Transporti publik në Shqipëri ndodhet në prag të kolapsit, i gjendur përballë një krize të thellë financiare si pasojë e rritjes stratosferike të çmimit të karburantit. Përfaqësues të sektorit ngrenë alarmin se situata është bërë e papërballueshme dhe kërcënon drejtpërdrejt vazhdimësinë e shërbimit për qytetarët, duke paralajmëruar ndërprerje të linjave dhe mosrespektim të frekuencave.
I ftuar mëngjesit e sotëm ne'Kafe Shqeto, Dashnor Memaj, kryetar i shoqatës së transportiturban dhe ndërqytetas tha se nafta përbën rreth 40 deri në 45 për qind të kostove totale operacionale, çka do të thotë se çdo luhatje, sado e vogël, ndikon drejtpërdrejt te cilësia dhe qëndrueshmëria e shërbimit.
Sipas tij, rritja e çmimit nga rreth 145 lekë për litër para fillimit të luftës në Ukrainë, në mbi 200 lekë, një rritje prej 60-70 lekësh, është një goditje direkte që e bën operimin thuajse të pamundur.
E vetmja lehtësi për sektorin është blerja e karburantit me çmim shumice, një diferencë prej vetëm 2-3 lekësh për litër, e cila konsiderohet tërësisht e papërfillshme përballë rritjes galopante të kostos kryesore.
Memaj bëri me dije se i janë drejtuar institucioneve shtetërore që në fillim të krizës për të gjetur një zgjidhje, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër dhe nuk kanë marrë asnjë reagim.
Në këto kushte, sektori po operon në “modalitet mbijetese”, duke shpresuar në një ndërhyrje qeveritare për të shmangur bllokimin total.
Paradoksi më i madh qëndron në faktin se ndërsa të gjitha kostot janë rritur në mënyrë eksponenciale, çmimi i biletës së transportit publik ka mbetur i ngrirë që nga viti 2016.
Përveç karburantit, janë rritur ndjeshëm edhe kosto të tjera si paga minimale, sigurimet shoqërore, pjesët e këmbimit (mbi 100%) dhe amortizimi i mjeteve. Ndryshe nga tregjet e tjera ku shitësit mund të përshtasin çmimet sipas kostove, operatorët e transportit publik janë të detyruar të operojnë me një çmim të paracaktuar, duke e bërë modelin e biznesit të paqëndrueshëm.
Nëse nuk merren masa urgjente, qytetarët rrezikojnë të mbeten pa një shërbim jetik tha Memaj ne studio, pasi operatorët nuk do të jenë më në gjendje të garantojnë as respektimin e orareve dhe itinerareve.
Deklarata e plotë:
“Ne bëmë një kërkesë në fillim të marsit sa nisi lufta, që u kërkuam institucioneve një ulje në tryezë për të diskutuar se si do të funksionojë transporti, duke qenë se po kishim një rritje të vazhdueshme të pandalshme të çmimit të naftës.
Dhe nafta përbën 40 deri në 45% të kostove totale të sektorit të transportit, që do të thotë është kaq e rëndësishme sa është vetëm një ndryshim shumë i vogël në të direkt ndikon tek tek cilësia e shërbimit të transportit.
Nuk patëm asnjë reagim dhe rrjedhimisht u vumë në, po themi me shpatulla pas murit sepse kishim një rritje të frikshme.
Nga 145 lekë që ishte me TVSH para lufte që e merrnim ne, shkoi afërsisht në 220 lekë, 217.
Ajo që përfiton transporti është vetëm çmimi i shumicës, që mund të jetë dy apo tre lekë më pak.
Sektori transportit publik nuk ka asnjë lehtësi tjetër përveçse çmimit të shumicës, që siç e thashë është dy apo tre lekë.
Nga 145, sot e marrim mbi 200 lekë, do të thotë është rritur afërsisht me 60 apo 70 lekë çmimi i karburantit, që është një kosto direkte mbi sektorin e transportit.
Në qoftë se do të kemi një vazhdimësi të kësaj situate, nuk mund të kemi një shërbim që t'u ofrohet qytetarëve, nuk mund të kemi një respektim të frekuencave të autobusëve,
Duke shpresuar dhe duke menduar që qeveria nuk do të jetë kaq neglizhente karshi këtij sektori, sepse është një situatë, mund ta krahasoja unë në fakt me situatën e pandemisë, që ajo që u godit më shumë ishte sektori i shëndetësisë, po themi.
Në rastin e çmimit të naftës, i pari dhe më i godituri është transporti publik, sepse edhe kostot, jo pa qëllim e përmenda 40 deri në 45%, do të thotë që afërsisht gjysmën e të gjithë kostove të transportit e përbën operative, e përbën çmimi i naftës.
Dhe rritja me këtë nivel, rrjedhimisht rrit kosto të jashtëzakonshme dhe ti nuk mund të ofrosh një shërbim siç duhet ta ofrosh, nuk mund të respektosh orare apo itinerare.
© SYRI.net