Gjykata ka vlerësuar si të paligjshme ndalimet e protestuesve të opozitës, ndërsa përfaqësuesja ligjore e tyre, Adriana Kalaja, ka zbuluar detaje nga presioni i ushtruar ndaj tyre në komisariate dhe ka paralajmëruar kallëzime penale për kupolën e Policisë së Shtetit dhe Ministrin e Brendshëm.
Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se gjatë marrjes në pyetje, protestuesve u është bërë një intimidim i hapur dhe pyetje specifike për pjesëmarrjen në selinë e Partisë Demokratike, duke konfirmuar se këto veprime përbënin presion politik dhe shkelje të drejtave të qytetarëve.
Pjesë nga deklarata:
Ajo që ne evidentuam pak më parë, bashkë me kolegët Eda Grinçim dhe Marash Logu, ishte fakti i intimidimit që i bëhet protestuesve pranë komisariateve të ndryshme, duke i pyetur nëse kanë qenë në protestë dhe, mbi të gjitha, nëse kanë qenë atë ditë në selinë e Partisë Demokratike. Ky fakt u evidentua në gjykatë dhe bind gjykatën se të gjitha këto ndalime ishin të paligjshme; ato përbënin një presion të hapur ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta, për të mos përmendur disa qytetarë të cilët deklaruan, edhe në komisariat po edhe sot, se nuk kanë qenë pjesë e protestës, por, si duket, policia kriminale, me urdhër politik, duhet patjetër të plotësojë statistikat.
Sot treguam, bashkë me përfaqësuesit dhe deputetët e Partisë Demokratike, po ashtu edhe ne si avokatë, se do të jemi gjithmonë në krah të çdo protestuesi dhe qytetari që arrestohet në mënyrë të paligjshme, sepse e drejta për të protestuar prevalon edhe mbi një akt dhune që mund të ndodhë gjatë protestës. Kjo është në referim të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të Gjykatës së Strasburgut.
Realistisht, e vlerësojmë pjesën e vendimit të gjykatës që rrëzoi gjithë pretendimet e organit të akuzës për masat e sigurimit, duke i lënë ato në detyrim paraqitjeje një herë në muaj.
Nga ana tjetër, i gjithë grupi ligjor i Partisë Demokratike po punon për të bërë referim shumë shpejt me kallëzim penal për drejtuesit e komisariateve, për ministrin e Brendshëm dhe për të gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë së Policisë, për të gjitha këto ndalime dhe ngritjen e akuzave në mënyrë të paligjshme dhe në shpërdorim të detyrës. Në të gjitha vendimet e gjykatës shihet qartë tendenca për të intimiduar qytetarët dhe protestuesit që marrin pjesë në protesta. Ne kemi treguar se do të jemi gjithmonë në krah të tyre, pavarësisht represionit policor.
© SYRI.net