Në foltoren e PD-së, Miranda Rira, anëtare e Kryesisë së PL-së, u shpreh se qeverisja e Rilindjes pas katër mandateve ka zhytur Shqipërinë në krizë të thellë në të gjitha sektorët kyç të shoqërisë.
Ajo denoncoi keqmenaxhimin, korrupsionin galopant dhe shpërdorimin e fondeve publike në arsim, shëndetësi, bujqësi dhe infrastrukturë, duke theksuar se vendi është përballur me mbyllje shkollash, rënie të cilësisë së arsimit, rritje të çmimeve dhe shpopullim dramatik.
Rira vuri në dukje se kjo situatë ka krijuar një emergjencë sociale dhe ekonomike, ku shqiptarët përballen çdo ditë me pasiguri dhe varfëri, ndërsa qeveria ka prioritizuar interesat klienteliste dhe koncesionet, duke injoruar nevojat reale të qytetarëve.
Fjala e saj:
Të nderuar doktor Berisha, mirëmbrëma pjesëmarrës dhe njerëz që na shikoni nga ekrani. Ka kaq shumë probleme dhe çështje akute në shoqërinë shqiptare sot, sa nuk di nga t'ia nisësh më parë. Pas pothuajse katër mandateve në qeverisje, Rilindja është zhytur gjithnjë e më shumë në skandale që kanë të bëjnë me keqqeverisjen, me korrupsionin galopant, në rrugët e Florintës që nuk i zë viti apo që shëmben direkt pas inaugurimit, me skandale në bujqësi ku zhvaten fondet e fermerëve dhe blegtorëve dhe ku Frida Krifca nuk mban asnjë përgjegjësi; për spitalet ku të sëmurët me kancer nuk kanë ilaçe apo nuk kanë aparaturat e nevojshme për trajtimin e tyre, sepse milionat e eurove në shëndetësi i mori apo i zhvati Vilma e Gogonushit; për çmimet katastrofë që rriten çdo ditë e më shumë dhe për pasojë shqiptarët ushqehen gjithnjë e më keq.
Asgjë nuk rilindi në këto 13 vjet. As arsimi, as shëndetësia, si dy sektorët më vitalë të jetës sociale. Fatkeqësisht, nëse shohim vitet e fundit, do të vëmë re se sidomos arsimi pati një rënie të ndjeshme, sidomos për shkak të mësimnxënies, sepse të gjitha raportet e fundit ndërkombëtare e renditin Shqipërinë përkrah Palestinës. Sot mësuesit mbeten më të keqpaguarit në rajon. Madje edhe Kosova e Bosnja i paguajnë mësuesit më shumë sesa ne. Mësuesit, për më tepër, janë të detyruar t'i bëjnë like edhe share ministres së Arsimit, apo të bëjnë patronazhistin me lista votuesish dy apo tre muaj para zgjedhjeve, sepse kështu ata mund të jenë drejtorë ose drejtues të institucioneve shkollore dhe kështu dalin nga misioni më fisnik i tyre.
Sot, pas katër mandateve qeverisje, nuk kemi akoma atë që është premtuar në katër legjislatura rresht: pikërisht buxhetimin në arsim në 5% të prodhimit të brendshëm bruto. E mos flasim më tej për fondin e kërkimit shkencor, i cili është në nivele qesharake. Në mandatin e tij të katërt, ky kryeministër dhe kjo qeveri duhet të japin llogari se përse nuk e rilindën arsimin, por e shkatërruan atë; se përse mbyllën 298 shkolla në të gjithë vendin; se përse mbyllën dhjetra programe studimore në shumë universitete të vendit; se përse e çuan universitetin e Elbasanit, i cili ishte i dyti në rang kombëtar, në një gjendje ku mësuesit dhe pedagogët mezi mbajnë katër apo pesë studentë. Se përse rezultatet e studentëve, sidomos ato të PISA-s, i renditën studentët tanë të fundit në rajon.
Ajo që është edhe më shqetësuese është pikërisht popullimi i vendit. Shqipëria në këto vite është populluar në një mënyrë dramatike, të paimagjinueshme më parë. Drama më e madhe, ajo demografike që ka ndodhur shqiptarëve në këto vite, janë fshatrat e lënë bosh. Janë shtëpitë e kyçura, është toka e lënë djerrë dhe qytetet e mplakura. Shpopullimi biblik i vendit, që gjithnjë vjen dhe në rritje, është një emergjencë kombëtare. Sipas INSTAT, çdo vit largohen nga vendi të paktën 42.000 rezidentë. Pra, nga viti 2012 deri në vitin 2022 janë larguar nga Shqipëria plot 420.000 rezidentë. Me fjalë të tjera, përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një qytet me rreth 40.000–42.000 banorë fshihet nga harta e Shqipërisë. Pra, bashki të tilla si Mallakastra, Mati, Cërriku, Vora, Vau i Dejës janë asgjësuar nga harta e Shqipërisë çdo vit dhe kjo është ulëritëse.
Asnjë politikë sociale për të luftuar plakjen e popullsisë, asnjë politikë sociale për të rritur lindshmërinë, e cila është gjithnjë në nivele më të ulëta, pasi sot 20% e popullsisë së Shqipërisë janë mbi 65 vjeç. Pasojat demografike do të jenë të parikuperueshme për sa kohë kjo qeveri nuk ka prioritet as arsimin, as familjen me ligjin e famshëm për barazinë gjinore, as të rinjtë, as pensionistët, por ka në fokus koncesionet, inceneratorët fantazmë dhe copëzimin e vendit në llokma, siç është edhe paketa e maleve, për të qerasur gjithë klientët dhe gjithë pronarët e mediave, të cilët fabrikojnë lajme dhe bëjnë propagandë boshe pro kësaj qeverie, duke pasqyruar një Shqipëri tjetër, një realitet tjetër.
© SYRI.net