsa flasim, sot të gjithë fermerët nuk furnizohen më me tollona sipas skemës së mëparshme. Është një skemë që para një jave, qeveria shqiptare e hoqi, ishin afërsisht 48,000 fermerë që furnizoheshin me çmim, me tollona nafte me çmim të reduktuar, gjë që i ndihmonte ata në një mënyrë në një tjetër. Nuk ishin të mjaftueshëm, por jepte një ndihmë për këta fermerë. Pra, fermeri sot ndodhet nën dilemën për ta blerë karburantin me 2,200 ALL dhe për të bërë të gjitha punët e pranverës, apo për të mos bërë asgjë. Duhet ta dini që statistika tregon që 80% e sipërfaqes sot që duhet të ishte punuar, është e papunuar pikërisht për shkak të shtrenjtësisë së karburantit. Shprehja që veçanërisht në zonën time ku jam dhe deputet, haset më shpesh është, nuk e ndez unë makinën apo traktorin apo makinat e tjera punuese të tokës me 2,200 ALL.
Pra, fakti që nuk kemi çmim të diferencuar për fermerin, e bën shumë të rëndë situatën, sepse prodhimi ynë bujqësor, veçanërisht për periudhën e verës dhe të vjeshtës, që zë formë tani, ka për të qenë realisht në një rënie pikiatë. Sikur mos mjaftonte fakti që bujqësia ka hyrë, ka hyrë në vitin e dytë e gjysëm në një rënie pikiatë dhe industria prodhuese ka hyrë në vitin e pestë në një rënie pikiatë edhe në vlerë absolute. Për ta konkluduar të gjithën këtë, diskutimi që bëjmë sot, duke ndjekur pak edhe çfarë tha zoti kryetar i komisionit, ata që ishin ulur përpara meje këtu, që pak a shumë kishin të njëjtin propozim, nuk është diskutim programor i tipit që ne kemi këto taksa dhe ju në programin elektoral, hajde me dakord. Sigurisht që është dhe programor. Partia Demokratike ka qenë gjithmonë partia e taksave të ulura dhe kjo nuk ka asnjë lloj dyshimi. Diskutimi sot duhet të fokusohet nëse ne duhet të bëjmë diçka konkrete për t'u përballur me këtë krizë apo jo. Do ta lëmë në rënie të lirë këtë gjë, apo jo. Dhe për fat të keq, në të gjitha zhvillimet politike që po ndodhin në dy ditët e fundit, kuptohet që kjo krizë nuk ka për të dalë kollaj. Vendet, globi, edhe sikur konflikti të mbyllet nesër, gjë që nuk ka asnjë shans për këtë gjë, nuk do të dalë në rikuperimin e plotë të logjistikës së transportit dhe të logjistikës së prodhimit të naftës brenda një muaji.
Sipas vlerësimeve konservative, konservatore të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, që është agjencia e cila është autoriteti botëror për këtë gjë, do të duhen katër deri në gjashtë muaj për ristabilizimin e kanaleve të furnizimit dhe logjistikës prodhuese të naftës. Çka do të thotë që kjo është një histori që do të zgjasë. Por ne nuk kemi, ekonomia shqiptare nuk ka katër deri në gjashtë muaj kohë për t'u përballur me çmime të tilla. Përsa i takon çështjes së asaj që qeveria ka ndërmarrë, kush është masa e vetme që qeveria ka ndërmarrë? Është një premtim që për sa kohë nafta do të kalojë 2,200 lekë të vjetra për litër, ne do të ulim në mënyrë automatike, do të zbresim akcizën. Tani më lejoni t'ju bëj, se këtu nuk dua të diskutoj në mënyrë politike, po më lejoni t'ju bëj vetëm një përllogaritje. Nafta sot, karburanti sot është rritur diku te 450 lekë të vjetra, nga 1,700, 1,750, po flas për litër, po flas me lekë të vjetra për të bërë llogarinë, në 2,200 afërsisht. Në 450 lekë të vjetra që qeveria shqiptare për çdo litër karburanti fut 1/5 në xhep si pasojë e TVSH-së. Pra janë rreth 90 lekë të vjetra që qeveria shqiptare i fut në xhep në mënyrë të papritur, të pamerituar nëse mund ta themi kështu, sepse këto vijnë të ardhura shtesë jo si pasojë e një administrimi, por si pasojë e luftës, e konfliktit që ka çuar në rritjen e çmimeve.
© SYRI.net