'Administrata, gangrenë', Zhulali: Punonjësit e shtetit shërbejnë për abuzime dhe mbledhje votash

09:31, 26/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Administrata publike në Shqipëri është fryrë në nivele alarmante, duke u shndërruar në një barrë të rëndë për buxhetin e shtetit dhe një mekanizëm jofunksional për qytetarët. Një shembull flagrant është Bashkia e Tiranës, ku numri i të punësuarve ka arritur shifrën marramendëse prej 9,158 personash, një ushtri e tërë.

 E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, në Syri Tv, Ilda Zhulali, Anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë, u shpreh se administrata është kthyer në një “gangrenë” që nuk prodhon shërbime për qytetarët, por shërben për interesa të ngushta politike.

“Administrata sot ka dy funksione: të bëjë letrat që shefat të abuzojnë dhe të mbledhë vota për Partinë Socialiste,” deklaroi Zhualali, duke theksuar se mijëra punonjës paguhen nga taksat e qytetarëve pa sjellë asnjë përmirësim real në jetën e përditshme.

Pjesë nga deklarata:

Në Tiranë, numri i punonjësve për Bashkinë e Tiranës ka arritur në 9,158 persona. Policia Bashkiake, për shembull, ka 600 punonjës. Domethënë, ka arritur një shifër kaq të madhe sa nuk përkthehet në shërbime për qytetarët; përkundrazi, këta punonjës të administratës sot, në përgjithësi, kanë dy funksione. Funksioni i parë është që bëjnë letrat për të abuzuar shefat e tyre. Funksioni i dytë është që mbledhin vota për Partinë Socialiste, që të qëndrojë në pushtet. Këto janë bërë dy funksionet bazë të administratës shtetërore sot.

Kjo e ka kthyer të gjithë administratën në një gangrenë të madhe dhe jo në një strukturë që duhet t’i shërbente qytetarëve në përgjithësi; pra, që e gjithë taksa që paguhet nga ne të kthehej në një shërbim për ne në fund të ditës. Tjetër funksion që ka është se kthehet në një barrë për të gjithë ne, sepse, siç thashë, kjo merr një pjesë të madhe të buxhetit të shtetit, të bashkive e kështu me radhë.

Për shembull, në Bashkinë e Tiranës, nga rreth 400 milionë euro ose diçka më shumë që është buxheti, 124 milionë shkojnë vetëm për paga. Pra, në vend që këto para të shkonin për më shumë investime, për t’u përkthyer në shërbime më cilësore për secilin prej nesh, ato shkojnë për paga.

Po le ta marrim se si përkthehet kjo në shërbime. Për shembull, ti ke një superdrejtori të UKT-së. A e ke sot ujin e pijshëm në shtëpi? Ai uji që vjen në çezmë, a është i pijshëm? Jo. A është përmirësuar, si të thuash, shpërndarja, të paktën të ketë një rritje apo një përmirësim të lehtë të shpërndarjes së ujit nëpër Tiranë? Jo vetëm që nuk është kjo, por ka një përkeqësim të ndjeshëm. Dhe ne kemi, për muaj të tërë, për shembull, që Tirana ka vuajtur nga mungesa me orë të zgjatura ose me ditë të tëra të ujit të pijshëm në lagje të caktuara.

Mos marrim pastaj shërbime të tjera, por po marr gjënë më bazike që është uji. Mos flasim pastaj për miliona euro që janë shpenzuar për kanalizimet e ujërave të zeza apo për trajtimin e tyre, që askush nuk e di ku kanë shkuar ato para; po flasim për qindra miliona euro. Dhe jo vetëm që merren para nga taksat, por edhe shërbimet që duhet të merreshin nuk realizohen. Nëse këto para, për shembull, kanë shkuar për investime, se investimet kush do t’i bëjë? Po këta njerëz do t’i bëjnë, këta do t’i ndjekin punët. Mirëpo, në vend që të lidhin kontrata të qenësishme, në vend që të marrin inxhinierë të përgatitur dhe punëtorë që dinë t’i bëjnë punët, këta marrin pastaj njerëz ose kompani, si ajo që kemi parë në Tiranë, një incenerator fantazmë, që në fund të ditës mbetet vetëm një barrë për buxhetin dhe nuk përkthehet në shërbime konkrete.

Pastaj, kulmi i kulmeve, do ta theksoja unë, është ajo që kemi parë jo vetëm në Bashkinë e Tiranës, por edhe në nivel qendror, që është formati i kompanisë 5D. Pra, administrata jo vetëm është aty për të bërë letrat që shefat të abuzojnë dhe të korruptohen, por edhe duke krijuar kompani për vete, pra vjedhin 100% të fondeve të Bashkisë së Tiranës, siç ishte rasti i 5D. Po çfarë pamë në nivelin qeveritar? Çfarë bëjnë drejtorët e Belinda Ballukut? A nuk bëjnë të njëjtën gjë? A nuk te AKSHI kalojmë pastaj në një nivel tjetër, që e kemi në nivel korporatist, ku administrata, bashkë me drejtuesit politikë, por edhe me krimin e organizuar, i vjedhin paratë në formë të plotë dhe nuk i kthejnë në shërbime? Dhe jo vetëm kaq, pastaj thonë që “shiko se edhe na kanë hakeruar sistemin”.

Kjo skemë do të rezistojë ose do të qëndrojë për sa kohë qëndron Partia Socialiste në pushtet, sepse këta e kanë bërë këtë mënyrë qeverisjeje dhe mekanizëm të patronazhimit të votës dhe të mbajtjes së qeverisë përmes formave të korrupsionit. Në qoftë se këtu nuk ka një ndryshim politik, e njëjta gjë do të vazhdojë. Por do të kemi edhe një pasojë tjetër.

Do të kemi edhe një problem tjetër, sepse këta njerëz ndërkohë gjithashtu merren nga tregu i punës. Në vend që këta të ishin në tregun e lirë të punës dhe të punonin punë që kërkohen sot, për shembull në biznes, apo të ishin në bujqësi, në prodhimin industrial, sot këta kthehen në parazitë që punojnë në shtet dhe janë aty vetëm për të marrë rrogë. Dhe nuk bëjnë as punën për të cilën mund të ishin të aftë.

Kështu që këta kthehen gjithmonë e më shumë në barrë dhe, ndërkohë, popullsia vazhdon të bjerë...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco