Në fjalën e tij gjatë takimit për çështjet sociale në Partinë Demokratike, Aulon Kalaja, drejtues i departamentit për mbrojtjen e familjes dhe kundër politikave të shpopullimit, theksoi se mungesa e përcaktimit të minimumit jetik në Shqipëri po ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në rritjen e varfërisë, por edhe në përshpejtimin e fenomenit të emigrimit.
Ai paralajmëroi se kjo situatë po çon në përjashtimin e qytetarëve nga vetë vendi i tyre, duke e kthyer çështjen në një problem serioz social dhe demografik.
Aulon Kalaja: Nga ky diskutim i një niveli shumë të lartë përsa i përket çështjes së minimumit jetik, edhe të përgëzoj për organizimin edhe për të gjithë folësit që mbajtën fjalën këtu, sepse në fakt është hera e parë, në aq sa mbaj mend unë, që një parti politike ka një platformë kaq serioze përsa i përket minimumit jetik. Dhe gjithë pyetja që shtrohet sot, unë do flas vetëm 60 sekonda, është pse qeveria shqiptare nuk e përcakton kufirin e varfërisë? Besoj se këtu u dha një përgjigje e saktë edhe e qartë. Zoti Berisha tha pak më herët, një moment që më ngacmoi, përjashtimi i shqiptarëve nga shoqëria. Këtë sjell mosshpallja e minimumit jetik. Unë do të shkoja pak më lart, duke e lidhur dhe me departamentin që unë drejtoj, që në fokus ka familjen dhe politikat kundër shpopullimit, unë gjykoj që këtu kemi përjashtimin e shqiptarëve jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga Shqipëria.
Dhe për këtë çështje, ditën e sotme, jo më larg, Eurostati ka shpallur një studim që na thotë, ne jemi të tretët pas Marokut dhe pas Sirisë, përsa i përket shpopullimit të vendit. Ajo merr një të dhënë shumë të saktë nga vendet e Bashkimit Europian dhe na tregon neve për 48.000 shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Europian. Pra ne lëmë mbrapa vetëm Sirinë dhe Marokun. Unë hyra dhe kërkova popullsinë e këtyre vendeve. Maroku ka gjithsej 37 milionë banorë. Siria, në gjendje lufte, ka gjithsej 25 milionë banorë. Shqipëria ka gjithsej 2.4 milionë banorë.
Unë jam skeptik edhe për këtë shifër, ne e kemi shpallur botërisht qëndrimin tonë që në Shqipëri nuk jetojnë 2 milionë e 400 mijë banorë. Kjo është një shprehje që kryeministri e tha në Lezhë dhe siç e tha ai që në Shqipëri tha jetojnë 2 milionë e 400 mijë banorë e shpalli Instati pastaj sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një institut statistikash. Patjetër dhe unë atëherë, domethënë në programin e Partisë Demokratike kemi parashikuar dhe një komision hetimor parlamentar për censusin që këta kanë bërë. Pra, përjashtimi i shqiptarëve nga Shqipëria sigurisht që vazhdon nga minimumi jetik që për mendimin tim është çështje dinjiteti mbi të gjitha.
© SYRI.net