Tronditëse, Bushkolaj: 120 shqiptarë çdo ditë braktisin vendin, shifrat rrëzojnë propagandën

17:56, 28/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Elkier Bushkolaj ka qenë i ftuar në një intervistë në Syri tv, me moderatoren Armela Ferko. Ai ka trajtuar problemin e emigracionit masiv të shqiptarëve nxitur kjo nga politikat e Rilindjes dhe mungesën e angazhimit të qeverisë shqiptare për të bërë të mundur ndalimin e këtij eksodi masiv.

Sipas Bushkoljat një fenomen i ri dhe alarmues po thellon krizën demografike në Shqipëri. Emigrimi nuk është më një zgjidhje vetëm për të rinjtë që kërkojnë një jetë më të mirë; ata tani po marrin me vete edhe prindërit, në një eksod që duket se nuk ka më kthim pas. Dy janë arsyet kryesore që po i detyrojnë familjet të shpërngulen tërësisht: kostoja e papërballueshme e jetesës dhe kolapsi i sistemit të kujdesit shëndetësor.

Kostoja e lartë e jetesës për familjet e reja shqiptare e ka bërë thuajse të pamundur krijimin e një familjeje, duke i detyruar të rinjtë ose të shtyjnë lindjen e fëmijëve, ose të largohen përfundimisht nga vendi. Ndryshe nga eksodi i viteve më parë, kur ekzistonte shpresa e një rikthimi pas një stabilizimi ekonomik, largimet e tanishme po marrin formën e një shpërnguljeje pa biletë kthimi.

Ky realitet i zymtë konfirmon se edhe brezi i parë i emigrantëve, ata që u larguan në vitet '90, nuk po kthehen më. Tashmë gjyshër, ata zgjedhin të qëndrojnë pranë familjeve të fëmijëve të tyre jashtë vendit.

Në vend që fondet publike të investoheshin në sektorë produktivë si bujqësia, blegtoria apo turizmi për të gjeneruar punësim dhe për të mbajtur njerëzit në vendin e tyre, miliona euro janë shpenzuar për projekte fasadash në kuadër të "Rilindjes Urbane" në qytete që po braktisen dita-ditës, si Erseka, Rrësheni apo Kruma.

Qytetet që dikur gëlonin nga jeta, si Durrësi, Fieri apo Shkodra, jashtë sezonit turistik të verës, shndërrohen në zona fantazmë.

Elkier Bushkolaj: Është bërë një kosto jetese, po themi e papërballueshme për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare dhe kjo i detyron këta të rinj që ose të shtyjnë krijimin e familjes, pra lindjen e fëmijëve, ose të zgjedhin rrugën e eksodit. Dhe për fat të keq, ajo që është më e rënda, nëse dikur eksodi ka qenë një tren që kishte dhe një rikthim pas, pra pas një stabilizimi në aspektin ekonomik, ka pasur një kthim që ka qenë, po themi, një fenomen i regjistruar deri në 2008-ën apo në 2009-ën. Tashmë ky fenomen është zhdukur dhe po ndodh një fenomen tjetër, që shumë çifte të reja po marrin dhe prindërit nga Shqipëria, për t'i pasur më pranë në Itali.

Kjo së pari lidhet me, ndihmën që mund t'i japin, po themi një familje të re, një çift i moshuar i shpërmbajtjen e fëmijëve dhe e dyta, ajo çfarë është ndër arsyet kryesore, me sa kemi konstatuar dhe në redaksinë e Syri Televizion me ato materiale që ne bëjmë, lidhet edhe me çështjen e kujdesit shëndetësor. Pra kostot e rritura për kujdesin shëndetësor në Shqipëri, mbyllja e spitaleve. Tani që flasim, ne kemi shërbim mjekësor efiçent vetëm në Tiranë. Edhe aty duhet llogaritur radha apo duhet llogaritur kostot shtesë si qëndrimi, vajtje-ardhje. Të gjitha këto kanë bërë që shumë qytetarë shqiptarë që jetojnë veçanërisht në vendet e Bashkimit Europian, t'i marrin edhe prindërit e tyre pranë vetes. Kuptohet, kostot janë shumë të rënda, por të thashë, kjo tregon që nuk kanë plan rikthimi më.

Dhe ne duhet të kemi parasysh që largimi i brezit të parë, pra po themi nga viti '90 deri në vitin '95, sot shumica prej tyre, një pjesë e mirë e tyre janë bërë gjyshër. Çfarë do të thotë? Do të thotë që shumë prej tyre zgjedhin që të qëndrojnë në ato vende për t'u qëndruar pranë familjeve të reja të fëmijëve të tyre dhe të mos kthehen më në Shqipëri. Të vetmit që bënë një tentativë rikthimi në Shqipëri ishin një target grup pensionistësh që u reklamuan shumë nga qeveria, por për shkak të rritjes së kostove të jetesës, edhe ato në qytete si Durrësi, Vlora po themi, apo ndoshta dhe Lushnja dhe Fieri, shumë më pak Tirana, dhe ato tani po zgjedhin që të rikthehen sërish në, në vendin e tyre në Itali.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco