Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, njëkohësisht deputet, Tedi Blushi, ka komentuar zhvillimet në Komisionin e Reformës Zgjedhore në Kuvend, gjatë një interviste në Edicionin e Pasdites në SYRI TV.
Gjatë bisedës me moderatoren Eneida Ndoci, Blushi u shpreh se qëndrimi i Partisë së Lirisë në mbledhjen e fundit të komisionit ka qenë i qartë dhe parimor, ndërsa kritikoi mungesën e vullnetit politik nga përfaqësuesit e mazhorancës socialiste.
Sipas tij, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta për sa kohë që Edi Rama mbetet kryeministër. Blushi theksoi se e vetmja rrugë për të ulur tensionet politike dhe për të reflektuar pakënaqësinë popullore, e cila sipas tij po shfaqet edhe përmes protestave masive të opozitës, është krijimi sa më parë i një qeverie teknike.
‘Qëndrimi ynë në këtë mbledhje ishte i qartë.
Në fakt unë prisja që në mbledhjen e djeshme të kishte qoftë edhe një shprehje vullneti politik nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në atë komision dhe ky vullnet duhet të ishte që nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta me Edi Ramën kryeministër, që e vetmja mundësi për të shtensionuar, për të shfryrë këtë, këtë shpërthim të madh dhe urrejtje popullore që po reflektohet edhe në pjesëmarrje masive të popullit në protestat e thirrura nga opozita do të ishte hapja e rrugës për krijimin sa më parë të qeverisë teknike.
Të mos harrojmë që ligjet aktuale pothuajse janë ligje të cilat janë të qarta, por ajo çfarë mungon është pikërisht vullneti politik i këtij kryeministri, i kësaj mazhorance për të respektuar vullnetin e qytetarëve.
Vota në 11 maj u vra ende pa hyrë në kuti dhe qëndrimi që u shpreh ishte që opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin e shkrirjes njësh, pra siç e faktoi dhe raporti final i OSBE-ODIHR-it të partisë me shtetin.
Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për shitblerjen masive të votave në 11 maj, opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për marrjen peng të qendrave të votimit nga banditë të armatosur siç ndodhi në 11 maj.
Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për përdorimin kriminal të administratës, të policisë, apo qoftë edhe të strukturave të ushtrisë, shërbimit informativ, në shkatërrimin e zgjedhjeve. Ndaj, e vetmja mundësi për të çliruar dhe për të hapur apo për të krijuar terrenin e favorshëm për realizimin e një reforme efektive zgjedhore do të ishte pikërisht largimi një orë e më parë i Edi Ramës dhe ishte e tepërt që të dëgjonim për minuta të tëra përfaqësues apo vetë të akuzuar, të kallëzuar në SPAK, subjekte të shkatërrimit të zgjedhjeve, se si duhet të organizohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme në, në vendin tonë.
Dhe sigurisht për i përket qëndrimit që u shpreh, ai ishte pikërisht ai qëndrim për të cilin Partia e Lirisë, presidenti i saj, sot i burgosur politik, Meta, ka shprehur të paktën 16 apo 17 vite më herët kur vendit nga Edi Rama ju imponuan në mënyrë antidemokratike ato ndryshime kushtetuese, pasojat e të cilave sot i ndjejnë të gjithë shqiptarët.
Pra, qëndrimi ynë është i qartë, hapja përfundimtare 100% e listave, në mënyrë që në parlament, në ulëset e parlamentit, deputetë të jenë pikërisht ata të cilët duan të zgjedhin qytetarët shqiptarë.
Por të mos harrojmë që nuk mund të ketë, sado reformë ideale të jetë ajo që mund të realizohet, nuk mund të ketë kurrsesi zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën kryeministër. Këtë nuk e thotë opozita, këtë e thonë raportet prestigjioze të institucioneve të cilat janë angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve këto 13 vite, që sigurisht bëjnë fajtor pikërisht Edi Ramën për shkatërrimin e zgjedhjeve’, tha deputeti Tedi Blushi në SYRI TV.
INTERVISTA E PLOTE:
© SYRI.net