Një projektligj i ri për përkujdesin shoqëror, i paraqitur me shpejtësi në komisionet parlamentare, ka ngritur alarmin për rrezikun e kthimit të mbrojtjes së fëmijëve në një biznes fitimprurës.
Nisma ligjore, e cila synon të ndryshojë ligjin aktual, prezanton një koncept të ri dhe tejet shqetësues: atë të “familjeve profesionale” dhe “vullnetare”, të cilat do të licencohen dhe paguhen nga shteti për të marrë nën kujdes fëmijët në nevojë.
E ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’, anëtarja e PD në Këshillin Bashkiak, Ilda Zhulali theksoi se drafti lë në errësirë totale procedurat konkrete, garancitë ligjore për mbrojtjen e fëmijëve dhe mekanizmat e monitorimit për të siguruar mirëqenien e tyre.
Sipas saj, projektligjit i mungojnë elemente thelbësore: nuk parashikohet asnjë vendim gjykate për largimin e një fëmije nga familja biologjike dhe nuk ekziston asnjë sistem për të mbikëqyrur ecurinë e fëmijës në familjen e re.
Më alarmante, theksoi Zhulali është se nisma nuk prek vetëm fëmijët jetimë, por hap rrugën për ndërhyrje edhe tek fëmijët që vijnë nga familje vulnerabël. Kjo përfshin familjet në varfëri të thellë, ato me probleme sociale, apo ku njëri prej prindërve mungon për arsye të ndryshme si burgosja apo problemet e shëndetit mendor.
Zyrtarja vendore e PD në Bashkinë e Tiranës, argumenton se në vend që të mbështesë familjet biologjike për të kapërcyer vështirësitë, ky ligj rrezikon t'i penalizojë ato duke ua marrë fëmijët.
Prezantimi i këtij ligji nga ana e Kryeministrit nëpërmjet një ceremonie publike, shihet si një përpjekje për ta shitur nismën si një “shpëtim” për fëmijët në nevojë. Por në sfond qëndrojnë praktika shqetësuese, siç është vendimi për prishjen e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë për t’i hapur rrugën ndërtimit të një kulle, pa asnjë transparencë për zhvendosjen dhe fatin e fëmijëve që strehohen aty.
Kemi një projektligj që u paraqit në kuvend me shpejtësi në komisionin e shëndetësisë. Shqetësimi im më i madh ishte kur pashë që kryeministri vetë doli për ta bërë gati fakt të kryer parashikimet e këtij projektligji, që synon të bëjë një sërë ndryshimesh në ligjin aktual të përkujdesit shoqëror. Dhe nga parashikimet që përfshihen në këto amendamente të ligjit, ka të paktën tre elementë të rinj. E para hiqet birësimi si mundësi alternative, edhe si zgjidhje afatgjatë për fëmijët që kanë nevojë për kujdes prindëror dhe pasi nuk e kanë atë. E dyta, prezantohet një nismë e re dhe kjo është më shqetësuesja, ajo e ofrimit të kujdesit alternativ përmes familjeve profesionale, ose familjeve vullnetare. Dhe këto do të duhet të pajisen me licencë, në mënyrë dhe përmes licencës edhe do të paguhen për të marrë fëmijët nën kujdesin e tyre. Mirëpo po të shikosh, nuk ka asnjë detaj tjetër se si do të bëhet kjo, përmes cilave procedura, nuk ka asnjë garanci ligjore për fëmijët, ndërkohë që garancia këtu do të duhet të ishte maksimale.
Nuk parashikohet asnjë vendim gjykate se për cilët fëmijë pra bëhet fjalë dhe a do të ketë një vendim gjykate që do të duhet t'i paraprijë të gjithë këtij procesi. Nuk parashikohet asnjë mekanizëm monitorimi se çfarë ndodh, pra si është ecuria e fëmijës në familjet ku jepet për kujdestari. Dhe e vetmja gjë që diskutohet aty është licencimi i familjeve dhe përfitimi financiar që do të marrin familjet profesionale ose vullnetare. Mirëpo kjo hap një debat shumë të madh në Shqipëri sepse nuk bëhet fjalë vetëm për familjet, për fëmijët, ndjesë, të cilët nuk kanë prindërit. Këtu hapet loja për fëmijët që nuk e kanë të mundur kujdesin e duhur prindëror. Kjo prek familjet që janë në varfëri, familjet të cilat kanë probleme sociale, për shembull që mungon një prind pasi nuk ndodhet aty, mund të jetë i burgosur, mund të jetë jashtë familjes, mund të ketë probleme të shëndetit mendor, mirëpo i heq mundësinë familjes së afërt, që mund të jenë gjyshërit, tezet, xhajat, hallat, pra pjesa e rrethit të ngushtë familjar, që të marrin kujdestari për to, pasi këta konsiderohen kategoria e tretë e preferuar. Dhe mendoni se çfarë dramash mund të shkaktojë kjo në Shqipëri duke e kthyer jetën e këtyre fëmijëve në një biznes të pastër.
Pra, ky është një projektligj që është shumë problematik dhe siç e përmenda në fillim, ajo që e bën më shqetësues është që kryeministri e paraqiti përmes një ceremonie vanitoze, sikur kjo do të sjellë shpëtimin për fëmijët që janë në nevojë dhe në një rrezik real edhe për jetën e tyre, edhe për mirëqenien e tyre jo vetëm fizike, por edhe psikologjike e të tjerë. Unë uroj që mos të ketë një kalim me shpejtësi siç ka ndodhur në këto muajt e fundit me kalimin e ligjeve në kuvend, ku asnjë nuk diskutohet për to, nuk ka as përfshirje të aktorëve të tjerë apo agjentëve apo agjencive të specializuara, por kalojnë me shpejtësi vetëm me forcën e kartonave. Ju e keni parë në seancat e fundit që nuk ka asnjë diskutim përmbajtësor për asnjë projektligj, përfshirë për gjëra shumë të mëdha që prekin jetën e përditshme, jo më për një kategori kaq vulnerabël sa ç'janë fëmijët.
Dhe një element tjetër që është po aq shqetësues, ju e keni parë dhe përmes lajmeve, që vetë Shtëpia e Fëmijës Zyber Hallulli në Tiranë, në vend që të krijojnë projekte për të krijuar kushte maksimale dhe më të mira në këtë shtëpi për fëmijët që marrin kujdes aty apo që jetojnë aty, ka një vendim të fundit për ta prishur këtë shtëpi edhe për të ndërtuar në vend të saj një kullë, pa dhënë asnjë sqarim apo për të bërë ndonjë transparencë se çfarë do të ndodhë, ku do të zhvendosen këta fëmijë, në çfarë kushtesh e kështu me radhë. Ky projektligj si shumë të tjera, gjithmonë mban flamurin e standardeve më të mira. Se këta kështu e shesin, sikur janë për t'u përshtatur me ndonjë standard shumë të lartë botëror apo europian, por në fakt pas tyre fshihen gjithmonë interesa të ngushta financiare apo motive elektorale për të përfituar maksimalisht, elektoralisht, në momente të vështira për mazhorancën. Dhe kështu janë shitur kaq e kaq nisma në Shqipëri, por që kanë patur gjithmonë qëllime të errëta nga mbrapa dhe janë keqpërdorur dhe kanë prodhuar, në vend të shërbimeve më të mira, kanë prodhuar skandale dhe skema vjedhje galopante.
© SYRI.net