Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 21-të e protestës - 'Rama jepe dorëheqjen deri më 21 qershor'

Rama mohon 'burg, burg, burg' për dritat/ Raporti tronditës Avokatit të Popullit në 2015: Arrestohen 20 veta në ditë

Rama mohon 'burg, burg, burg' për dritat/ Raporti tronditës Avokatit të Popullit në 2015: Arrestohen 20 veta në ditë

14:01, 13/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri Edi Rama mohoi në mënyrë flagrante arrestimet masive për energjinë elektrike, në një debat të zhvilluar me gazetaren e “Syri Televizion”, Ambrozia Meta, gjatë një konference për median të zhvilluar mesditën e sotme.

Rama u gjend në siklet përballë pyetjes se përse refuzoi arrestimin e Belinda Ballukut, e akuzuar për abuzime me tendera që përllogariten në rreth 1.1 miliardë euro, ndërkohë që ai aplikoi politikën shkatërruese “burg, burg, burg” për mijëra familje shqiptare.  

Për të rikthyer në kujtesë fushatën që burgosi qindra kryefamiljarë që synonin të siguronin dritë e ngrohje për fëmijët e tyre, shërben një Raport i Avokatit të Popullit në vitin 2015.

“Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ditët e fundit numri i të arrestuarve në flagrancë nga ky organ çdo ditë në të gjithë vendin, vetëm për vjedhje të energjisë elektrike shkon deri në 20 persona”, shkruante Avokati i Popullit i asaj kohe, Igli Totozani, në një raport alarmues, ku kërkonte një politikë shumë më të butë penale, drejtuar Ministrave të Brendshme dhe të Drejtësisë së asaj kohe, Saimir Tahiri e Nasip Naço, drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Haki Çako e kryeprokurorit të kohës, Adriatik Llalla.

Sipas Avokatit të Popullit, “Ka raste kur kanë shkuar grupet e kontrollit të OSHEE apo INUK-ut qytetarët janë larguar nga banesa, apo në raste të veçanta kanë marrë vendim ekstrem duke i dhënë fund jetës, për të mospranuar burgimin”.

Në atë Raport thuhej gjithashtu se të arrestuarit për energjinë elektrike përbëjnë 20 përqind të të gjithë të paraburgosurve në Shqipëri.

“Nga informacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i datës 17 Mars 2015, rezulton se në institucionet e paraburgimit ka një mbipopullim prej 1190 personash, nga të cilët vetëm për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” janë 200 persona”.

Numri i lartë i të paraburgosurve pas thirrjes “burg, burg, burg” të Edi Ramës krijoi një situatë të rëndë në ambjentet e paraburgimit.

“Konstatojmë se, ambientet ku mbahen, ruhen e trajtohen këta persona nuk sigurojnë as kushtet dhe standardet minimale, të garantuara nga Konventat Ndërkombëtare dhe legjislacioni i brendshëm, për jetesë të kësaj kategorie personash”, thuhej në Raportin e Avokatit të Popullit.

Pasi renditeshin një seri problematikash të tjera, ligjore, sociale e ekonomike, institucioni i Avokatit të Popullit rekomandonte me urgjencë ndryshimin e politikës penale dhe hetimin e kategorive të këtyre veprave penale pa aplikuar masa sigurimi.

Por, sugjerimi ra në veshin e shurdhër. Edi Rama dhe qeveria e tij zbatoi masat ekstreme për qytetarët e thjeshtë edhe për disa vite të tjera.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco