Duke folur për kostot e infrastrukturës rrugore, kreu i PD, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për abuzime të rënda me fondet publike, duke sjellë si shembull lotin e tretë të rrugës Qukës–Qafë Plloçë.
Ai theksoi se, sipas tij, ky segment pa ura dhe pa tunele ka kushtuar 9 milionë euro për kilometër, një shifër që e krahasoi me projekte të tjera madhore infrastrukturore, duke ngritur dyshime për shkelje të manualeve të çmimeve dhe për rritje të pajustifikuar të kostove.
Berisha akuzoi qeveritarët për mungesë transparence dhe për keqpërdorim të fondeve në dëm të interesit publik.
Fjala e tij:
Gjergji Grabocka: Për një investim publik ka një manual shtetërorë të çmimeve për llogaritjen e fondit limit. Këto çmime stratosferike rrugësh janë bërë duke shkelur manualet, apo këta hajdutë kanë ndryshuar manualet siç duan vetë me ligj?
Sali Berisha: Pyetje jashtëzakonisht e drejtë. Në qoftë se manualet do të ishin respektuar, duhej që çmimi i ndërtimit të rrugëve, në përputhje me rritjen e çmimit të të gjitha materialeve të përdorura, në përputhje rritjen e rrogave, në përputhje rritjen e çmimit të naftës dhe të gjitha këto, duhet të ishin jo më shumë se 35% më shtrenjtë se sa rrugët që u ndërtuan para vitit 2013, në një kohë kur janë absolutisht 500 gjer në 1200 përqind më shtrenjtë se sa rrugët e ndërtuara para vitit 2013.
Po marr të fundit, loti i tretë i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, pa asnjë urë, pa asnjë tunel, 9 km rrugë kushtoi 9 milionë euro kilometrin. Kushtoi aq sa kushtuar kilometri në mesatare i Rrugës së Kombit me dhjetëra ura e tunele dhe 27 metra e gjerë, kundrejt 11 metrave që është rruga Qukës-Qafë Plloçë.
Këta janë sjellë si barbarë në trajtimin e sigurisë publike. Nuk kanë të ngopur.Hajduti nuk ngopet kurrë sa më shumë vjedh, aq më shumë do të vjedhë. Këta janë, kështu mund ti kuptoni këta qeveritarë.
Urdhëroni, loti 9 milionë. Kush e bëri këtë? E bëri ndërtuesi i pallatit të Linda Ramës, pallatit në pajë. Sako 2T. Sako 2T që e ndërtoi pallatin nga themelet gjer në tjegulla dhe e rregjistroi me kompaninë e vet dhe ja dha në pajë bashkëshortes së Edi Ramës, ai merr rrugën Qukës-Qafë Plloçë. Dhe çmimi nga 73 milionë që ishte prokuruar me çelësa në dorë, shkoi në 330 mln dhe disa thonë edhe 400 milionë, por duhet ta vërtetoj, vetëm e vetëm se ishte Sakoja dhe ndante paratë me Edi Ramën.Nuk kanë asnjë kriter, asnjë normë përveç të vjedhim sa më shumë.
© SYRI.net