Foltorja e PD/ Bozdo: Rritja e çmimeve po rëndon qytetarët, qeveria pa asnjë reagim konkret

18:37, 23/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, në fjalën e tij në Foltoren e PD të mbajtur para Kryeministrisë, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të çmimeve në vend, duke theksuar se situata po rëndon çdo ditë familjet shqiptare dhe ekonominë. Ai akuzoi qeverinë për mungesë masash konkrete për përballimin e krizës, ndërsa theksoi se opozita ka propozuar alternativa për lehtësimin e barrës financiare mbi qytetarët.

Eno Bozdo: Sot dua të flas për një temë që na prek të gjithëve. Na prek ne, prek familjet tona, prek ekonominë e këtij vendi. Sot dua të flas për atë që e ndjejmë të tërë çdo ditë, e vuajmë në kurrizin tonë. Çmimet e larta, çmimi i lartë i naftës, çmimi i lartë i produkteve ushqimore, veçanërisht në dy javët e fundit, shkaktuar nga kriza. Në javën e fundit, çdo ditë në mëngjes, çdo ditë në mesditë, çdo ditë në mbrëmje, kemi parë dhe kemi dëgjuar lajmet se si qeveritë e vendeve të rajonit, si qeveritë e vendeve evropiane miratonin paketa ndihme për njerëzit e tyre, për ekonomitë e tyre, për familjet e tyre. Se si qeveria greke vendosi të ndihmojë popullin e saj, se si qeveria italiane vendosi të ndihmojë popullin e saj, se si qeveria spanjolle miratoi 5 miliardë euro në ndihmë të njerëzve të saj. Se si qeveria gjermane është duke bërë e njëjta gjë, qeveria austriake duke bërë e njëjta gjë. Se si të gjithë vendet e rajonit janë ulur seriozisht duke shqyrtuar çdo mundësi që kanë, çdo instrument që kanë për t'ia bërë jetën sa më të lehtë qytetarëve të tyre, familjeve të vendit të tyre, ekonomisë vendase. Por çfarë ndodh gjatë dy javëve apo 10 ditëve në Tiranë? Asgjë.

Një tallje e madhe, asnjë mbledhje qeverie, asnjë masë konkrete. Vetëm batuta të kryeministrit, vetëm show, takohet me bizneset dhe i thonë e mbani ju koston. Pastaj bën sikur do miratojë një bord. Pastaj thotë diçka tjetër dhe që andej hidhet në një vend tjetër. Asnjë masë konkrete. E ndërsa nafta sot ka kapur 2200 lekë të vjetra litrin, e ndërsa ushqimet bazë janë duke u rritur nga dita në ditë, ne nuk dimë asgjë, ne nuk kemi asgjë. Jemi qytetarët më të poshtëruar. Jemi më të shkelurit me këmbë. Jemi më të mospërfillurit. E gjitha kjo sepse qeveria që kemi, as nuk e vret mendjen, as për ne, as për njëri-tjetrin, po vetëm për veten e saj. Çmimi i naftës nuk është i lartë sepse dikush thjesht abuzon me të. Për këtë qeveria i ka të gjitha mundësitë. Mund të çojë, të bëjë inspektime, të kontrollojë. Çmimi i naftës dhe kjo i duhet thënë shqiptarëve, është se ne kemi ngarkesën më të madhe fiskale në Evropë e ndoshta në botë për të. 60-65% e çmimit të naftës i shkon mbrapsht me taksa qeverisë. Kaq e thjeshtë është kjo gjë. Vendet e Bashkimit Evropian kanë mesatare vetëm 50%. Vendet e OECD-së lëvizin nga 40 deri në 45%. Por ata kanë një gjë më shumë që ne s'e kemi kurrë. Të gjitha paratë që marrin i kthejnë mbrapsht në shërbime publike për vendin e tyre, për njerëzit e tyre, në rroga, pensione, rrugë, spitale, shkolla, kopshte e çerdhe. Çfarë bën Shqipëria? Asgjë. Kemi rrogën më të fundit në Evropë. Kemi pensionet më të ulëta në Evropë.

Kemi varfërinë më të madhe, por kemi taksat më të larta. Dhe këto taksa më të larta dhe në ditën më të vështirë, Edi Rama nuk pranon t'ia kthejë mbrapsht popullit të tij. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka çuar dy projektligje për këtë çështje. E para ajo që kemi thënë gjithmonë, një ulje drastike e të gjitha taksave që rëndojnë mbi çmimin e karburantit, se nuk është vetëm çmimi i karburantit, është çmimi i ushqimeve që janë shtrenjtuar dhe do shtrenjtohen më shumë nëse qeveria nuk fut dorën e me sa duket nuk ka ndërmend të fut dorën. E dyta është një ndër modelet që është gjerësisht i përdorur në Evropë për ta lehtësuar dhe më shumë këtë barrë mbi konsumatorët, mbi familjet, mbi ekonominë kombëtare. Shpresoj shumë që kjo gjë të merret parasysh. Por të themi të vërtetën, pavarësisht sa shpenzojmë, ne e dimë që gjasat janë shumë të vogla. Janë shumë të vogla se qeveria nuk është e përgjegjshme. Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian që përmenda, vendet e rajonit, kanë një raport llogaridhënie me zgjedhësit, me popullin e tyre, me njerëzit e tyre, sepse një herë në katër vjet votohen. Dhe votohen ndershmërisht. Por çështja është këtu që ky proces ka rënë.

Edi Rama nuk i intereson fare për shqiptarët. Për sa kohë votat i merr në atë mënyrë që i merr. Për sa kohë e zgjidh me bandat. Për sa kohë e zgjidh me krimin e organizuar. Për sa kohë e zgjidh me qindra e qindra milionë euro që pasi na i ka vjedhur ne, i hedh përsëri mbrapsht në zgjedhje për të marrë pushtetin dhe mban pushtetin për t'i vjedhur përsëri në një rreth vicioz. E zgjidh me administratën publike që është dyfish i kohës së qeverisjes së Partisë Demokratike. E zgjidh me patronazhistë. E zgjidh me vjedhje, e zgjidh me AKSH, e zgjidh me Ergys Agas dhe me të gjitha Ergysrat e tjerë. E ky është një proces që ka rënë. Dhe si i rënë, nuk ka më nevojë qeveria mafioze as të shohë në sy shqiptarët, as t'i japë llogari shqiptarëve dhe as t'i thotë atyre që ju gjendem në krah. Për qeverinë ne jemi thjesht numra. Ne jemi njerëz që po të duam jetojmë këtu dhe po të duam edhe nëse s'duam, thotë, zhdukuni nga Shqipëria. Ashtu siç u zhdukën 1.1 milionë shqiptarë në krye të 10 viteve. Duke e rrënuar vendin, duke rrënuar familjet tona, duke rrënuar ekonominë e këtij vendi dhe të ardhmen tonë. E pra, zonja e zotërinj, nuk ka instrument tjetër sot Shqipëria veç Partisë Demokratike dhe opozitës, veç Doktor Berishës, për të rezistuar ndoshta në të keqen më të madhe në 70 vitet e fundit që ka kapur këtë vend. Nuk e ka. Thjesht nuk e ka. Ne nuk kemi luksin vetëm se të rezistojmë, të rezistojmë, të rezistojmë, të ngremë frymën qytetare dhe me shembullin tonë personal t'i japim përgjigjen e merituar Edi Ramës. Dhe këtë do ta bëjmë shumë më shpejt nga ç'e kujton ai vetë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco