Iniciativa e fundit e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, përmes një shkrimi të përbashkët ku kërkojnë një qasje të re të Bashkimit Europian ndaj rajonit, ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh.
I ftuar këtë mëngjes në KAFE SHQETO në SYRI TV, pedadogu dhe analisti Enver Bytyçi e ka cilësuar këtë lëvizje jo si një “gjetje gjeniale” për Shqipërinë, por si një “shërbim” personal që kryeministri Rama i bën homologut të tij serb, duke hedhur akuza të rënda se kreu i qeverisë shqiptare është “peng” i Vuçiçit.
Sipas Bytyçit, veprimet e Ramës nuk i shërbejnë interesave të shtetit apo kombit shqiptar, por vetëm pushtetit të tij personal dhe lidhjes së ngushtë me presidentin serb.
Analisti thekson se ky mbështetje vjen në momentin më të vështirë politik për Vuçiçin, i cili konsiderohet i izoluar ndërkombëtarisht. Si Europa, ashtu edhe SHBA-të, shihet se janë distancuar prej tij, duke e konsideruar si një përfaqësues të interesave ruse në Ballkan.
Në këtë kontekst, ndërhyrja e Ramës për të kërkuar favore për të dy vendet në derën e BE-së, ngre pikëpyetje të mëdha mbi motivet e saj. Bytyçi argumenton se qëndrimi i Ramës është dëshmi e një marrëdhënieje të errët mes dy liderëve, të bazuar në “marrëveshje dhe pazare të fshehta”. Ai solli në vëmendje se kryeministri shqiptar ka heshtur dhe ka evituar kritikat ndaj Vuçiçit edhe pas ngjarjeve më të rënda, përfshirë aktet terroriste në veri të Kosovës.
Analisti parashikon se kjo iniciativë e përbashkët e atyre që i cilëson si “dy kleptokratë dhe autokratë të Ballkanit” është e destinuar të dështojë, dhe ajo mund të ketë efektin e kundërt, duke rritur numrin e vendeve anëtare të BE-së që do të bllokojnë procesin e integrimit për rajonin.
Bytyçi:
Besoj që është më shumë një shërbim që dëshiron t'i bëjë mikut të tij Aleksandër Vuçiç sesa një gjetje gjeniale. Sigurisht, në këto hulumtime Rama është i shquar, domethënë hulumton shumë sa i përket gjetjeve për në funksion të pushtetit të tij, natyrisht, dhe jo të shtetit, jo të interesave të kombit, jo të interesave të Shqipërisë, as të qytetarëve shqiptarë, sepse interesi i qytetarëve shqiptarë është para së gjithash të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos shpopullohet vendi.
Por ja që jemi para një fakti që... Pra, kam fjalën që gjithçka që bën, e bën në funksion të një lidhjeje të ngushtë me Aleksandër Vuçiç, pa marrë parasysh në asnjë rast nëse dëmtohen apo përforcohen interesat e shtetit, të vendit dhe të shqiptarëve. Kjo është e gjitha.
Që Edi Rama është peng i Aleksandër Vuçiç, kjo është shumë e qartë dhe shumë e lexueshme. Vetëm diçka do të kujtoj. Kanë ndodhur të gjitha ato konflikte, ka ndodhur një akt terrorist madje dy në Kosovë, ka ndodhur ngjarje të jashtëzakonshme, gati-gati shpërthim lufte midis Kosovës dhe Serbisë.
Pastaj kemi parasysh debatin që po bëhet për Gjykatën, Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Të gjithë, e gjithë retorika e Edi Ramës është kundër gjithkujt tjetër, por jo kundër Aleksandër Vuçiç. Në asnjë rast, edhe kur ka patur akte terroriste, ai nuk ka patur kritika dhe sulme kundër Aleksandër Vuçiç. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që midis tyre ka marrëveshje të fshehta, midis tyre ka pazare të fshehta...
Duke qenë peng me marrëveshje të fshehta me Aleksandër Vuçiç, ai natyrshëm nuk mund t'i kundërvihet, përkundrazi do t'i vihet në shërbim sa herë që ai të ketë nevojë. Edhe tani po shërben si komardare më shumë për të shpëtuar autoritetin dhe pushtetin e Vuçiçit, por edhe të vetin njëkohësisht, sesa të realizojë një objektiv të caktuar.
Jam i bindur që kjo iniciativë e këtyre dy klepto dhe autokratëve të Ballkanit nuk do të pranohet në Europë. Nëse ka patur një ose dy ose tre vende që nuk do të votonin ose do të bllokonin pranimin politik, integrimin politik të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, tani mund të ketë dyfish ose trefish vende më shumë për ta bllokuar këtë iniciativë. Sepse europianët janë të ngadaltë, janë të paorganizuar ndoshta, nuk kanë një harmoni me njëri-tjetrin, por nuk janë budallenj.
© SYRI.net