Reagimi i turpshëm/ Rama tallet me shqiptarët nga helikopteri: Po plotësoj orët e fluturimit, shembje ndodhin kudo

12:06, 23/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edi Rama u tall me shqiptarët teksa po fluturon drejt Korçës me helikopter, ndërkohë që akset rrugore drejt juglindjes janë në kolaps për shkak të babëzisë korruptive të qeverisë së tij.

Rama thotë në postimin e tij dy gjëra kontradiktore për fluturimin me helikopter.

Fillimisht thotë se ky fluturim me disa investitorë ishte i planifikuar, pastaj thotë se po fluturon me helikopterin e Forcave të Armatosura për të plotësuar orarin e fluturimeve.

Në mënyrë të turpshme dhe skandaloze, Rama vazhdon talljen duke thënë se rrugët e tij që u kanë kushtuar shqiptarëve sa qimet e kokës, po shemben sepse kështu ndodh kudo.

Ai sjell si krahasim një rast në Itali, pikërisht në Siçili, pa asnjë lidhje me rastin e rrugëve të Shqipërisë që nuk po shkatërrohen në një pikë, por thuajse kudo ku ka prekur dora korruptive e qeverisë së tij.

Shembja nga erozioni në një qytezë siciliane as që krahasohet me bllokimin total të një zone të tërë në vend për shkak të korrupsionit galopant dhe papërgjegjshmërisë ekstreme të qeverisjes më të korruptuar jo vetëm në Europë, por dhe në botë.

Ndërkohë, pasi është spiropalizuar në reagimin e tij, Edi Rama si vazhdimisht gjen kohën për të sulmuar me fyerje mediat dhe opozitën.

Image

Foto: Rama në helikopter duke bërë me dorë para se të zbresë në Korçë, 23 shkurt 2026

POSTIMI I PLOTË

Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!

Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!

Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!

Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend - parti politike jo e jo - që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë. Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë:

E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfilluar rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!

E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri.

Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten.

*për qartësi, bashkëlidhur është rrëshqitja aktuale në Itali, se gati janë ta transferojnë në Shqipëri

Image

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco