Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Qytetarët në shesh, Rama turizëm në Zvicës

Aeroporti i Vlorës, në kantier dalin emra të lidhur me afera korrupsioni në Kosovë

Aeroporti i Vlorës, në kantier dalin emra të lidhur me afera korrupsioni në Kosovë

13:50, 01/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Me afrimin e sezonit veror, aeroporti i Vlorës vijon të mbetet i bllokuar, pa një afat konkret për nisjen e fluturimeve. Ngërçi është krijuar nga përplasja mes dy ortakëve të shoqërisë Vlora International Airport: MABCO e Behgjet Pacolli, që zotëron 98% të aksioneve, dhe 2A Group e Valon Ademi, me vetëm 2%.

Por pavarësisht kësaj pakice minimale në aksione, 2A Group ka arritur të marrë kontrollin faktik të menaxhimit përmes vendimeve absurde të ndërmjetme gjyqësore, duke vendosur si administrator Vegim Hoxhën dhe duke përjashtuar përfaqësuesit si dhe nënkontraktorët e MABCO-s nga kantieri.

Në këtë kontekst, çështja nuk lidhet më vetëm me konfliktin mes ortakëve, por edhe me profilin e njerëzve që po drejtojnë realisht projektin në terren.

Më herët është raportuar se Valon Ademi ka lidhje të konsoliduara biznesi me persona pranë pushtetit në Tiranë, lidhje që, sipas këtyre raportimeve, kanë ndikuar në bllokimin e projektit përmes vendimmarrjeve gjyqësore, ndërsa paralelisht është tentuar të ndikohet edhe opinioni publik përmes mediave, me synimin për të rritur peshën e tij në investim.

Lidhjet e Valon Ademit me pushtetin në Tiranë

Image

Disa muaj më parë, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në kuadër të hetimeve të SPAK, ushtruan kontrolle në banesat dhe zyrat e disa biznesmenëve të përfshirë në tenderat e rrugëve nën administrimin e Belinda Balluku. Një prej tyre ishte Arbër Abazi, i cili ka lidhje familjare me zv.kryeministren, pasi bashkëjeton me vajzën e tezes së saj.

Kontrollet ndaj Arbër Abazit lidhen me procedurat e tenderimit për lotët e Unazës së Madhe të Tiranës.

Kompania e tij, “Alko Impex General Construction”, rezulton të jetë degë e një kompanie me të njëjtin emër të regjistruar në Kosovë, në pronësi të Imer Ademi, babait të Valonit.

Arbër Abazi rezulton të jetë administrator i njërës nga kompanitë e Valon Ademit dhe i emëruar nga Valon Ademi si anëtar i bordit të Vlora International Airport.

Image

Ky detaj krijon një hallkë të drejtpërdrejtë lidhjeje mes biznesit të Arbër Abazit në Shqipëri dhe rrethit të Valon Ademit në Kosovë.

Akuzat për korrupsion me fondet publike në Kosovë

Image

Paralelisht, i njëjti grup shfaqet i përfshirë edhe në një aferë të dyshuar korruptive në Kosovë. Së fundmi, si drejtues teknik i punimeve në aeroportin e Vlorës është emëruar Nebi Luzha, një emër i përmendur në këtë çështje.

Shiko faksimilen poshtë:

Image

Sipas një investigimi të medias Periskopi, kompania “2A Group”, në pronësi të Valon Ademit, dyshohet se ka përfituar 378,951.39 euro nga Ministria e Infrastrukturës në Kosovë për punime që “nuk janë kryer fare” dhe “as nuk kanë ekzistuar si të tilla”. Pagesa është kryer mbi bazën e dokumenteve të firmosura edhe nga Nebi Luzha, në cilësinë e menaxherit të kontratës.

Në këtë projekt, “2A Group” ishte pjesë e një konsorciumi ku përfshihej edhe “Alko Impex”, kompania në pronësi të Imer Ademit, duke konfirmuar bashkëpunimin e drejtpërdrejtë mes këtij rrethi biznesi.

E njëjta skemë lidhjesh shfaqet edhe në Shqipëri, ku “Alko Impex” operon përmes kompanisë së lidhur me Arbër Abazin, i cili rezulton i përfshirë në tendera publikë dhe nën hetim nga SPAK.

Në këtë mënyrë, krijohet një zinxhir i qartë: Valon Ademi përmes “2A Group” bashkëpunon në Kosovë me “Alko Impex” të Imer Ademit, ndërsa e njëjta kompani lidhet në Shqipëri me Arbër Abazin, i afërt me Belinda Ballukun dhe subjekt i hetimeve për tendera publikë.

Pra, në kantierin e aeroportit të Vlorës ai që nisi si një konflikt mes ortakësh, ka degraduar në një rrjet të ndërthurur njerëzish që kanë probleme me drejtësinë dhe udhëhiqen nga interesat personale, që shfaqen njëkohësisht në Shqipëri dhe në Kosovë dhe që sot kanë në dorë kontrollin real të një prej investimeve më të rëndësishme strategjike në jug të vendit.

Standartet e sigurisë në aeroport ende të paverifikuara

Image

Por skandali thellohet duke parë mënyrat se si kontrolli i aeroportit është mbajtur në këmbë: përmes një serie vendimesh gjyqësore të përkohshme që në vend të shpejtojnë punimet, i kanë dhënë një pakice kontroll absolut.

Prej më shumë se një viti, MABCO ka kërkuar në mënyrë të përsëritur një verifikim të plotë teknik të punimeve në kantier, duke përfshirë terminalin, objektet shoqëruese dhe elementët kritikë të sigurisë si pista (runëay), taxiëay, sistemi AGL dhe apron area. Këto kërkesa janë refuzuar në mënyrë kategorike nga 2A Group dhe administratori i saj, duke u mbështetur në vendime gjyqësore që praktikisht kanë krijuar një “zonë të mbyllur” ku kontrolli i shumicës nuk lejohet.

Refuzimi për të kryer verifikime të punimeve duhet parë me kujdes pasi vë në dyshim standardet e sigurisë të aeroportit. Verifikimi i punimeve në këtë rast është detyrim teknik dhe ligjor. Dhe ky refuzimi, i mbrojtur nga vendime gjyqësore, e çon situatën nga një konflikt biznesi në një çështje që prek interesin publik.

Në mungesë të çdo reagimi institucional, pavarësisht informimeve dhe kërkesave të përsëritura, MABCO është detyruar të kërkojë një zgjidhje të jashtme, duke hyrë në fazën e nënshkrimit të një kontrate me kompaninë ndërkombëtare SGS për një audit të pavarur teknik.

Por edhe ky hap mbetet i pasigurt. Nëse deri më sot një investitor me 98% nuk ka arritur të ushtrojë të drejtën minimale për të kontrolluar punimet e veta, çfarë vlere ka prona në Shqipëri? Aq më tepër kur uzurpimi i saj ndihmohet nga një vendim absurd i gjykatës?

Ndaj në këtë pikë, aeroporti i Vlorës është kthyer në një test të trefishtë, për funksionimin e drejtësisë që i shërben pushtetit, për standardet e sigurisë në investimet strategjike që janë vënë në dyshim dhe për mënyrën se si interesat private arrijnë të marrin peng projekte publike me peshë kombëtare, njësoj siç veprojnë organizatat kriminale. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco