'Bujqësia drejt greminës', Vuksani: Fermerët pa mbështetje nga qeveria, do e paguajmë domaten sa naftën

15:29, 24/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bujqësia shqiptare ndodhet në një nga krizat më të thella të viteve të fundit, e kërcënuar drejtpërdrejt nga çmimi stratosferik i naftës dhe nga ajo që opozita e cilëson si mosveprim total të qeverisë.

Drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në Partinë Demokratike, Gjok Vuksani, ka lëshuar alarmin se situata është katastrofike, duke paralajmëruar se kostot e larta do të transferohen te konsumatorët, të cilët rrezikojnë të paguajnë produktet bazë të shportës me çmime rekord.

Ai theksoi se mungesa e vendimeve të qeverisë për skemat mbështetëse, fondet e ulëta për bujqësinë dhe mungesa e financimeve IPARD kanë lënë fermerët pa mbështetje në kulmin e sezonit të mbjelljeve, ndërsa paralajmëroi se rritja e kostove të prodhimit do të reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve për konsumatorët.

Pjesë nga deklarata:

Fatkeqësi që ne flasim gjithmonë vetëm për probleme, për halle dhe për vështirësitë që ka bujqësia shqiptare. Unë duhet të them që në krye të herës se toka nuk mund të punohet me 2200 ALL litri i naftës. Pra, nuk ka asnjë logjikë ekonomike dhe asnjë logjikë teknologjike që një traktorist apo një traktor të punojnë tokën në këtë nivel të çmimit të naftës, sepse kostoja e punimeve e plugimit, e diskimit, e frezimit, e mbjelljes, e korrjes dhe e transportit të produkteve bujqësore nga parcela drejt tregjeve është shumë e lartë dhe e papërballueshme për fermerin shqiptar.

Vështirësitë më mirë se gjithkush tjetër i dinë fermerët dhe në televizionin tuaj ju keni paraqitur disa intervista nga Dibra deri në Devoll. Por problematika është se nuk ka asnjë masë të marrë nga qeveria shqiptare. Sot jemi në fund të muajit mars dhe akoma nuk kemi një vendim të Këshillit të Ministrave për skemat mbështetëse për bujqësinë. Pothuajse ka përfunduar sezoni i punimit të tokës, ose cikli pranveror, siç e quajmë ne në gjuhën teknike, dhe ende nuk është marrë asnjë masë për të mbështetur fermerët.

Në teori është një skemë mbështetjeje me naftë për fermerët, e cila është e pamjaftueshme, shpërndahet në mënyrë preferenciale, kryesisht për patronazhistët, dhe nuk bazohet tek kush e punon tokën. Ka një mal me dokumentacione që duhet të plotësohen deri në momentin që fermeri të marrë naftën, por edhe kjo mbështetje, sado e pakët, akoma nuk është konkretizuar. Pra, fermeri ka hyrë në sezonin kryesor të mbjelljeve të pranverës pa pasur një udhëzim apo vendim të Këshillit të Ministrave se cilat janë skemat që do të mbështeten nga qeveria shqiptare.

Pa hyrë në faktin që shuma e vënë në dispozicion të fermerëve është rreth 50 milionë euro, gati dy herë më e vogël sesa ajo që marrin fermerët e Kosovës, mbi 100 milionë euro, dhe gati tre herë më e vogël sesa ajo që marrin fermerët e Maqedonisë, rreth 150 milionë euro, pa folur për Serbinë që merr rreth 300 deri 400 milionë euro. Shtuar kësaj, mungojnë fondet e IPARD-it, ndërkohë që vendet fqinje i përfitojnë normalisht. Në këtë mënyrë, fermerët shqiptarë janë dyfish të penalizuar: mbështeten më pak dhe nuk kanë fondet e IPARD-it.

Gjendja është shumë e rëndë. Çmimi i punimeve bujqësore është rritur gati me 40%, ndërsa çmimi i inputeve bujqësore, si plehrat, kimikatet dhe pesticidet, është rritur nga 30 deri në 40%. Kjo faturë në fund shkarkohet tek konsumatori përfundimtar. Nëse e shikoni, javën e fundit ka pasur rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve në tregjet e Tiranës. Nuk bëhet fjalë vetëm për fermerët, por për ushqimin e përditshëm të çdo qytetari.

Duhet theksuar që deklaratat e kryeministrit janë vetëm propagandë. Fermeri shqiptar nuk ka nevojë për propagandë. Ai çdo ditë punon tokën, hedh plehra, preparate kimike dhe pesticide. Ndërkohë, mbledhjet dhe vendimet në Tiranë nuk sjellin ndihmë konkrete. Nuk ka asnjë masë direkte për mbështetjen e fermerit.

Në asnjë vend të Europës nuk është i njëjtë çmimi i naftës për traktorët me atë për makinat në qytet. Ka forma të ndryshme mbështetjeje, si ulja e kostos së prodhimit apo heqja e akcizës së naftës. Ndërkohë, një jaht luksoz furnizohet pa akcizë, ndërsa fermerët paguajnë çmime të larta.

Kjo tregon mungesë vëmendjeje ndaj bujqësisë. Qeveria duket më e interesuar për importet sesa për prodhimin vendas. Prandaj fermerët duhet të reagojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Bujqësia ka pesë vite në rënie, nga rreth 20% e PBB-së në 15.5% vitin e kaluar. Gjendja është dramatike dhe kërkon reagim të menjëhershëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco