Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur më tej gjatë intervistës për “Syri.net”, idhur me situatën e tij ligjore dhe zhvillimet politike në vend.
Meta thotë se burgosja e tij lidhet me qëndrimet për çështje kombëtare, ndërsa komenton edhe Reformën në Drejtësi, duke pretenduar se ajo është deformuar dhe se viktimat e saj janë qytetarët shqiptarë. Ai ndalet gjithashtu te karriera e tij politike ndër vite dhe kritikon ashpër qeverinë aktuale për ekonominë, korrupsionin dhe procesin e integrimit europian.
Pyetje: A e keni besuar se një ditë ju do të ishit viktima e Reformës në Drejtësi që ju e përsërisni se e votuat, madje me 140 vota?
Asnjëherë nuk kam pretenduar të jem i "paprekshëm" apo t’i shmangem drejtësisë edhe kur ajo është e shtrembër dhe e verbër.
Në shtator 1992 m’u hoq imuniteti që kur isha 23 vjeç, vetëm pse i hoqa nga duart "turmës" në Poliçan 2 drejtues policie.
Çdo javë prokurorët kur më merrnin në pyetje, më thoshin se duhej të ikja se javën tjetër do më arrestonin.
Unë u thosha më mirë bëjeni sot dhe nuk keni pse e shtyni një javë kot.
Po kështu, një nga dy drejtuesit e policisë, që unë i "lirova" firmosi një deklaratë mashtruese sikur unë u kisha bërë presion.
Çuditërisht ky ishte edhe nga Skrapari.
Por një mirditor si z. Pashk Tusha, nuk pranoi ta firmoste gënjeshtrën, ndaj dhe nuk më arrestuan.
Ndërkohë që Nano kishte marrë masat që unë të shkoja ose në Itali, se ishte ende Kraksi në pushtet, ose në Greqi te PASOK-u.
Por unë isha zgjedhur nga një popull që nuk mund ta braktisja.
Ne skraparlinjtë e vjetër zgjedhim edhe të vdesim në beteja, por kurrë t’i dorëzohemi askujt e sidomos pushtuesve.
Nuk jam unë viktima e Reformës në Drejtësi që u bë me 140 vota, por Reforma në Drejtësi u përmbys me 69 vota kur u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm nga Rama dhe grupi i strukturuar diplomatik sorosist.
Viktima të vërteta janë sot qytetarët shqiptarë me ato 200 mijë dosjet e pagjykuara dhe 1 milion shqiptarët e larguar.
Unë mbetem një luftëtar i paepur në mbrojtje të sovranitetit të popullit shqiptar dhe interesit kombëtar.
Ilir Meta nuk është rasti kur rrethanat dhe përshkallëzimi i presionit triumfon mbi karakterin, bindjen dhe origjinën bio patriotike.
Unë e di mirë fundin e kësaj historie dhe kjo përvojë e re veçse më ka ripërtërirë në çdo aspekt dhe më ka trajnuar për triumfin e kauzave të mia në të ardhmen.
5 Prioritetet për 4 milion shqiptarë plus është programi më i qartë, i cili do bëhet realitet i padiskutueshëm.
Popullimi do triumfojë mbi shpopullimin, Shqipëria fuqi eksportuese do triumfojë mbi atë që importon edhe ushqimin e kafshëve e jo vetëm të njerëzve.
Në 27 muaj që kam qeverisur vendin, rritja ekonomike ka qenë mbi 8%.
Vendi nuk mund të merrte më shumë se 200 milion dollarë borxh dhe këto vetëm për energjinë dhe ujin.
Në 29 Tetor 1999, kur unë u bëra Kryeministër, Shqipëria kishte vetem 6 km autostradë, deri para Qafës së Kasharit.
Në 27 muaj u bë një revolucion i paparë në ndërtimin e rrugëve dhe jam i lumtur që asnjë prej tyre nuk ka lëvizur edhe sot, që nga rruga Gjirokastër-Kakavijë, Korçë-Kapshticë, rruga e Qafës së Llogarasë, rruga e re e parë e bërë krejt me fondet e buxhetit të shtetit që nga projektimi e realizimi si Lezhë-Shkodër, e pafund të tilla.
Kjo ndodhi se u bënë privatizime spektakolare e transparente, se u ul informaliteti në dogana e tatime e shumë reforma të tjera, që në Qershor 2001 e përfshinë Shqipërinë në procesin e Stabilizim Asocimit në Samitin e Goteborgut, ndërkohë që Mali i Zi e Serbia nuk ekzistonin fare në këtë proces.
Sot Shqipëria është me një rritje të mjerueshme ekonomike dhe me një rishpërndarje shumë të polarizuar që shton varfërimin.
Vetëm vitin e fundit vendi humbi 11 vende në renditjen botërore të Transparency Internacional për sa i takon nivelit të korrupsionit.
Tani Edi Rama vendosi të pezullojë edhe drejtësinë e tij dhe kështu të bllokojë përsëri procesin e integrimit europian.
Po kështu, pa pyetur askënd i bashkëngjitet Vuçiçit për një projekt as Lindje, as Perëndim, por vetëm pastrim parash dhe krim të organizuar shtetëror.
Ky projekt edhe antiKosovë nuk është i ri dhe do marri përgjigjen e merituar.
Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e tij.
Dhe kjo vlen si për askënd tjetër për Edi Ramën.
E kaluara e tij e errët nuk mund të jetë e ardhmja e shqiptarëve të lirë, patriotë dhe europianë.
Të gjithë e dinë se unë jam këtu se kam mbrojtur Liqenin e Ujmanit dhe Detin e Shqipërisë.
Vendlindja e Isa Boletinit nuk mund të jetë toka e askujt, sepse pa Isa Boletinin dhe sakrificat e shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të kishte pavarësi të Shqipërisë.
© SYRI.net