Juglindja e bllokuar, Hoxhaj: Kjo qeveri shpërdoroi 3.8 miliardë euro, rrugët po shemben nga korrupsioni

09:40, 25/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, gazetari Julian Hoxhaj foli mbi shembjen e akseve rrugore në juglindje, ku u shpreh se ajo që ndodhi me segmentin që lidh Korçën me pjesën tjetër të vendit nuk është një rastësi natyrore, por pasojë direkte e gabimeve të rënda në projektim dhe zbatim nga qeveria.

Ai theksoi se rruga u shemb për shkak të bllokimit të ujërave sipërfaqësore nga ndërtimi i ri, duke injoruar zgjidhjen teknike të ndërtuar 30 vite më parë për të kanalizuar ujërat nga shpatet e malit drejt lumit.

Hoxhaj deklaroi se nga viti 2015 deri në 2025 janë investuar rreth 3.8 miliardë euro në infrastrukturë rrugore, por në vend të standardeve europiane, qytetarët po përballen me rrugë që shemben si “kala rëre”.

Sipas tij, fondet për skarpatat dhe mbrojtjen e terreneve të vështira janë fryrë në letra, por jo zbatuar në terren, duke bërë që sot rrugë si Lozhan–Maliq, ku u shpenzuan 15 milionë euro vetëm për riasfaltim, të rezultojnë të dëmtuara në disa segmente. Ai theksoi se qarku i Korçës është praktikisht i izoluar, ndërsa autoritetet qendrore heshtin përballë një dështimi që, sipas tij, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe financiare.

Pjesë nga deklarata:

Shiko, ajo që ndodhi dje, në fakt, ishte një shfaqje e shëmtuar dhe unë e them përsëri që ishte vetëm për të konfirmuar atë idioci që ka bërë kryeministri pardje. Kërkoj ndjesë qytetarëve. Pra, e gjithë ajo shfaqje ishte për të thënë që kryeministri e ka të drejtë, se rruga nuk u shemb për shkak të punimeve, sepse unë kam pyetur shumë ekspertë gjatë këtyre ditëve dhe të gjithë inxhinierët bien dakord që shkaku kryesor i shembjes së rrugës në atë segment është bllokimi i ujërave sipërfaqësore. Pra, ajo urë, 30 vjet më parë, pikërisht 30 vjet më parë, është ndërtuar për një qëllim: që të lejonte ujërat që vinin nga shpatet e malit të zbrisnin në lumë.

Çfarë kanë bërë me rrugën e re? E kanë bllokuar, e kanë mbushur me mur tarracash, siç quhet në gjuhën teknike, njësoj si në aksin Korçë–Ersekë, dhe është bllokuar. I gjithë uji ka depërtuar poshtë sipërfaqes së tokës dhe ka rrëshqitur i gjithë shpati i malit. Ka marrë të dyja rrugët, edhe rrugën e re, edhe rrugën e vjetër. Pra, kjo është fabula.

Pastaj, ne po shohim që në të gjithë territorin e vendit po shemben rrugë. Unë po ju jap një shifër: sipas Ministrisë së Financave, nga viti 2015 deri në vitin 2025 janë investuar rreth 370 miliardë lekë, apo mbi 3.8 miliardë euro, në infrastrukturë rrugore. Pra, Shqipëria, me 3.8 miliardë euro në 10 vjet, do të duhej të kishte, po themi, rrugët më të mira në rajon, duke pasur parasysh sipërfaqen në kilometra katrorë dhe rrugët që janë ndërtuar.

Vetëm Qukës–Qafë Ploçë, që ju e përmendët në fillim të emisionit, është ndërtuar me një kosto marramendëse. Pothuajse u dyfishuan kostot nga projekti fillestar dhe sot ajo rrugë është një nga rrugët më të këqija, qoftë për udhëtim, për aspektin e komoditetit të drejtuesve të mjeteve, qoftë për sa i përket sigurisë. Ne e kemi trajtuar edhe në emisionin “Plug”, sepse është një nga rrugët më problematike. Paratë e skarpatave këta i morën dhe i shpenzuan siç deshën, dhe sot ajo rrugë shembet çdo ditë.

Për skarpatet ishin parashikuar 1.1 milionë euro; i çuan në gati 2.8 milionë. Dhe nëse ka një investim që bëhet zakonisht në veprat publike, sidomos në infrastrukturë që kalon në terrene të vështira, janë pikërisht skarpatet. Ose gjenden zgjidhje alternative, siç ka ndodhur në Kosovë, për shembull në grykën e Kaçanikut, ku u ndërtuan 6 km rrugë për shkak se terreni nuk e pranonte ndërtimin e një vepre infrastrukturore në shpatet e malit. Pra, janë gjetur zgjidhje alternative dhe, me aq para sa ka kushtuar për shembull vetëm rruga Qukës–Qafë Ploçë, mund të ishin gjetur zgjidhje të tjera: mund të ishin bërë tunele, mund të ishin shmangur shpatet e malit dhe sot ajo rrugë nuk do të shembej.

E njëjta gjë edhe në Korçë–Ersekë: u ndryshua projekti. Projekti fillestar, i nisur gjatë qeverisjes Berisha, bëri 15 kilometra rrugë me vetëm 15 milionë euro. E dini me sa përfundoi? Përfundoi me 88 milionë euro për 15 kilometrat e tjerë. Dhe u shemb, sepse u ndërtua një rrugë që, nga kushtet teknike, nuk duhej të ishte ndërtuar në atë mënyrë. Ose duhej të bëhej urë, ose duhej të ndërtohej në gjurmën e vjetër duke bërë përmirësime.

Në qarkun e Korçës kemi edhe segmente të tjera: kemi tunelin panoramik të Pogradecit, që gjithashtu ka pasur probleme. Gjatë muajit janar ka pasur rrëshqitje gurësh; ka qenë një investim shumë i madh. Në atë kohë u bë edhe mbrojtja e bunkerit të famshëm, por kjo është histori tjetër, dhe ai pati probleme.

Kemi edhe aksin nga Lozhani në Maliq dhe deri në Moglicë, që sot do të duhej të ishte alternativë. Korça, ta themi për publikun, është bllokuar nga të gjitha anët dhe rruga alternative është të shkojmë në Maqedoni ose të kalojmë nga Përmeti në Leskovik, që është një rrugë që zgjat deri në 8 orë.

Tani, aksi Lozhan–Maliq, investim i Belinda Ballukut dhe Evis Berberit, ka kushtuar 15 milionë euro; kompania “Gjikuria” i ka marrë këto para dhe nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe, sepse ishte rrugë ekzistuese dhe është bërë vetëm riasfaltim. Këto 15 milionë euro për 18 kilometra duhej të ishin investuar në skarpata, në mure mbrojtëse, në ura e të tjera. Edhe ai aks sot është shembur në disa segmente, qoftë nga skarpatat, qoftë në trupin e rrugës.

Pra, sot qarku i Korçës dhe mua më vjen keq për gjithë juglindjen, sepse e ka votuar dhe e ka mbështetur këtë qeveri, pavarësisht metodave që ne i dimë si janë marrë votat nuk reagon dhe gjendet në këtë situatë. Dhe më e keqja, për paturpësinë e tij, kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, sot hesht. Niko Peleshi sot hesht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco