Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit e ka kthyer Kuvendin e Shqipërisë në një "bunker personal" për t'u mbrojtur nga drejtësia dhe për të shpëtuar bashkëpunëtorët e tij të afërt, si në rastin e ministres Belinda Balluku.
Gjatë një interviste në SYRI DIGJITAL me moderatorin Bled Marku, Këlliçi denoncoi atë që e cilësoi si kapje të institucioneve dhe përdorim selektiv të drejtësisë për qëllime politike. Sipas deputetit demokrat, rasti i ministres Balluku ishte një "test kritik" për integrimin europian të vendit, një test në të cilin qeveria dështoi.
Ai theksoi se kryeministri Rama injoroi mesazhet e qarta të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë ato të kreut të Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, duke zgjedhur të bllokojë punën e Parlamentit prej dy javësh për të shmangur debatin dhe përgjegjësinë.
"Edi Rama vendosi ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një bunker personal për veten e tij dhe për të mbrojtur Belinda Ballukun," tha Këlliçi, duke shtuar se kryeministri nuk e bën këtë nga shqetësimi për pasojat penale të ministres, por për të mos lejuar krijimin e një precedenti që do t'i hapte rrugën drejtësisë të trokiste edhe në zyrën e tij.
Duke folur për një strategji të mirëmenduar, Këlliçi akuzoi Ramën se përdor drejtësinë në mënyrë të dyfishtë: nga njëra anë për të goditur kundërshtarët politikë dhe nga ana tjetër, për të "sakrifikuar" periodikisht bashkëpunëtorë të tij për t'i hedhur hi syve opinionit publik dhe për të krijuar iluzionin e një lufte kundër korrupsionit. Në këtë kontekst, ai përmendi se në korridoret politike përflitet se "në radhë" për t'u përballur me drejtësinë është edhe Taulant Balla.
Këlliçi denoncoi gjithashtu një nismë të fundit të kreut të Gjykatës së Lartë për unifikimin e masave të paraburgimit, të cilën e sheh si një manovër për të liruar nga burgu kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, më 9 prill. "Qëllimi është ta nxjerrin nga burgu, ta çojnë sërish kryetar bashkie për t'i dhënë mundësinë që të mbrohet duke përdorur fuqinë e pozicionit dhe paratë e qytetarëve," deklaroi Këlliçi.
Në fund, deputeti kritikoi edhe qëndrimin e Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, e cila sipas tij, fajësoi popullin shqiptar për korrupsionin, duke amnistuar në këtë mënyrë qeverinë, e cila mban përgjegjësinë kryesore.
Këlliçi:
Jo vetëm që nuk guxohet të flitet në asnjë media, përveç medias tuaj të nderuar, Syri TV dhe ndonjë televizioni tjetër, sigurisht jo kombëtar, pasi ato janë të gjitha të kontrolluara, katër televizionet kombëtare kontrollohen nga mazhoranca, për shkak se ushqehen me para dhe me fonde publike dhe me para të dislokuara nga kryeministri. Por, tashmë ne, ju e dini zoti Marku, prej dy javësh nuk zhvillohet më as parlament. Ka dy të enjte që janë shpallur resh, të enjte të gjelbërta nga Kuvendi i Shqipërisë, për shkak se na pamundësohet deputetëve pjesëmarrja në seancë për të folur për rastin Balluku, që deri më tani rezulton testi i fundit në të cilin ngeli qeveria shqiptare, ngeli Edi Rama, përsa i përket integrimit europian të Shqipërisë. Vetëm tre javë më parë, në mes të Tiranës, e thënë shkoqur nga kreu i AFET-it, nga kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, zoti McAllister, u dha një mesazh i qartë për qeverinë shqiptare dhe për gjithë klasën politike shqiptare, që rasti Balluku do të ishte një test kritik për integrimin europian të vendit.
Dhe çfarë ndodhi? Vetëm 48 orë në mos gaboj, apo 72 orë pas kësaj deklarate në mes të Tiranës, Edi Rama e mori këtë deklaratë dhe e flaku në koshin e mbeturinave, së bashku me të gjitha qëndrimet e tjera të partnerëve tanë ndërkombëtarë, së bashku me qëndrimet e gjermanëve, së bashku me qëndrimet e amerikanëve, së bashku me thirrjet e Departamentit Amerikan të Shtetit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, Edi Rama vendosi ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një bunker personal për veten e tij dhe për, në këtë rast, përfitoi Belinda Balluku. E kam thënë me dhjetra herë dhe nuk do lodhem së përsërituri. As nuk i kërcet fare Edi Ramës për faktin apo pasojat penale të Belinda Ballukut, sepse deri më tani ai e ka treguar që të gjithë bashkëpunëtorët e tij i ka çuar para drejtësisë sa herë i është...
Problemi është vetëm te vetja e tij, personi i tij. Edi Rama mbrojti Ballukun për shkak se nuk lejoi vendosjen e precedentit për të shkuar nesër drejtësia për të trokitur në zyrën e tij. Sepse arritën t'i futen në paradhomë, arritën t'i futen te Balluku, tentuan t'ia marrin dhe t'ia arrestojnë Ballukun dhe sigurisht po të ndodhte ky skenar, nesër fare mirë, me të gjithë vjedhjet, bëmat dhe dëmet që i ka bërë ky kryeministër këtij vendi dhe buxhetit të shtetit, me shumë të drejtë një drejtësi normale, edhe deri diku e pavarur, jo tërësisht e pavarur, do të trokiste dhe do të duhej të trokiste në zyrën e kryeministrit. Se mjafton vetëm afera e inceneratorit të Tiranës, ku kryeministri ka një rast të paprecedent, unikal në botë, të denjë për rekordet Guinness, ku ka firmosur me firmën e tij dhënien e bonusit prej 8% pikëve një kompanie që u krijua tetë muaj më vonë nga kjo firmë.
Mjafton vetëm me kaq që Edi Rama të shkojë para drejtësisë për minimumi shpërdorim detyre, gjë që duke nisur nga dita e sotme Parlamenti Europian e konsideron vepër penale dhe që Edi Rama së bashku me kartonat e tij në parlament, do tani që të ndryshojë dhe kodin e procedurës penale për të lehtësuar dhe për të favorizuar të korruptuarit. Sikundër është nisma më e fundit, dhe faleminderit që më pyete për këtë çështje, e Sokol Sadushit, kreu i Gjykatës së Lartë, për të marrë një vendim unifikues përsa i përket masave të paraburgimit, për të nxjerrë të vetmin zyrtar në detyrë sot, se nuk ka zyrtar tjetër të shtetit shqiptar, zyrtar të lartë, i cili ndodhet në paraburgim, përveç Erion Veliajt, për ta nxjerrë në datën 9 Prill Erion Veliajn nga burgu, për ta çuar sërish kryetar bashkie, për t'i dhënë mundësinë që të mbrohet duke përdorur fuqinë që të jep pozicioni si kryetar bashkie i Tiranës dhe duke përdorur mediat dhe paratë e qytetarëve të Tiranës. Pra thënë këtë, sot tentativa është tejet e qartë dhe ka shkuar deri në fund.
E vrasjes totale të çdo lloj shprese apo iluzioni që mund të ketë patur ndonjë shqiptar, që në Shqipëri edhe mund të ketë një drejtësi të pavarur. Kësaj i vjen në ndihmë dhe vendimmarrja e ditës së djeshme për të amnistuar penalisht Irena Gjoka Shpata Manekun, e cila është e kapur me dokumenta autentike në mashtrim me formularin e vetëdeklarimit, në shkelje të ligjit dhe minimalisht do të duhej të mos ishte më në detyrë si gjyqtare pranë GJKKO-së, madje ka qenë dhe për tre vite me radhë kryetare e GJKKO-së, e shkallës së parë. Por ajo që ndodhi dhe në rastin e Manekut, përfaqëson të njëjtën qasje që ka Edi Rama në raport me institucionet e drejtësisë, në raport me përdorimin e drejtësisë kur i duhet për të luftuar kundërshtarin politik, për të burgosur liderin e opozitës, për të marrë zvarrë ish-presidentin e Republikës, për të goditur drejtues të partive politike të opozitës, dhe kur i volitet atij për t'i hedhur një kockë opinionit publik, apo për t'i hedhur gjak turmës, ëh, shërben ndonjë ish-ministër, apo ndonjë kryetar bashkie në detyrë, apo ndonjë bashkëpunëtor i tij, apo ndonjë deputet siç ishte Jorgis Çyrbja, apo mund të këpusi siç flitet ditët e fundit, Taulant Balla shumë shpejt. Prandaj dhe e ka graduar, e ka sjellë drejtues politik në Tiranë, që kur t'ia marrin të thotë që, ja, morëm një politikan të nivelit të lartë, çfarë doni, mjaftohuni me kaq dhe për t'i hedhur hi syve qytetarëve.
Unë s'e di si është Balla akoma jashtë, nuk e di, por ajo që përflitet fare lirisht në të gjitha dhomat informale të politikës, edhe në të gjitha tavolinat informale të politikës, jo vetëm Balla, por janë një sërë bashkëpunëtorësh të Edi Ramës që janë me me afat skadence përsa i përket fatit të tyre penal po flas. Por, të mbetemi te thelbi. Pra, sa herë që Edi Ramës i nevojitet një statistikë, sa herë që i nevojitet një çorientim i opinionit publik, apo një shitje imazhi sikur në Shqipëri drejtësia me të vërtetë është e pavarur dhe po godet të korruptuarit, ai lëshon nga një bashkëpunëtor të tij për drejtësinë në mënyrë që ta shtyjë dhe dy muaj apo tre muaj debatin e mbrëmjeve, opinionin publik ta mbarsë me idenë që në Shqipëri paska një drejtësi të pavarur që godet në mënyrë të paanshme, majtas, djathtas, në qendër, me apo pa parti, të korruptuarit. Aktet janë krejt të ndryshme. Pra, përpos propagandës, përpos fjalëve, ku shkëlqeu dy ditë më parë apo tre ditë më parë komisionerja për zgjerimin Marta Kos, që bëri me faj popullin shqiptar, që janë të korruptuar dhe nuk bën me faj qeverinë shqiptare që është më e korruptuara në Europë. Pra u gjet dhe një formë për ta amnistuar Edi Ramën. Nga dita e martë në mos gaboj, për komisioneren e Bashkimit Europian për zgjerim, zonjën Kos, zyrtarisht nuk e ka fajin Edi Rama që vjedh, që qeveria, që vjedhin bashkëpunëtorët, që vjedhin ministrat, që vjedhin kryetarët e bashkive, por fajin e ka populli shqiptar ose populli socialist, ç'rëndësi ka. E ka populli. Është nocion abstrakt. Sa herë i duhet politikës populli, është kjo ideja që është populli. I vihen të gjitha fajet në kurriz të popullit dhe ëngjëjt që janë në kabinetin e Edi Ramës nuk kanë asnjë faj. Ato nuk e dinë që është ngrënë dardha, molla, pjeshkë edhe kumbulla prapa kurrizit të tyre.
© SYRI.net