Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e Ilir Metës lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në një deklaratë publike, Blushi u shpreh se vendimi nuk përbën “asnjë habi dhe asnjë surprizë”, duke akuzuar gjykatën se ndodhet nën ndikim politik dhe shantazh të vazhdueshëm. Sipas tij, anëtarët e saj janë “të kapur prej fyti” nga kryeministri Edi Rama dhe japin vendime në kundërshtim me Kushtetutën.
Blushi deklaroi se ky vendim konfirmon degradimin e drejtësisë në vend, duke e cilësuar sistemin aktual si një “vegël qorre politike”. Ai theksoi se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese ishte një hap formal i domosdoshëm për t’i hapur rrugë ndjekjes së çështjes në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Në vijim, Blushi e cilësoi procesin ndaj Metës si “politik dhe kriminal”, duke u shprehur se ndaj tij nuk ekziston “asnjë provë, fakt apo dokument”. Ai akuzoi gjithashtu institucionet për zvarritje të qëllimshme të çështjes dhe kërkoi publikimin e plotë të vendimit pa vonesa të mëtejshme.
Në deklaratën e tij, ai u bëri thirrje gazetarëve, analistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që të marrin pjesë në seancën e parë të gjykimit në themel më 27 prill dhe në vijim, për të parë nga afër procesin. Sipas tij, transparenca do të tregojë se “nuk ekziston asnjë pasuri apo përfitim i paligjshëm” i Ilir Metës.
Blushi:
Asnjë habi, asnjë surprizë, për sa kohë dihet botërisht se kush e komandon këtë gjykatë të degraduar, se nën shantazhin e kujt janë 24 orë në 24 orë anëtarët e kësaj gjykate dhe se ku janë betuar realisht këta gjyqtarë të kapur prej fyti nga Edi Rama dhe që japin me vetëdije vendime duke shkelur dhe përdhosur kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim nuk zhgënjen askënd, sepse çdo pritshmëri dhe iluzion është zero në një regjim ku Ramaforma e ka kthyer drejtësinë në një vegël qorre politike në duar të Edi Ramës dhe të narko-qeverisë së tij.
Sigurisht, po të varej nga vullneti ynë, asnjë minutë nuk do të ishte humbur me një ankimim në gjykatën e Lanës. Por rruga drejt Strasburgut na detyronte të kalonim formalisht nga kjo hallkë për të cilën Presidenti Meta ka folur qartësisht gjashtë vite më parë, më 2 mars 2020 para të gjithë shqiptarëve dhe para të gjithë botës duke e cilësuar dhe paralajmëruar shndërrimin e saj në gjykatë të betimeve te Lana.
Një përkufizim i saktë, i drejtë dhe koherent që sot vetëm sa është konfirmuar, sikundër është konfirmuar edhe nga një seri e pandalshme vendimesh të turpshme dhe antikushtetuese, ku sigurisht, ky i sotmi ishte një tjetër konfirmim i degradimit pa kthim të kësaj gjykate me regji. Gjykata Kushtetuese konfirmoi pra sot se po zhytet gjithmonë edhe më shumë pa u ndalur në llumin e Lanës dhe se Ramaforma, antiligji, shkelja e kushtetutës dhe refuzimi me dashje për të respektuar Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut janë aktualisht të vetmet shtylla dhe dimensione të ekzistencës së saj. Procesi politik, kriminal ndaj Presidentit Meta, nga rrëmbimi terrorist te izolimi ekstrem për më shumë se 19 muaj pa asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë mesazh kundër tij, është një akt kriminal për këdo që e ka parë, përjashtuar vëzhguesit në thonjëza, pra anëtarët e gjykatës së degraduar të Lanës.
Sot, kjo gjykatë kishte një mundësi, në radhë të parë për të pastruar veten, për të pastruar sadopak fytyrën e saj nga llumi që vjen era Edi Rama, por e humbi edhe këtë mundësi duke preferuar të zhytet me vullnet të plotë në pisllëkun e Lanës. Kjo gjykatë vërtetoi sot se po ecën pa u ndalur në rrugën e vetëposhtërimit dhe të vetëpërdhosjes, për të mbetur jo vetëm në memorien e shqiptarëve, por edhe në shtyllën e turpit të Ramaformës, si gjykata kushtetuese më mizerabël që Shqipëria ka parë ndonjëherë. Ne nuk kemi patur dhe as kemi asnjë pritshmëri nga një gjykatë që prodhon vetëm vendime që vijnë era Edi Rama, që vijnë era Lanfill, që vijnë erë inceneratorë dhe që vijnë era Lanë.
Por pasi e mbajtën këtë çështje peng për rreth më shumë se gjashtë muaj, të paktën gjyqtarët e Lanës të kenë tanimë dinjitetin të mos zvarrisin më tej zbardhjen e plotë të vendimit. Edhe një herë, në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe analistët, veçanërisht ata që janë ushqyer me dizinformacione dhe falsifikime, të marrin pjesë në 27 prill në seancën e parë të gjykimit në themel dhe në çdo seancë pasuese. I ftoj të vijnë dhe të shohin vetë nëse ekziston qoftë edhe një qindarkë e paligjshme që lidhet me Presidentin Ilir Meta.
Në çdo seancë do të dalë e vërteta, edhe pse dhjetëra e dhjetëra kërkesa të gazetarëve për intervistë me Presidentin Meta janë refuzuar, një e drejtë që nuk u mohohet as kundërshtarëve të Vladimir Putinit në Rusi. I ftoj të gjithë gazetarët, analistët, përfaqësuesit e shoqërisë civile të pakapur, të vijnë në këto seanca dhe të shohin se si DIA rezulton një strukturë e ndërtuar dhe e përdorur për interesa të errëta, në bashkëpunim me Edi Ramën, në funksion të aferës së 479 milionë eurove të falura ÇEZ-it, një nga skandalet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar, për të cilën Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një kallëzim penal në prokurori, ku ende dosja fle sot e kësaj dite.
I ftoj të gjithë gazetarët, analistët, përfaqësuesit e shoqërisë civile të pakapur, të vijnë në 27 prill dhe në çdo seancë të gjykimit në themel për të parë dhe për të lexuar vetë letër-porositë të ndërtuara mbi gënjeshtra për të mbuluar të vërtetën e vetme dhe absolute: Zero fakt, zero provë, zero qindarkë e paligjshme, zero pasuri e paligjshme e Ilir Metës. Transparenca është e vetmja rrugë drejt së vërtetës, ndaj mos mungoni në asnjë seancë për të parë nga afër çmontimin fund e krye të një procesi farsë politik dhe kriminal ndaj presidentit të Partisë së Lirisë. Një proces që sot më shumë se kurrë kundërmon era Lanë nga vendimi i Gjykatës së Lanës. Faleminderit.
© SYRI.net