Negociata dhe ndërhyrje tokësore në Iran? - Andoni: Lufta do zvarritet, tregjet dhe bursat më të goditura!

17:36, 29/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Konflikti në Lindjen e Mesme ka futur botën në një spirale ankthi, ndërsa pasojat e tij ndihen në çdo cep të globit, nga rritja e çmimit të karburantit dhe ushqimeve bazë, deri te pasiguria për të ardhmen.

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv nën moderimin e Edvin Parrucës, analisti Ben Andoni u shpreh se ndërsa flitet për negociata, lëvizjet ushtarake dhe kërcënimet e ndërsjella e bëjnë situatën të paqartë dhe të rrezikshme, duke ngritur pyetjen thelbësore: a po shkojmë drejt një zgjidhjeje apo drejt një përshkallëzimi katastrofik?

Sipas tij, situata aktuale është një lojë shahu strategjike, ku të dyja palët po përpiqen të maksimizojnë përfitimet përpara vendosjes së një status quo-je të re. Parashikimet fillestare për një fushatë të shpejtë ushtarake kanë dështuar, theksoi Andoni, duke treguar se Irani, ngjashëm me Ukrainën, ka pasur vite që përgatit doktrinat e tij mbrojtëse.

Në qendër të këtij konflikti qëndron lufta ekonomike dhe kontrolli i pikave strategjike. Irani ka treguar aftësinë për të përdorur si armë ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për tregtinë botërore të naftës, duke ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe duke i krijuar vështirësi të mëdha fuqive rajonale si Arabia Saudite.

Andoni vlerëson se administrata aktuale amerikane mund të ketë nënvlerësuar kompleksitetin e situatës, duke besuar se presioni ushtarak do të ishte i mjaftueshëm për të gjunjëzuar Teheranin.

Por nëse Irani arrin t'i mbijetojë këtij presioni, shton më tej Andoni, kjo do të konsiderohej një fitore strategjike për të.

Po shikoj që po mendohet që të vendoset një status quo, ku të dyja palët duan të fitojnë sa më shumë. E parë nga, e parë nga, le të themi nga këndvështrimi i aleatëve, ne dhe jemi pjesë e kampit perëndimor, duket që parashikimet nuk kanë qenë realisht të qarta dhe besimi se lufta do mbaronte shumë shpejt me gati një ekspeditë ushtarake, janë rrëzuar. Amerikanët i kanë paraprirë dekada më të para dhe një ndër vizionarët më të mëdhenj të botës gjeostrategjike të tyre, ndër këshilltarët e atyre kohëve, Brzezinski, kur trajtonte problemin e Iranit, thoshte atë që më vonë u bë doktrinë e marrëdhënieve me, jo thjesht me Iranin por dhe me fuqitë antagoniste të Amerikës, domethënë t'i afroheshim nëpërmjet negociatave, të mundoheshim nëpërmjet marrëdhënieve ekonomike dhe ato dalëngadalë të ndikonin në pjesën e regjimit për t'i kthyer sa më funksionale për shtetin amerikan. Një gjë e tillë u hodh poshtë nga zoti Trump. Ai duke i besuar më shumë në pjesën e fuqisë parashikuese, gjykuese të Izraelit, që i dha prova në fakt, mendonte se gjithçka do përfundonte lehtë.

Irani, ashtu si Ukraina para saj, kanë pasur vite që kanë përgatitur doktrinat e tyre mbrojtëse. Sepse çdo vend, që në kohë të caktuar, sidomos kur gjendet përballë rreziqeve, përcakton doktrina mbrojtje. Dhe doktrina mbrojtëse e Iranit, duke pasur parasysh me kohë që ata e bënë Ngushticën e Hormuzit, e bën jashtëzakonisht efikase për tregtinë dhe ju e dini që fuqizuan shumë, që në këtë kohë kapën edhe Detin e Kuq, bën që të kuptonin atë se ç'bënte fuqia ekonomike mbi fuqinë ushtarake, mbi fuqinë politike. Dhe po ta shikoni me kujdes në orët e fundit, fillimi i sulmeve të tyre, të Huthve në Detin e Kuq, ka krijuar shumë probleme për Arabinë Saudite që ka kërkuar alternativa të tjera për eksportin e naftës. Ju e dini Arabia Saudite është vendi i parë, Irani është vendi i katërt për sa i përket naftës. Kurse për gazin, Irani është vendi i dytë në botë.

Në të gjithë këtë kohë, duket se janë marrë nga administrata e re amerikane, ku kuptohet që zëri i këshilltarëve është shumë i dobët, madje është shumë i dobët edhe zëri i sekretarit të shtetit para zotit Trump, që një sulm i tillë do e dobësonte dhe do e rrëzonte Iranin. Ju e dini që në orët e fundit, një njeri i cili tani është më protagonist mediatik, përveç ministrit të jashtëm, është dhe kreu i parlamentit të tyre, përveç presidentit të vendit Pezeshkian, po mundohen dhe kanë filluar me kohë të ngrenë në pjesën e status quo-s së tyre bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por problemi është tani që përfitimet që kërkon Irani janë shumë më tepër sesa ato me të cilat diktonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe sinjalin më të madh, ju e dini në orët e fundit e ka dhënë presidenti Erdogan, i cili realisht e ka përcaktuar këtë luftë të pakuptimtë dhe mbi të gjitha shumë vuajtëse për njerëzimin. Sepse pasojat në fakt, po i vuajnë jashtëzakonisht, po i vuan njerëzimi. E para sepse janë vështirësuar shumë zinxhirët e furnizimit, por e dyta, pjesa e paparashikimit, e cila ndikon shumë në tregjet dhe sidomos në konsum dhe bursat, po shkatërron gati besimin e institucioneve ekonomike në fuqitë politike kryesore.

Duket se një fitues i madh në këtë kohë është Rusia. Është pak më e zbehur Kina, Kinës i janë zbehur pak këto burimet kryesore. Por, por kinezët me zgjuarsinë e tyre, kishin kohë që e kishin parashikuar këtë. E para kishin ndërtuar depozitat lundruese, por e dyta kanë filluar të përshtatin pjesën e furnizimit nga Rusia. Në të gjithë këtë kohë unë po mendoj që nuk mund të parashikosh në këtë moment fundin e luftës dhe unë besoj nuk do ketë fund, vetëm do ketë një zvarritje të jashtëzakonshme. Por lajmi i mirë është që ka rënë intensiteti i goditjeve. Dhe kjo do të thotë që të dyja palët tashmë po kursen jashtëzakonisht dhe vetëm në ditët në vazhdim do të shohim që inkursioni i forcave tokësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do vendoset në punë apo jo. Atëherë realisht do jemi para një lufte dhe nuk e di se çfarë pasojash mund të llogarisim.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco