Bujqësia shqiptare po përballet me një krizë të paprecedentë, e cila rrezikon të çojë në falimentim mijëra fermerë dhe të kërcënojë sigurinë ushqimore të vendit. Një rritje drastike prej 50% e kostove të prodhimit, e nxitur nga çmimet e naftës dhe inputeve bujqësore, i ka vënë fermerët përballë një situate të pamundur, duke i shtyrë drejt braktisjes së tokave.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Eduart Sharka, drejtues i Departamentit të Bujqësisë në PD, u shpreh se kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të gabuara në bujqësi dhe mungesës së mbështetjes nga qeveria, duke theksuar se fermerët janë lënë të vetëm përballë rritjes së kostove dhe krizave globale.
Ai u shpreh se, varësia totale nga importi për inputet bujqësore dhe mungesa e një strategjie kombëtare e kanë bërë sektorin të brishtë, ndërsa paralajmëroi se, nëse nuk ndërhyhet urgjentisht, vendi rrezikon të përballet me rënie të prodhimit vendas, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe thellim të varësisë nga importet.
Pjesë nga deklarata:
Siç e thatë edhe ju, rritja e çmimit të naftës dhe e inputeve bujqësore e ka rritur koston e prodhimit me 50%, ndoshta edhe më shumë. Kemi 30 deri në 50% rritje të kostos vetëm te plehrat bazë. Nitrat, ure, superfosfat janë ushqime bazë për bimët, për të cilat është koha e përdorimit, dhe kemi pasur një rritje të menjëhershme me fillimin e luftës së Gjirit; sinjalet erdhën menjëherë dhe pati rritje çmimesh. Kjo, natyrisht, i vë fermerët përballë një llogarie që i çon në humbje dhe në falimentim, kështu që nuk kanë rrugë tjetër veçse të dorëzohen.
Në rast se i lëmë të vetëm përballë kësaj krize, natyrisht që edhe ata bëjnë llogari, dhe llogaria më e mirë u del të dorëzohen, të braktisin tokën, bujqësinë dhe pastaj Shqipërinë. Kjo është ajo që ne kemi paralajmëruar. Është një krizë që lind nga konfliktet botërore, por problemi qëndron në faktin se ky vend nuk është i përgatitur për të amortizuar apo për të krijuar një filtër ndaj këtyre krizave, të cilat tashmë janë të pritshme.
Problemi, për mua, qëndron në faktin se kemi ngritur një sistem në bujqësi ku janë ndjekur politika të tilla që na bëjnë shumë të ekspozuar ndaj këtyre krizave; kostoja shkon direkt te fermeri dhe pastaj kemi këtë pasojë: fermerët dorëzohen dhe braktisin. Pasoja tjetër është rritja e çmimit të ushqimeve, sepse, në momentin që fermerët dorëzohen dhe blejnë më pak plehra, ulet rendimenti; përfundimi është rënia e prodhimit të brendshëm, rënia e sovranitetit ushqimor dhe rritja e konsumit të produkteve të importit. Në momentin që krijohet varësi nga produktet bujqësore që vijnë nga importi, do të kemi rritje çmimesh për konsumatorët dhe më pas krizën do ta ndiejë e gjithë shoqëria.
Problemi është se kjo qeveri, për 13 vjet, por edhe më herët në aspektin e politikave strategjike, nuk e ka trajtuar siç duhet këtë çështje, ndërkohë që kemi varësi 100% për inputet bujqësore, për plehrat bazë dhe për të gjithë inputet e tjera. Kjo është një dukuri që e ka lënë Shqipërinë të ekspozuar ndaj këtyre krizave dhe ndikimi shkon direkt te fermeri.
Në fakt, duket herezi të diskutojmë që kryeministri, në momentin që është duke pirë një shishe verë 33.000 euro, të mendojë se në Shqipëri duhet krijuar një fabrikë të plehrave azotike, sepse ne pothuajse i kemi lëndët e para: kemi gaz natyror dhe burime amoniaku. Nuk besoj se mund t’i kishte shkuar mendja që fondet e kredisë sovrane apo fondet e IPARD-it të përdoreshin për të krijuar këtë industri, në mënyrë që sot të mos ishim 100% të varur nga importi dhe të mos binim direkt në ndikimin e kësaj krize.
Por ajo që mund të bëjë sot qeveria është ajo që po bëjnë qeveritë e rajonit. E kemi thënë disa herë: nuk ka nevojë të shpikim rrotën, mjafton të kopjojmë praktikat e mira të rajonit. Qeveria e Greqisë dhe e Italisë ndërhyjnë; konkretisht, qeveria e Greqisë do të kompensojë 15% të çmimit të inputeve bujqësore. Ky ishte vendimi i qeverisë së Mitsotakis.
Kriza është thelluar dhe fermerët po ngrenë duart; është fundi. Në fakt, kriza ekspozoi situatën, Flavio, sepse nxori në pah politikat e ndjekura në bujqësi dhe efektet e këtyre politikave të gabuara. Ne kurrë nuk e kemi parë bujqësinë si sektor strategjik; e kemi trajtuar si sektor dytësor. Kjo qeveri, me politikat që ka ndjekur, nuk e ka parë të lidhur me sigurinë kombëtare. Në fakt, largimi i fermerëve dhe rënia e prodhimit vendas do të çojnë në rënien e sovranitetit ushqimor, i cili lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.
Më pas krijohet varësi nga produktet e importit. Pra, kjo krizë nxori në pah politikat e gabuara: kriza u importua, por tek ne nuk ka asnjë filtër që ta amortizojë. Kemi ferma të vogla dhe kjo krizë ekspozoi modelin e krijuar në bujqësi. Modeli ynë është një fermer i vetëm, i vogël, përballë krizave, pa asnjë mbështetje. Ne kemi zero prodhim vendas të inputeve që do të ndihmonin fermerin me uljen e kostove, sepse rritja e çmimit të naftës, përveç të tjerave, rrit edhe çmimin e transportit, duke shtuar më tej problemin e çmimit të inputeve.
Është një fermë e vogël, me fuqi të ulët negociuese: kur blen inpute, blen pak dhe, natyrisht, i blen me çmim më të lartë. Nuk kemi ferma të mëdha, nuk kemi fermerë të organizuar; këto janë probleme strukturore të sektorit. Të gjitha këto tregojnë se kjo krizë ekspozoi situatën që kemi dhe modelin e dështuar që kemi krijuar në bujqësi.
© SYRI.net