Goditja nga Brukseli - ‘Shpërdorimi i detyrës, vepër penale’, Vasili: Rama gënjeu, bën ligje të mbrojë veten

15:37, 27/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka komentuar miratimin e direktivës së parë të Bashkimit Evropian kundër korrupsionit nga Parlamenti Evropian, duke e cilësuar atë si një zhvillim me rëndësi historike që vendos një standard të ri dhe të pakompromis në luftën ndaj këtij fenomeni. Sipas tij, ky akt i Brukselit demaskon drejtpërdrejt strategjinë e Kryeministrit Edi Rama, i cili akuzohet se ka gënjyer publikisht dhe po tenton të përdorë parlamentin për të krijuar një mburojë ligjore për veten.

Në një intervistë për Syri tv me moderatoren Eneida Ndoci, Vasili theksoi se risia kryesore e kësaj direktive për Shqipërinë është detyrimi ligjor për të mbajtur në Kodin Penal nenin për "shpërdorimin e detyrës". Ai vuri në dukje se kjo vjen në kundërshtim të plotë me deklaratat e pak javëve më parë të Kryeministrit Rama, i cili kishte paralajmëruar heqjen e këtij neni. "Edi Rama gënjeu publikisht. Nuk kishte një direktivë që e hiqte këtë nen; direktiva e miratuar dje bën pikërisht të kundërtën. Neni i shpërdorimit të detyrës do të jetë aty dhe nuk do të lëvizë, dhe kushdo që ka guxuar ta heqë, do ta rikthejë sërish," deklaroi Vasili.

Sipas ish-deputetit, kjo lëvizje e Ramës është pjesë e një strategjie të re, ku ai ka hequr dorë nga mbrojtja ndaj akuzave konkrete për korrupsion, si ato për inceneratorët, Portin e Durrësit apo çështjen Becchetti. "Ai ka hequr përfundimisht dorë nga çdo përpjekje për t'u mbrojtur ndaj akuzave. Strategjia e re është të përdorë deri në fund parlamentin për të bërë ligje për të mbrojtur veten. E ka pranuar botërisht që është i korruptuar, por tani kërkon të fshihet pas ligjeve të paligjshme," u shpreh ai.

Duke e quajtur Shqipërinë një "narkoshtet", ai shtoi se përballja mes qeverisë së korruptuar dhe Evropës tashmë do të jetë shumë më e fortë dhe pa kompromise. Në këtë kontekst, kauza e opozitës kundër korrupsionit mbetet thelbësore, pasi sipas tij, ky fenomen ka shkatërruar shtetin dhe ka hapur rrugën për krimin e organizuar.

Eneida Ndoci: Zoti Vasili, do të doja që të flisnim së bashku për miratimin e ditës së djeshme në parlamentin Europian për direktivën e parë të BE-së kundër korrupsionit, e cila në këtë rast do t'i krijojë një kuadër të harmonizuar të së drejtës penale për të parandaluar dhe për të luftuar korrupsionin. Ju keni bërë një analizë të thellë të kësaj në rrjetin social tuajin Facebook. Do të doja të dija pak këndvështrimin tuaj sa i përket kësaj gjëje.

Petrit Vasili: Po, është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Përfundimisht është përcaktuar në mënyrë të pa ekuivok që korrupsioni është armiku më i madh i çdo shteti dhe i Evropës në tërësi, e cila është një fenomen që dobëson në mënyrë ekstreme shtetet, por njëkohësisht dobëson shumë dhe Evropën. Dhe tani lufta ndaj këtij fenomeni është pa kompromis. Cila është rëndësia e veçantë? Rëndësia e veçantë është që masat ligjore tashmë shtrëngohen shumë dhe një risi që lidhet tashmë dhe me Shqipërinë, për të qenë më konkret edhe për teleshikuesit që na ndjekin, është që në mënyrë të veçantë abuzimi me detyrën, shpërdorimi i detyrës, që njihet në kodin penal të Republikës së Shqipërisë, por edhe në kode të tjerë, evropiane, sot është një detyrim ligjor që të jetë në këto kode dhe kushdo shtet që ka marrë iniciativën për ta hequr nga kodi penal, Italia ishte një shtet i tillë, detyrohet që ta rikthejë në legjislacionin e vet.

Për çfarë arsye? Arsyeja është sepse me abuzimet me detyrën, me shpërdorimet e detyrës, krijohen dëme shumë të mëdha ekonomiko-financiare, krijohen premisa që korrupsioni vetëm të përparojë dhe të mos ndalet dhe si i këtillë, ai nuk mund të luftohet.

Tani të vijmë në Shqipëri. Dhe ky është dhe momenti shumë i rëndësishëm dhe këtu besoj të gjithë ata që na ndjekin janë kurioz të dinë. Edi Rama pak javë më parë, ju e keni dëgjuar kur ka thënë që duhet të heqim sa më parë nenin e shpërdorimit të detyrës nga kodi penal në kuadrin e atyre rishikimeve të kodit penal. E mbani mend këtë gjë, sepse është një nen që të gjithë e kanë hequr e tjerë... E vërteta është prapë edhe për më tepër, sigurisht Edi Rama pa gënjyer dhe pa mashtruar nuk jeton dot, sepse tha, njëkohësisht, është miratuar dhe një direktivë e re e Bashkimit Evropian që e heq këtë gjë. Sot jemi këtu para teleshikuesve tuaj dhe gjithë shqiptarëve që na ndjekin, që ta dinë që Edi Rama gënjeu publikisht. Nuk kishte një direktivë.

Direktiva është miratuar dje dhe është pikërisht e kundërta e asaj që thotë Edi Rama. Pra, neni i shpërdorimit të detyrës, pra që të përgjigjen të gjithë zyrtarët që shpërdorojnë detyrën e tyre për qëllime korruptive, do të jetë aty dhe nuk do të lëvizë. Dhe kushdo që ka guxuar ta heqë, do ta rikthejë sërish në legjislacionin vendor. Kushdo nga ata që na ndjek pyet, përse Edi Rama ndërmerr këto, këtë veprim për këtë nen përkatës. Është vendi për ta thënë njëherë e mirë që sot përfundimisht Edi Ramës i ka ndodhur një gjë shumë e rëndë dhe shumë e madhe. Ai ka hequr përfundimisht dorë nga çdo përpjekje për t'u mbrojtur ndaj akuzave. Pra, Edi Rama nuk mbrohet më nga akuzat, nuk thotë që nuk është e vërtetë ky apo ky fakt korruptiv, siç janë me radhë... për Becchettin, nuk thotë më se nuk është e vërtetë për portin e Durrësit, për Eko-parkun sërish në Durrës, për inceneratorët e të tjera, pra nuk thotë më asgjë fare, nuk mbrohet më për këtë gjë, por, sepse fakteve s'ka ç'u bën, por strategjia e re është të përdorë deri në fund parlamentin, të tërë deputetët, ata karavidhet që janë atje në parlament dhe të bëjë ligje për të mbrojtur veten. Pra, e vërteta nuk lëviz, e ka pranuar botërisht që është i korruptuar, po tani meqenëse kam ca vota atje në parlament, do bëj ca ligje që të fshihem, mbas potureve të ligjeve të paligjshme, se këto janë ligje të paligjshme, në mënyrë që të mbroj korrupsionin tim. Dhe ju e patë këtë gjë. Qoftë me nenin e shpërdorimit të detyrës, qoftë me rastin e Ballukut që shkoi deri në gjykatë kushtetuese për t'i dhënë vetes fuqi që nuk mund të pezullohen këta, ai dhe ministrat e tij, dhe sikur të vjedhin varda dhe vjedhin varda, të mos pezullohen, sepse këta me demek janë të pavarur dhe këta s'duhet t'i kontrollojë njeri edhe kur vjedhin të mos t'i pezullojë apo t'i arrestojë apo t'i burgosë njeri fare. Pra, jemi përpara një momenti të ri, të cilin unë kam kënaqësi që e diskutoj me ju. Pra kemi një Ramë që ka pranuar totalisht që është i korruptuar, pra e shikoni vetë dhe në konferencat e shtypit, nuk mbrohet më, nuk thotë që kjo nuk është më e vërtetë, nuk ka as këtë kurajo, po thotë, unë do bëj ca ligje që të fshihem pas tyre. Dhe ky momenti i djeshëm, ku Evropa i shpalli një luftë në front të gjerë pa asnjë kompromis.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Metsola, tha qartë, korrupsioni nuk ka asnjë vend dhe asnjë hapësirë në BE dhe është i patolerueshëm. Mendoni tani përballë kësaj BE-je, ku Edi Rama do të mbyllte negociatat 2027 e të tjera mashtrime, mos të humbasim kohën. Mendoni se sa i papranueshëm, i paarritshëm është ky kandidat anëtarësimi i Shqipërisë në BE me këtë shkallë korrupsioni që ka ky.

Sepse ka dhe një gjë ky korrupsioni, falë një pune goxha të madhe të denoncimit që ka bërë opozita, por dhe media e pakapur, e pa rrëmbyer, ku media me të cilin ne po bisedojmë, Syri, është në vijën e parë të kësaj gjëje, kanë mundësuar dhe u ka bërë shqiptarëve të qartë pa asnjë ekuivok se cili është Edi Rama realisht. Dhe prandaj ky votim i djeshëm, kjo direktivë e djeshme e Parlamentit Evropian, që është një direktivë historike, hera e parë që miratohet një, direktivë e tillë, sigurisht shënon një moment të rikthesës dhe luftën kundër korrupsionit, njëkohësisht dhe e bën përballjen e shtetit të qeverisë së korruptuar të Edi Ramës me Evropën shumë më të fortë dhe më pa kompromis sesa një ditë më parë.

Eneida Ndoci: Zoti Vasili, është shumë, interesante, pasi edhe zoti Berisha në fakt ka folur për vijimin e protestës kombëtare që ka paralajmëruar, që në këtë rast nuk do të merret vetëm me çështjet e zhvillimeve që kanë qenë fokusi i protestave, por në këtë rast do të merret edhe me paktin e korrupsionit dhe problematikat që kanë shoqëruar vendin në këtë prizëm, për të cilën ju edhe folët deri tani. A mund të ketë kjo një lloj tjetër qasje për një vëmendje më të shtuar nga ana e ndërkombëtarëve, nëse pjesë e kauzës do të jetë edhe kjo?

Petrit Vasili: Korrupsioni është dhe mbetet kryekauza e opozitës. Sepse korrupsioni është ai që ka gërryer dhe ka shkatërruar shtetin. Është ai që blen votën. Pra, shkatërron sistemin demokratik, i cili jeton dhe dhe funksionon dhe ekziston si koncept politik, si mënyrë jetese të njerëzve mbi votën. Dhe njëkohësisht, hap hapësira, dritare, dyer, autostrada, krimit dhe narkotrafikut që të bëhen ata qeverisësit e vërtetë të Shqipërisë. Dhe natyrshëm, opozita një sekondë të vetme të lëshonte nga kauza e korrupsionit, do të ishte katastrofike, jo thjesht për të. Po do ishte katastrofike dhe e pakthyeshme për fatet e vendit…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco