Berisha: Protesta jonë është paqësore, dhunën më të egër ndaj njerëzve e ka përdorur policia

13:44, 23/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

“Protesta jonë është paqësore, dhunën më të egër ndaj njerëzve e ka përdorur policia”. Kjo ishte deklarata e kreut të PD Sali Berisha pasi u pyet nga gazetarët për zhvillimet e një dite më parë.

Daniela Maloku, Report Tv: Ka patur një reagim të ambasadës gjermane ditën e sotme, duke qenë se një nga risitë e protestës së djeshme ishte ngritja e flamujve gjermanë, por duket se ambasadës nuk i ka pëlqyer dhuna, duke deklaruar se duhet të distancoheni menjëherë. Si i përgjigjeni?

Sali Berisha: Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Por një gjë mund të them, nëse në këto protesta ka patur me dhjetëra demonstrues të plagosur nga dhuna policore, nuk ka patur deri më sot, asnjë polic të plagosur.

Kjo është e vërteta.

Por ne mbetemi të përcaktuar për kryengritje paqësore, sepse jemi të bindur se nëpërmjet saj, realizojmë më mirë qëllimet tona.

Ndaj ne nuk kemi bërë, por përkundrazi ne kërkojmë të vazhdojmë me moton paqësore. Mos harroni, në kushtet e një grushti shteti janë të ligjshme të gjitha mjetet, por ne qëndrojmë tek mjetet paqësore.

Daniela Maloku, Report Tv: Reagimi i ambasadës sot ishte i fuqishëm…

Sali Berisha: Jemi në kushtet e marrjes së pushtetit të drejtësisë nga ekzekutivi, përligjet çdo mjet, por ne qëndrojmë tek kryengritja paqësore. Kjo është e tëra.

E konsiderojmë dhunën më të madhe ndaj këtij populli marrjen e pushtetit të drejtësisë nga pushteti ekzekutiv. Kjo përbën një dhunë të tmerrshme kushtetuese.

Për ne dhunë e tmerrshme ndaj këtij populli është Olta Xhaçka në parlament, duke hedhur poshtë dy herë, urdhrin e Gjykatës Kushtetuese.

Për ne, dhunë e tmerrshme ndaj këtij populli është bllokimi i drejtësisë për arrestimin e Lubi Ballukut për shkak të Edi Ramës.

Për ne, dhunë e tmerrshme është mos arrestimi i Linda Bashës e implikuar kokë e këmbë në aferën e AKSHI-t.

Për ne, dhunë e tmerrshme është lëvizja e lirë e Ergys Agasit dhe thuhet edhe vizitat e tij në Surrel, për të cilat duhet të bëhet hetim.

Këto janë dhunë e tmerrshme ndaj një populli, se janë dhunë ndaj ligjeve, ndaj Kushtetutës, ndaj themeleve.

Me të gjitha këto, ne qëndrojmë në moton e protestës paqësore, jo se nuk e dimë, por ne besojmë se dhuna nuk na shërben.

Ne besojmë se në rrugën paqësore, ne realizojmë më shpejt dhe më mirë qëllimet tona.

Dhe ju e shihni se si mediat ndërkombëtare çfarë pasqyrimi të shkëlqyer i bëjnë protestave të Shqipërisë.

Pra, nuk jemi në kushtet e një vendi me demokraci. Jemi në kushtet e një vendi që ka humbur, është zhytur thellë në një autokraci elektorale, apo diktaturë autoritare.

Megjithatë, ne nuk bëjmë thirrje dhe jemi kundër protestave të dhunshme, ne jemi për kryengritjen paqësore, jemi përcaktuar për këtë.

Po të jetë për dhunë, dhunën më të egër ndaj njerëzve e ka përdorur policia. E cila ka gjuajtur me plumba gome në ballë, në kokë.

Dhe dje ai që ishte në spital, Denis Gremi, ishte viktimë e një goditje të rëndë në kokë, pa asnjë lloj shkaku.

Pra të kuptohemi. Unë nuk them se nuk ka patur elementë tek tuk, por nuk ka asnjë polic të plagosur. Dhe dje inskenimi i turpshëm i Edi Ramës.

Çfarë kishin bërë dje që ta dini ju. Kishin çuar 5 policë dhe i kishin shtrirë në ato shtretër, por ata nuk kishin gjë.

I zhveshën mjekët, se isha unë atje dhe nuk kishin asnjë plagë, asnjë gjë. Absolute kjo. Shkoi ky sharlatani për të thënë dhe Rama u bëra unë gati të nisem për tu treguar shqiptarëve se këta po gënjenin, po mashtronin, policët ikën, nuk qëndruan se nuk donin të bëheshin kukulla në një skenar të turpshëm. Nuk kishin asnjë gjë.

Shkova e takova mjekët, nuk kishte asgjë të regjistruar.

Imagjinoni ju duan të shpikin. Pse nuk ka dhunë, sepse ka porosi të mos ketë dhunë, sepse është paqësore protesta. Është shumë thjeshtë të bësh dhunë, gjëja më e thjeshtë. Por ne kemi këtë platformë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco