Një njoftim i pazakontë sigurie nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka vënë në alarm opinionin publik, duke paralajmëruar për kërcënime të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin.
Arsyeja e këtij shënjestrimi lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën e tensionuar mes Tiranës dhe Teheranit, ndërsa strehimi i opozitës iraniane MEK, sulmi masiv kibernetik i orkestruar nga Irani ndaj institucioneve shqiptare dhe shkëputja e marrëdhënieve diplomatike përbëjnë një “plagë të freskët”, që e vendos Shqipërinë në qendër të vëmendjes së Iranit.
Politologu Adri Nurellari në një intervistë për edicionin e mbrëmjes në Syri Tv, e shpjegon këtë si pjesë të strategjisë së “luftës asimetrike” të Teheranit.
Në pamundësi për t'u përballur drejtpërdrejt me fuqinë ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit, theksoi politologu, Irani synon të godasë aleatët e tyre më të brishtë, ku përmes dëmtimit të vendeve të tilla si Shqipëria, kërkon gjithashtu të ushtrojë presion indirekt ndaj kundërshtarëve të tij të mëdhenj, duke i detyruar ata të tërhiqen.
Në këtë kontekst, shprehet Nurellari, Shqipëria konsiderohet si një “hallkë e dobët” dhe një “target i lehtë”. Disfunksionaliteti shtetëror, korrupsioni dhe paaftësia e institucioneve, të ekspozuara edhe nga aferat e fundit të SPAK, e bëjnë vendin më të cenueshëm ndaj sulmeve të jashtme.
Paralajmërime të tilla, sipas politologut, krijojnë një klimë pasigurie që mund të largojë turistët dhe investitorët, duke goditur sektorin që tashmë mban peshën kryesore të ekonomisë.
Unë kontrollova edhe faqet e ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendet më fqinje, në shtetet fqinje, në Mal të Zi, Kosovë edhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk kishte një postim të tillë. Pra duket se është bërë enkas dhe specifik për Shqipërinë. Dhe po ashtu duhet patur parasysh që në postim në mënyrë eksplicite aty përmendet opozita iraniane, pra MEK-u. Dhe që që vetëm ne e strehojmë dhe jo vendet e tjera dhe plus ne kemi të kaluar tashmë me Iranin, kemi qenë subjekt i sulmit më të madh kibernetik të bërë ndonjëherë ndonjë shteti. Kemi prishur marrëdhëniet diplomatike dhe kemi dëbuar ambasadorin. Kështu që ne kemi një plagë të freskët dhe po ashtu kemi konflikt të madh, që ne e ndjekim dita-ditës. Dhe e njohim që kemi një strategji të Iranit, atë strategji që Irani e bën në pamundësi për t'u ballafaquar drejtpërdrejt me me epërsinë ushtarake luftarake që ka SHBA-ja dhe Izraeli, përpiqet që të kundërpërgjigjet me një luftë asimetrike, duke çuar në eskalimin horizontal. Pra përpiqet që të bëjë presion vendeve që janë aleatët e SHBA-ve, t'i dëmtojë ato, në format duke goditur ato, në mënyrë që ato pastaj t'i bëjnë presion SHBA-ve që të tërhiqen, të ndërpresin sulm ndaj Iranit.
Dhe në këtë aspekt është e pritshme që dhe që Irani të vazhdojë përshkallëzimin e mëtejshëm në pamundësi për t'u konfrontuar, për t'u ballafaquar direkt me SHBA-të edhe Izraelin në frontin e luftës. E kam bërë së fundmi me duke e aktivizuar milicitë Houthi në Jemen, duke i riangazhuar ato që të godasin edhe dëmtojnë trafikun në një tjetër ngushticë të rëndësishme që është Bab-el-Mandeb, që është ngushtica që çon drejt oqeanit, drejt detit të Kuq. Nuk mjafton ngushtica e Hormuzit, por është dhe një ngushticë tjetër e cila mund të dëmtojë tregtinë dhe ekonominë ndërkombëtare. Që në këtë është e pritshme dhe e hamendësueshme që në kuadër të riangazhimit të strukturave që ata kanë në nivel horizontal në vende të tjera, neve mund të jemi një target sepse në fund të fundit, këtu bëhet fjalë për një sfidë të madhe që i kemi bërë në një farë mënyre Iranit duke marrë përsipër strehimin e ëh e grupimit ekstremist marksist, që quhet MEK.
Por edhe fakti që politika e qeverisë së kohëve të fundit ka qenë në mënyrë të zgjedhshme pro-Izrael.. Domethënë në kushtet kur shumë vende të tjera të Bashkimit Europian kanë evituar Izraelin për shkak të mënyrës se si është bërë lufta në Gaza. Ne kemi parë një kryeministër i cili ka qenë shumë i zhdërvjellët. Kemi pasur vizita të nivelit të lartë, të ndërsjella, ka ardhur këtu presidenti Herzog, kemi pasur kryeministrin atje. Kemi marrëdhënie dhe marrëveshje edhe të nivelit të sigurisë. Kështu që në sytë e iranianëve, me sa duket ne jemi target i preferuar. Po ashtu duhet të ketë parasysh diçka tjetër. Në një aleancë, aleanca është po aq e fortë sa ç'është hallka më e dobët e zinxhirit. Kështu që ne jemi relativisht target i lehtë, duke patur parasysh një shtet relativisht disfunksional, siç po shikojmë edhe nga aferat e nxjerra prej SPAK-ut. Kalbëzimi, korrupsioni, paaftësia dhe papërgjegjshmëria ka kapur nivele më të larta. Kështu që në këtë aspekt jemi disi më të papërgatitur se të tjerët.
Ambasada kujdeset drejtpërdrejt për shtetasit e vet dhe ata janë audienca, por nga ana tjetër lë një shije të hidhur që na dëmton, në kuptimin që nga njëra anë mund të jetë e dobishme sepse mund të nxisim tepër vigjilencë, më tepër vëmendje, më tepër angazhim. Synon rritjen e vigjilencës. Po, por nga ana tjetër, nga ana tjetër ne jemi një vend që kemi një ekonomi të brishtë, ne jemi duke ju afruar sezonit të turizmit, i cili tashmë është bërë sektori që ka më shumti, më së shumti peshë në ekonominë e vendit dhe mesazhe të tilla padyshim që rrisin idenë e pasigurisë në nivel ndërkombëtar dhe në kushte pasigurie turizmi është sektori i parë që lëndohet. Kështu që në qoftë se do të dëgjojmë të tjera mesazhe, padyshim që kompanitë e ndryshme ose agjencitë e ndryshme që sjellin turistë në nivel masiv dhe të organizuar, i ndjekin këto zhvillime dhe kjo mund të ketë reperkusione drejtpërdrejta në ekonominë tonë. Pa llogaritur që larg qoftë, mund të kemi dhe sulme të tjera.
Demaskon propagandën e qeverisë për hov dhe zhvillim të madh ekonomik. Demaskon shifrat makroekonomike, të cilat po s'u panë në hollësi, janë bosh dhe lidhen kryesisht me spekulime, me rritje çmimesh, me rritjen artificiale të rrogave shtetërore, por nuk kanë, nuk janë përkthyera plotësisht në rritjen e produktivitetit të ekonomisë, uljen e deficitit, rritjen e eksporteve, rritjen e investimeve të drejtpërdrejta, transferimin e teknologjisë, inovacion. Ka investime që janë serioze dhe që vërtetë transformojnë ekonominë, por lidhen me spekulime, me paligjshmëri edhe me edhe me këtë iluzionin e madh që duke ndërtuar kulla, pallate pafund, neve mund të sjellim begati ekonomike.
© SYRI.net