'Policia e Shtetit, e kapur nga krimi dhe pushteti', Balliu: Emërimi i drejtorit të Përgjithshëm u ndikua nga Balluku

17:04, 01/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, u shpreh se Policia e Shtetit ndodhet përballë një procesi të thellë kapjeje nga krimi i organizuar, me mbështetjen dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të pushtetit politik.

Ai ngriti akuza të forta se emërimet në nivelet më të larta të policisë nuk po bëhen mbi bazën e meritës dhe ligjit, por në funksion të interesave kriminale dhe të konsolidimit të pushtetit të zyrtarëve të caktuar qeveritarë.

Balliu theksoi se, kjo situatë përbën një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe shtetin ligjor, ndërsa theksoi se një sërë raportesh ndërkombëtare dhe rastesh konkrete dëshmojnë për ndërthurjen e krimit me strukturat shtetërore. Ai paralajmëroi se, nëse kjo prirje vijon, institucionet ligjzbatuese rrezikojnë të humbasin plotësisht pavarësinë, duke u shndërruar në instrumente në shërbim të pushtetit dhe grupeve kriminale.

Pjesë nga deklarata:

Në qoftë se deri dje kishim një emërim nga krimi i organizuar, me rastin e Ilir Prodës nëpërmjet Ergys Argasit, sot kemi një emërim nëpërmjet pushtetit për mbarëvajtjen dhe rritjen e pushtetit të vetë Belinda Ballukut. Nuk është as mendimi im, as dëshira ime, as gjetja ime, por është fakti i dokumentuar në raportin e OSBE-ODIHR-it në lidhje me kapjen e Policisë së Shtetit, tanimë, nga Ministria e Brendshme, nga Belinda Balluku. Ky është rasti i emërimit të fundit.

Për sa i përket lidhjes së drogës, karteleve dhe krimit të organizuar me qeverinë, jo vetëm emisioni RAI, por edhe raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, të Interpolit, të Europolit dhe të Antimafias italiane sqarojnë lidhjet nëpërmjet emërimeve të efektivëve në nivele të larta të Policisë së Shtetit, emërime të cilat janë bërë nëpërmjet marrëdhënieve me krimin e organizuar.

Për shembull, jo shumë vonë, rreth tre muaj më parë, keni parë se si shefi i krimeve të Vlorës trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Gjermanisë. Gjithashtu, nuk mund të harrojmë rastin e Oltion Bistrit. Ai ishte shefi i operacionales, një individ i lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar, që jepte informacione për individë të caktuar në interes të Pëllumb Gjokës, i cili më pas urdhëronte vrasjen e tyre. Këto tashmë janë në përgjimet e Sky ECC dhe për këtë arsye ata ishin të arrestuar. Ndërsa Pëllumb Gjoka vazhdon të jetë i tillë.

Përpos këtij rasti, kemi pasur Ilir Prodën, një njeri i cili botërisht njihet tanimë si emërim direkt i krimit të organizuar, nëpërmjet të famshmit të fshatit të PS-së, Ergys Argasi, për mbarëvajtjen e marrëdhënieve, lidhjeve dhe interesave të grupeve të ndryshme kriminale. Pra, rasti i Prodës ishte i veçantë, sepse kishte një bashkërendim të të gjitha strukturave kriminale në Shqipëri për një marrëveshje konkrete që Ilir Proda do të mund të përfaqësonte interesat e të gjitha organizatave, përfshirë këtu Suel Çelën, Tropojanët, Xhafët, Bajrat, Hajrat dhe Avdylajt.

Të gjithë këta kishin një bashkërendim, një vendim të përbashkët me interesa për të mbrojtur interesat e tyre, duke kapur Policinë e Shtetit nëpërmjet Ilir Prodës. Të paktën, këto janë ato që kemi diskutuar deri më sot.

Në lidhje me inkriminimin e Policisë së Shtetit, unë kam thirrur në interpelancë ditën e nesërme edhe ministrin e Brendshëm, sepse kjo mazhorancë ka prej kohësh një ligj, që është vettingu i policisë, të cilin e kanë sjellë vetë dhe e kanë formuluar vetë, por që qartazi nuk ka funksionuar, sepse ndër vite është rritur si hetimi ndaj policisë, ashtu edhe arrestimet e efektivëve të policisë, pikërisht për lidhjet e tyre me krimin e organizuar.

Duke marrë këtu edhe raste si ai i aeroportit, është e pamundur që në aeroport të mos gjendet asnjë efektiv policie në një rreze prej 20 kilometrash. Qartazi ka pasur implikime të Policisë së Shtetit dhe nuk mjaftoi kjo, por edhe një nga personat që mbeti viktimë, i shoqëruar aty nga Klemend Balili, një figurë e niveleve më të larta të krimit të organizuar, përkatësisht e lidhur me organizatën e Emiliano Shullazit, shoqërohej nga një oficer i lartë me shumë lidhje brenda pushtetit, pasi edhe nipa e kushërinj të tij punojnë në poste drejtuese të shtetit. Ky ishte një oficer i AMP-së, pra i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore.

Pra, personi që duhet të mbikëqyrë policinë që të mos ketë lidhje me krimin, ishte vetë te krimi. Këto nuk janë të rastësishme. Rastësi mund të jetë një rast apo dy, por jo kur janë qindra të tilla. Ne e kemi nisur këtë debat që nga avionët me drogë: nuk mund të nisen avionë nga Shqipëria apo të ulen në Shqipëri pa e ditur policia apo ushtria, sepse janë të gjitha mekanizmat që shteti ka për t’i parandaluar këto akte kriminale dhe trafikun e drogës.

Në rastin konkret, kemi një qeveri që nuk kërkon t’i parandalojë, por është pjesë e këtij biznesi dhe një pjesë e mirë e burimeve financiare të pushtetit dhe të qeverisë, që përdoren edhe gjatë fushatave elektorale, vijnë pikërisht nga krimi i organizuar.

Të presësh që kjo të pranohet, është njësoj si të presësh që, kur kap hajdutin, të thotë që është hajdut, ose që, kur kap vrasësin, të thotë që është vrasësi. Kriminelët gjithmonë thonë që janë të pafajshëm. Por në këtë rast kemi të bëjmë me prova të faktuara, si në Shqipëri, ashtu edhe në planin ndërkombëtar.

Nuk mund të themi që shefi i krimeve në Vlorë pavarësisht se ne e kemi denoncuar dhe mund të pranojmë që qeveria nuk e dinte por tani që e di, çfarë ndryshimesh ka në strukturën policore të Vlorës? Zero.

Edhe në rastin e emërimit të drejtorit të përgjithshëm të policisë, në qoftë se qeveria do të kishte shqetësimin për të pasur një polici të shtetit dhe jo të pushtetit, në vend të një emërimi të ndikuar nga Belinda Balluku një person nën hetim, që në fakt duhet të ishte në burg dhe është fatkeqësi që është jashtë — do të kishte vendosur dikë që nuk ka lidhje dhe marrëdhënie të tilla.

Jo sepse e themi ne, por sepse e thotë raporti i OSBE-ODIHR-it. Pra, nëse qeveria do të donte të bënte diçka dhe nuk beson opozitën, mund të besonte raportin e OSBE-ODIHR-it.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco