Partia Socialiste, e perceptuar shpesh si një “Olimp i paqes” politike, duket se po përjeton trazira dhe “bubullima” të brendshme. Votimi për mandatin e deputetes Belinda Balluku ka nxjerrë në pah pakënaqësi dhe përplasje, duke vënë në qendër të vëmendjes një prej figurave kryesore të saj, Elisa Spiropalin.
Mungesa e Spiropalit në seancën parlamentare ku u votua për imunitetin e koleges së saj socialiste, është interpretuar si një sinjal i qartë sfide. Kjo lëvizje e papritur ka ngritur pyetje mbi unitetin e kampit qeverisës dhe ka ushqyer spekulime se Spiropali, e përfolur prej kohësh si një nga pasueset e mundshme të kryeministrit Edi Rama, po ndërmerr një kurs të ri politik.
Sipas analistit Mentor Kikia që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, situata aktuale po merr përmasa të mëdha lajmi për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare.
Ai e lidh reagimin e Spiropalit jo vetëm me çështjen “Balluku”, por me një krisje më të hershme me kryeministrin, e cila kulmoi me shkarkimin e saj nga posti ministror. Sipas tij, me këtë veprim, Spiropali po përpiqet të tregojë se nuk është “si të gjithë të radhës” që pas shkarkimit pranon të ulet në heshtje në karrigen e deputetit. Ajo po lufton për të ruajtur staturën e saj si një aktore e rëndësishme politike brenda partisë.
Mentor Kikia, gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, shprehet skeptik se kjo situatë do të çojë në një çarje reale të partisë. Ai thekson se Partia Socialiste historikisht ka ditur t'i menaxhojë konfliktet e brendshme, pasi “pushteti ka ilaç për të gjithë”. Sipas tij, hatërmbetjet shpesh “mjekohen” përmes emërimeve dhe lëvizjeve politike, duke shmangur kështu disidencat dhe krijimin e fraksioneve.
Flavio Qarri: Kam një gazetar që i ndjek me qejf këto zhvillime është Mentor Kikia. Çfarë po ndodh në PS në vlerësimin tuaj? Ka trazira? Është momenti i ndarjes? Duket se ai votimi për Ballukun, nëse do kishte qenë, u përfol të paktën, i mbyllur dhe jo i hapur, do të kishte prodhuar një rezultat tjetër. A ka krisje të forta në PS prej Ballukut?
Mentor Kikia: Së pari mendoj që nëse partitë politike në Shqipëri do kishin bërë vaksinën e demokracisë që në vogëli, ne nuk do ishim duke folur për këtë temë tani, pasi mosdakordësimi i të gjithëve për të njëjtën çështje apo mosrakordimi në të njëjtën mendje i drejtuesve të një partie, i anëtarëve të një grupi parlamentar, do të duhej të konsiderohej gjëja më normale në një parti politike. Fakti që në partinë që kontrollon pushtetin prej 14 vitesh tashmë e më shumë, gjatë gjithë kohës ka patur një unifikim qëndrimi, mendimi, një debat që ende mendoj që është në miniaturë, konsiderohet një lajm.
Unë kam ndjekur edhe dje, edhe sot, le të themi, titujt apo reagimin e shumë mediave online, të cilat flasin… për plasi, shpërtheu debati, bomba. Megjithatë mendoj që nuk është në këto kushte. Përtej një mosdakordësimi apo reagimi i zonjës Spiropali nuk lidhet thjesht dhe vetëm me çështjen e mungesës së saj në parlament ditën e votimit për mandatin, për imunitetin e zonjës Balluku, por është një krisje mes saj dhe kryeministrit më herët që çoi në shkarkimin e saj nga detyra e ministrit të jashtëm dhe më pas erdhi edhe reagimi apo qëndrimi i saj i mospjesëmarrjes në seancë. Unë besoj që më shumë sesa një debat apo një çarje reale, ka një pritshmëri më të madhe që kjo të jetë e tillë, sepse Partia Socialiste ka ditur dhe këtë besoj që e mundëson pushteti, që të gjitha hatërmbetjet të mjekohen shpejt e shpejt, pasi pushteti ka ilaç për të gjithë. Ndaj dhe emërim-shkarkimet bëhen në atë mënyrë që ne i kemi parë, që ai që emërohet nuk është vënë në dijeni, ai që shkarkohet jo e jo. Por e gjitha kjo s'ka prodhuar askund disidenca brenda partisë për të kundërshtuar, për të krijuar grupazhe, fraksione e më pas për të shkuar edhe tek një, le të themi, çarje. Kështu që, edhe në këtë rast besoj që Spiropali është duke u përpjekur të tregojë që ajo nuk është si të gjithë të radhës që në momentin që i komunikojnë shkarkimin, i caktojnë dhe një karrige aty në sallën e parlamentit dhe i thonë do ulesh këtu tani dhe nuk do flasësh më. Përpiqet të mbajë staturën e saj që ka patur në Partinë Socialiste si një aktore e rëndësishme politike, por nuk besoj që do shkohet më tej.
© SYRI.net